E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Të matet rrezatimi pas shpërthimit"

Tragjedia e Gërdecit mund të mos kishte ndodhur. Një shpërthim i tillë mund të ishte shmangur nëse do të ishin respektuar të gjitha rregullat, nëse do të ishte marrë parasysh mendimi i specialistëve, ushtarakëve, e mbi të gjitha nëse do të ishin zbatuar kushtet që nevojiten për të punuar me armë.

Ushtarakët thonë se asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe duke qenë se gabimi njerëzor është një element i pandashëm në punën me armë, atëherë detyra kryesore e specialistëve është minimizimi i kushteve dhe marrja e masave, sipas rregullave për të parandaluar tragjedi të tilla. Anëtarë të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim, në një forum analizojnë ngjarjen e shpërthimit në fshatin e Gërdecit, gabimet që janë bërë që në fillim dhe pasojat e kësaj ngjarjeje, të cilat më shumë se dëme ekonomike, janë trauma, humbje të jetëve të njerëzve. Por jo vetëm kaq, tragjedia shkon deri aty sa të rrezikohet edhe pjesa e zonës nga rrezatimi dhe radioaktiviteti. E gjithë kjo histori ka nisur gabim, ka vazhduar me gabime dhe ka përfunduar me një tragjedi, e cila mund të përsëritet në rast se do të bëjmë të njëjtat gafa dhe në rast se do të përsëritet i njëjti organizim si në rastin e Gërdecit.

"Shpërthimi në Gërdec ka qenë më shumë se 2 kilotonë dhe vala goditëse 5 kilometra, kjo është e ngjashme me një mini bombë atomike", thotë specialisti i kimisë, anëtar i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim, Shkëlqim Bejo. Sipas tij, për këtë arsye ekziston mundësia e shfaqjes së rrezatimit.

"Një pjesë e metaleve që kanë djegoret, (bakri) lëshojnë një rrezatim të ngjashëm me rrezatimin radioaktiv. Shteti dhe institucionet shëndetësore duhet të marrin masa për kujdesin e popullatës, duke përfshirë ekzaminimin e herëpashershëm për sëmundjet mendore, për sëmundjet e frymëmarrjes.

Një problem i madh mbeten edhe deklaratat e fundit të funksionarëve shtetërorë, të cilët kanë hedhur idenë e centralizimit të tri qendrave të mëdha, ku të mblidhen sasitë e municioneve që gjenden në të gjithë vendin. Zhvillimi i një nisme të tillë do të ishte me zarar, sipas ushtarakëve, të cilët promovojnë zbatim të rregullave teknike, organizim të punës nga specialistë dhe mbi të gjitha, rregulla strikte për mirëmbajtjen e reparteve ushtarake, depove të armëve, apo vendeve ku bëhet grumbullimi i municioneve.

"Në rast se zbatohen rregullat, në rast se punojnë specialistë ushtarakë, nuk rrezikohemi nga shpërthime të tilla. Rregullat janë strikte, ajrosja në kohë të nxehtë, lyerja me gëlqere për mos depërtimin e diellit, veshjet e posaçme, të gjitha masa që i zbatonim me rigorozitet", tha ish-drejtori i artilerisë, Thoma Konduri. Sipas tij, ushtria nuk ka qenë asnjëherë e përfshirë në marrëdhënie tregtare apo ekonomike. Forcat e Armatosura kanë qenë gjithmonë të përfshira në profesionin e tyre, pa u bërë pjesë e aferave. Për sa i takon punës, ushtarakët zbatojnë urdhra edhe në rastet kur nuk i dëgjohet fjala, por ata nuk duhet të jenë të verbër nga politika. "Ata ushtarakë që kanë qenë në dijeni duhet të këmbëngulnin që një organizim i tillë të mos bëhej në Gërdec, në mes të një qendre metropoli, që ka pranë Tiranën dhe Durrësin", sqaron Medi Pogaçi, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim. Në rast se do të ishte zbatuar një centralizim i municioneve në tri pika në vend dhe kjo të ishte njëra nga pikat, atëherë bashkë me Gërdecin, do të kishin shpërthyer edhe dy qytetet më të zhvilluara të vendit.

Medi Pogaçi

Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim

Ish-zbulues armësh

A mund të ishte parandaluar tragjedia e Gërdecit?

Gabimi është bërë që në fillimin e organizimit të punës. Shteti duhet të investigonte dhe duhet të merrte të dhëna të sakta se çfarë firmash ishin, a ishin të inkriminuara. Shteti duhet të garantonte që firma nuk është e lidhur me mafien, me krimin e organizuar, është serioze. Me dashje apo pa dashje kjo nuk është bërë. Në të gjitha, rastet shërbimet janë të infektuara. Ministria e Mbrojtjes, nën sloganin e drejtimit civil e shmang Ushtrinë dhe Shtabin e Përgjithshëm, duke nxjerrë urdhra, duke i hequr kompetencat dhe duke mos i pyetur fare. Megjithatë, kjo nuk shmang nga përgjegjësia dhe të gjithë ushtarakët, të cilët, e kanë ditur dhe nuk kanë këmbëngulur që një fabrikë e tillë të mos bëhej në Gërdec. Shtabi nuk ka qenë dakord për lejimin e saj në Bërzhit. Por Gërdeci është pika më e rrezikshme, mesi i boshtit qendror, aty ku ndodhet dhe metropoli. Shtabi ka pasur dijeni pavarësisht politikës që duhet të mbajë përgjegjësitë.

Ushtarakët nuk duhet të jenë të verbër nga politika. Problemi është që aty u përdorën pak specialistë.

Sipas mendimit tuaj, cila ka qenë arsyeja e shpërthimit?

Shkaqet mund të jenë të shumta, duke përfshirë këtu mund të mendojmë edhe në mënyrë hipotetike. Mund të ketë qenë çdo gjë. Supozimet hipotetike mund të çojnë edhe në spiunazh të huaj, por përgjegjësia për këtë bie tek organizatorët. Ata kanë për detyrë të ruajnë, kontrollojnë, zbatojnë rregullat teknike, të kenë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Edhe pa dashje të jetë krijuar shpërthimi nuk justifikohet, sepse çdo gjë është e ndërtuar gabim. Veni ynë ka një pasuri, që duhet të ruhet, e nga e cila duhet të përfitojnë të gjithë. Të gjitha duhen derdhur në buxhetin e shtetit dhe nga kjo do të përfitonin të gjithë.

Si bëhet reforma në radhët e Forcave të Armatosura?

Reformat në Forcat e Armatosura janë të domosdoshme për të hyrë në NATO, por reforma nuk zbatohet siç duhet. Në kontrollin civil, nën pretekstin e reformës, janë hequr specialistët më të mirë. Janë futur njerëz të paaftë, politikë, që kanë lidhje farefisnore.

Në gjendjen që janë vendosur sot municionet dhe armatimet, rreziku i një Gërdeci të dytë është minimal. Por në rast se këto municione do të drejtohen nga batakçinj që nuk zbatojnë rregullat, përsëri do të kemi Gërdec.

Shkëlqim Bejo

Specialist kimie

Sekretar për marrëdhëniet me publikun i shoqatës

Cilat janë pasojat e këtij shpërthimi?

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe nga kërpudha që është formuar, të cilën e kemi parë, është e ngjashme me një mini bombë atomike. Ka qenë një shpërthim rreth 2 kilotonë dhe vala goditëse ka qenë rreth 5 kilometra. Metalet e rënda, mbjellja e tyre në tokë shkakton pasoja. Po pastrohet territori, ajri është rreth 4 herë i ndotur më shumë se normalja. Ekziston mundësia e një rrezatimi. Një pjesë e metaleve që kanë djegore (bakri) lëshojnë një rrezatim të ngjashëm me rrezatimin radioaktiv. Kjo mund të shfaqë sëmundje nervore, sëmundje të frymëmarrjes apo edhe keqformime. Për të minimizuar këto pasoja, organet vendore dhe shëndetësore të vërtetojnë shkallën e infektimit të ambientit. Kjo duhet bërë në mënyrë të herëpashershme. Duhet të ekzaminohen në mënyrë të herëpashershme banorët në mënyrë që të parandalojnë çdo shqetësim dhe të kapin në kohë sëmundjen.

Cilat kanë qenë substancat që kanë dhënë shpërthime aq të mëdha dhe a kemi depo të tjera në zona të banuara?

Kanë qenë kryesisht predha, municione dhe ajo që i ka dhënë forcë kanë qenë kantierët me barut. Ngjitur kanë qenë predhat me djegore. Ishin 4 shpërthime njëri pas tjetrit. Mendohet të kenë qenë rreth 5 kantierë me barut. Mund të them se ka depo të cilat janë afër apo larg zonave të banimit.

Forcat e Armatosura janë të përgjegjshme për rrezikun dhe nuk do të komprometoheshin. Në një studim që është bërë ka rezultuar se ushtria është pjesa më e pakorruptuar e shoqërisë. Konsultimi dhe mendimi i tyre duhet të zbatohet gjithmonë.

Thoma Konduri

Ish-drejtor i Artilerisë

Sekretar Organizativ i Shoqatës së Forcave të Armatosura

A i është kërkuar ndihma ushtarakëve për t‘u punësuar në këtë veprimtari?
Nëse do të ishin marrë ushtarakët, ata nuk do të pranonin kushte të tilla. Ata nuk do të pranonin që në fabrikën e çmontimit të armëve të punonin gra e fëmijë, të cilët nuk dinë as rregulla dhe nuk janë të specializuar për një punë të tillë. Ata nuk kanë kërkuar ndihmën e ushtarakëve, nuk kemi asnjë të dhënë. Me ushtarakët, krimi i organizuar nuk mund të bashkëpunojë, sepse Forcat e Armatosura nuk bashkëpunojnë me mafien, as me krimin e organizuar. Specialistët ushtarakë e dinë shumë mirë profilaksinë, kushtet se si duhet të punohet. Nëse do të kishte ushtarakë, paratë nga një veprimtari e tillë do të futeshin në buxhetin e shtetit, madje do të kishte të ardhura edhe për pensionet e ushtarakëve.

Komanda Ushtarake duhet të njoftonte se në një vend ku ka banorë është shumë e rrezikshme që të jetë qendër grumbullimi e armëve.

Komanda e Bashkuar duhet të mbante qëndrim. Një specialist në raste të tilla e di rrezikun.

A rrezikohemi ne nga një Gërdec i dytë?

Në ushtri flasim për profilaksi, për mbrojtje të reparteve. Sipas rregullave, një repart ushtarak duhet të mbajë aq armë sa në rast shpërthimi, të shpërthejë vetëm zona në të cilën ruhen. Por në rastin e Gërdecit, sasia ka qenë më e madhe sesa duhet, punonin jo specialistë, nuk është zbatuar asnjë rregull, nga fillimi deri në fund ka qenë një gabim. Një gabim që përfundoi në një tragjedi të madhe. Asnjëherë ushtrisë shqiptare nuk i ka ndodhur një gjë e tillë. Forcat e Armatosura gjithmonë kanë zbatuar rregullat, pavarësisht municioneve, mënyra e ruajtjes dhe organizimit të punës nuk ka rrezikuar shpërthimin. Ushtarakët janë pjesa më e pakompromentuar e shoqërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›