E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Skela, asist në fitoren e Energie Kotbus

Ervin Skela lë shenjë në sfidën për mbijetesë që Energie Kotbus ka fituar me rezultatin 2-1 me Arminian. Mesfushori i Kombëtares ka dhënë pasimin deciziv në golin e dytë të skuadrës së tij, kur rezultati ishte në barazim 1-1. Kur kronometri tregonte 59 minuta lojë, fantazisti shqiptar i dhuroi Stanislav Angelovit mundësinë për të realizuar. Kotbus kishte kaluar në avantazh në të 43-ën, me Rangelov, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, miqtë barazuan me Muntenaun. Altin Lala luajti vetëm tetë minuta në sfidën që Hanover fitoi 2-0 në fushën e saj me Hertën e Berlinit. Si zëvendësues u aktivizua edhe Kapllani: ai hyri në fushë tre minuta përpara mbylljes së ndeshjes ku Karlsruhe humbi 2-0 me Shalken. Paraqitje pozitive për Erjon Bogdanin në Serinë A, në takimin ku Kievo humbi 1-0 në fushën e saj me Milanin. Përveç pasimeve për gol, të shpërdoruara nga shokët e skuadrës, sulmuesi shënoi në portën e Didës, por pozicioni i tij u cilësua i parregullt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›