E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët e lartë që PD mori "borxh" te qeverisja e socialistëve

Nuk ka shumë rëndësi
se cili kamp politik fiton
zgjedhjet. Mund
të ndodhë të ndërrosh
"shefin" e madh, por sërish
të mbetesh në qeverisje. Këtë
"fat" e kanë pasur një numër jo i
vogël personazhesh politike dhe
të administratës së lartë shtetërore.
Shumë nëpunës të
thjeshtë i nënshtrohen "furtunës"
së shkarkimeve sa herë
ndërrohet pushteti e nën motivacionin
e përkatësisë politike,
por dhjetëra të tjerë, ish-funksionarë
të rëndësishëm vijojnë
të shërbejnë në pozita të favorshme.
Emrat
Kampion i kësaj kategorie
padyshim që mbetet ministri aktual
i Mjedisit, Lufter Xhuveli.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste,
gjatë tetë viteve të qeverisjes
socialiste, ka qenë disa herë
ministër. Ai rezulton të ketë
mbajtur herë portofolin e ministrit
të Bujqësisë dhe Ushqimit,
ministrit të Shtetit apo atij të
Mjedisit. Anastas Duro, i dekretuar
dje si ministri më i ri i Punës
dhe Shanseve të Barabarta, ka
qenë më parë zëvendësministër i
Drejtësisë në qeverisjen socialiste.
Shefi aktual i kabinetit të Kryeministrit
Sali Berisha ka mbajtur
poste të rëndësishme në tetë vitet
e qeverisjes së Partisë Socialiste. Ai
ka qenë ministër Shteti për reformën
legjislative, ashtu sikurse
ministër i Pushtetit Vendor dhe
Decentralizimit. Deputeti aktual
Ymer Tola, i pozicionuar në grupin
parlamentar të Partisë Demokristiane
në mazhorancë, ka mbajtur
në kohën e PS-së postin e zëvendësministrit
të Bujqësisë dhe
Ushqimit. Në periudhën kur të
majtët ishin në pushtet, deputeti
aktual i mazhorancës, Leonard
Solis, ishte ministër i Shëndetësisë.
Po brenda Partisë Bashkimi
për të Drejtat e Njeriut figuron
edhe emri i deputetit Spiro Peçi,
që vite më parë ishte ministër i
Drejtësisë. Neritan Sejamini, ish
këshilltar i jashtëm i Kryeministrit
socialist, Fatos Nano, u bë
këshilltar dhe më pas drejtor informacioni
i kreut të qeverisë Sali
Berisha. I ndjeri Gramoz Pashko,
që së fundi ishte këshilltar i zotit
Berisha, më parë ka qenë
këshilltar i brendshëm i kreut të
ekzekutivit socialist Fatos Nano.
Kësaj liste i shtohet deputeti
demokrat Preç Zogaj, që në të
kaluarën ka shërbyer si ministër
Shteti në kabinetet qeveritare
socialiste. Në një nivel më të ulët,
por gjithsesi domethënës, ishte
Tatjana Kongoli, ish-drejtoresha
e Doganave në kohën e PS-së, që
kaloi si anëtare e KOP-it të
demokratëve. Më tutje u propozua
si ambasadore, por nuk arriti
të miratohej si kandidaturë.
Reforma
Teksa ish-drejtues të lartë të
administratës socialiste afrohen
në qeverisjen e djathtë,
mijëra nëpunës të thjeshtë
janë larguar. Që pas ardhjes së
Partisë Demokratike në pushtet
dhe koalicionit të djathtë u
kryen reforma në administratë.
Përveç stafeve politike u
lëvizën një numër i konsiderueshëm
nëpunësish që
mbanin edhe statusin e
nëpunësit civil. Në pjesën dërrmuese
të rasteve, largimi u
motivua për shkelje disiplinore
dhe pjesëmarrje në aktivitete
politike të mazhorancës socialiste.
Këto veprime ishin objekt i
hetimit të një komisioni të
posaçëm parlamentar, që erdhi
si kërkesë e opozitës. Produkti i
tij ishte si zakonisht, dy raporte
shumicë-pakicë dhe asnjë veprim
konkret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›