E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: Në Itali mendova largimin nga futbolli

Tani është idhull i tifozëve të Energi Kotbusit dhe trajneri i skuadrës e cilëson atë si një nga shtyllat e ekipit. 

JETMIR HALILAJ

 E megjithatë ka pasur një moment kur Ervin Skela ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij si futbollist. "Ishte periudha kur unë luaja te Askoli, - ka rrëfyer Skela për "Bild". - Atëherë gjërat më ecën shumë keq, pasi nuk po arrija të luaja dhe përveç kësaj nuk isha në formë të mirë. Nëse menaxheri i Energi Kotbusit, Stefan Hidrih nuk do të më kishte marrë në telefon dhe nëse nuk do të isha transferuar te Kotbusi në muajin janar, sot ndoshta nuk do të luaja më futboll". Mesfushori është besimtar i rregullt dhe ndonëse nuk shkon përditë në kishë. "Unë nuk shkoj çdo ditë në kishë, por nëpërmjet prindërve të mi jam bërë shumë besimtar dhe jam rritur si një katolik i mirë. Ata kanë punuar shumë për mua, për të më dhënë mundësinë që të bëhesha një futbollist profesionist - ka thënë Skela. - Besoj te Zoti, sepse më ka ndihmuar në momentet më të vështira të karrierës. Edhe pasi u largova nga Askoli gjërat nuk shkuan siç duhet sepse unë u sëmura dhe nuk arrita të jepja kontributin e duhur për ekipin, por Zoti na ndihmoi dhe nuk zbritëm në Bundesligën 2".
Detyrimi
Karriera e mesfushorit të Kombëtares shqiptare ishte drejt përfundimit një vit më parë, por presidenti i klubit, Ulrih Leps dhe ish-trajneri Petrik Sander më mbështetën maksimalisht. Ata asnjëherë nuk u mërzitën edhe pse unë nuk po jepja atë që duhej. Nuk kam për t'ua harruar kurrë atyre ndihmën që më dhanë në ato momente të vështira. Për fat të mirë sezonin që shkoi isha në formë të mirë dhe mendoj se isha në lartësinë e duhur. Shënova gola dhe ndihmova ekipin të qëndronte në Bundesligën 1. Kjo ishte një tjetër shenjë që më bindi plotësisht se ka një Zot. Unë besoj shumë te ai dhe mendoj se është ai që më udhëheq", ka thënë fantazisti i përfaqësueses shqiptare. Skela u transferua te Askoli në verën e vitit 2006, por aty nuk gjeti hapësira dhe thuajse gjithë fazën e parë qëndroi në stol. Në janar të vitit 2007 ai kaloi te skuadra gjermane e Kotbusit, por aty u sëmur me verdhëz dhe iu deshën rreth dy muaj që të rikuperohej plotësisht duke mos arritur të jepte kontributin e duhur te skuadra e tij e re. Ai s’u dorëzua për asnjë moment, sepse një sezon më pas ai shkëlqeu në Bundesligën 1 gjermane, madje në fund u cilësua si një nga mesfushorët me rendimentin më të lartë.

Disiplina mblidhet për Shkëmbin

Të hënën Komisioni i Disiplinës do të mblidhet për të diskutuar në lidhje me ankesën e futbollistit Bledi Shkëmbi. Ky i fundit ka paraqitur një ankesë për përjashtimin nga drejtuesit e Partizanit, klub me të cilin ai ka një kontratë tre-vjeçare. "të hënën do të zhvillohet një mbledhje e Komisionit të Disiplinës enkas për çështjen e Blendi Shkëmbit, - pohoi shefi i sektorit të garave, ilir Shulku. - Lojtari ka paraqitur një ankesë, e cila do të shqyrtohet nga anëtarët e Komisionit dhe më pas do të merret një vendim". Mesfushori i Kombëtares shqiptare u përjashtua disa javë më parë nga Partizani, pas debatit që pati me presidentin e të kuqve, Albert Xhani. Ky i fundit i kishte kërkuar rinovim të kontratës, por lojtari i është përgjigjur duke i thënë se më parë duhet t'i japim paratë e rrogës së tre muajve të fundit, të cilat lojtari pretendon se nuk i janë shlyer. "Unë kam një kontratë të rregullt me Partizanin dhe dua ta respektoj atë. Nëse drejtuesit e Partizanit dëshirojnë t'i zgjidhin gjërat në këtë mënyrë, atëherë unë jam i gatshëm që t'iu shkoj gjërave deri në fund. Do të kërkoj të drejtat e mia edhe te organizmat ndërkombëtarë të futbollit, nëse do të jetë nevoja", tha lojtari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›