E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtari kapet me 50 kg drogë në Kakavijë

19/08/2009  Në pranga Petrit Abedini kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës

Ai ishte njëherazi kryetari i degës së Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 (PSV 91)

KAKAVIJE - Një zyrtar i lartë i pushtetit vendor në jug të vendit është ndaluar në kushtet e flagrancës në pikën e kalimit kufitarë të Kakavijës, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, pasi ai tentonte të kalonte drejt Greqisë 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit “kanabis sativa”. Kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tepelenës, njëherazi kryetari i degës së Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91 (PSV 91), Petrit Abedini, me profesion biznesmen, është prangosur pasditen e martë gjatë operacionit të koduar “Pritja”, vetëm 30 metra larg vijës kufitare, pasi gjatë kontrollit të kamionit të tij, u identifikuan 50 kilogramë lëndë narkotike. “Petrit Abedini, 50 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Tepelenës, është ndaluar në metrat e fundit të territorit shqiptarë, pasi gjatë kontrollit në kamionit tip “MAN”, me targa TP 2798 B, ishin fshehur 50 kg lëndë narkotike dhe kishte si destinacion Athinën (Greqi)”, tha për gazetën ‘Metropol” Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës, teksa shton se, biznesmeni i tregtisë së miellit me shumicë, kishte ngarkuar në trajler një kondenier bosh me qëllim maskimin e lëndës narkotike dhe poshtë saj kishte fshehur 35 pako të mbështjella me letër natriban. Ndërkohë, mësohet se zyrtari i lartë i pushtetit vendorë aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Gjirokastrës dhe ndaj tij kanë nisur proceduarat penale në akuzën “Trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a të Kodit Penal. Petrit Abedini njihet si biznesmen në Tepelenë, madje ai zotëron disa magazina me mall ushqimor, si miell, vaj etj., ku i shet me shumicë e pakicë në jug të vendit. Aktivitetin politik, ai e ka filluar në vitet ’90 duke qenë simpatizant i forcave të majta, por kurrë ndonjëherë anëtar i ndonjë subjekti politik. Pretendimet e tij për të pasur koperturë politike dhe duke pasur gjendje financiare, u kulmuan në shkurt të vitit 2007 në zgjedhjet lokale.

Posti politik

Pas refuzimit që i bëri PS për të mbrojtur siglën e saj në zgjedhjet e 2007-s, si kandidat për kreun e Bashkisë së Tepelenës, Abedini doli si kandidat i pavarur, duke hequr mbi 1/3 e votave kandidatit të përbashkët të së majtës në këto zgjedhje Perlat Mece. Marrja e kësaj sasie votash fuqizoi kandidatin demokrat Sevo Mici, i cili duke pasur vetëm ¼ e votave të përgjithshme të qytetarëve të Tepelenës, u kurorëzua kryetar bashkie i Tepelenës për të parën herë të një përfaqësuesi të PD-së që prej mbajtjes së zgjedhjeve të para lokale prej 1992-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›