Zyrtarizohet politika e kavjeve - gati, turni i ri i kampistëve të Ramës në Bulevard
Berisha: Të mos harrojmë se Panela, kampioni botëror i grevave të urisë, i kërkoi Ramës të mos bllokojë bulevardin
Rama ka zyrtarizuar sot politikën e zgjerimit të kamikazëve e të kavjeve në çadrat e Bulevardit, sepse nuk guxon të zyrtarizojë dështimin e një aksioni politik si greva e urisë, e cilësuar që në krye të herës, si një dështim politik. Grupi kuvendor socialist vendosi sot pas një mbledhjeje se nuk do të tërhiqet nga greva e urisë e nisur prej 18 ditësh. “Në mënyrë unanime deputetët e pranishëm në mbledhje kanë vendosur vazhdimin e grevës dhe protestave” thuhet në njoftimin zyrtar të PS, edhe pse merret vesh se shumë nga disidentët e heshtur të grupit parlamentar nuk janë njoftuar fare për mbledhje dhe s’kanë pasur se si t’i shqiptojnë kontestimet e tyre.
Gazeta “55” ishte e para që njoftoi sakrilegjin e ri që po përgatiste Edi Rama me deputetët e vet kavje dhe vuri alarmin për dëshpërimin që e ka kapluar lidershipin socialist, në përpjekje për të kthyer në tragjedi, një aksion politik krejt butaforesk. Meqë jemi tek kjo temë, njoftohet se aktualisht janë 56 grevistë që janë dërguar në spital, ndërsa një ditë më parë, kryetari Edi Rama theksoi se janë mbi një mijë vullnetarë (kavje) të gatshëm të jenë pjesë e kësaj proteste.
Berisha: Të mos harrojmë se Panela, kampioni botëror i grevave të urisë, i kërkoi Ramës të mos bllokojë bulevardin
“Panela erdhi dhe e vizitoi grevën e urisë, e më thanë që ai u ka deklaruar socialistëve shqiptarë se çdo gjë mund ta bëjnë, vetëm rrugët nuk mund t’i bllokojnë”. Me një batutë të tillë, kryeministri Berisha i është përgjigjur interesimit të gazetarëve për trafikun në Tiranë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryebashkiaken e Milanos, Leticia Morati. “Rama të pyesë njëherë kampionin e botës në grevat e urisë, Marko Panela, nëse ai i ka bllokuar ndonjëherë rrugët”, tha ai më pas lidhur me një fakt të tillë. Ndërkaq, kryebashkiakja e Milanos bëri me dijeni nga ana e saj lidhur me trafikun e Tiranës se i ofron palës shqiptare një studim gratis rreth tij. “Folëm me Berishën për mundësinë e realizimit të një studimi faktik për trafikun në Tiranë dhe më pas do të jetë qeveria e pushteti vendor që do ta marrë në konsideratë këtë studim, i cili ofrohet gratis”, tha ajo mes të tjerash. Ndërkaq, në konferencën e përbashkët mes tyre, Berisha shtoi se “deri në momentin e zhvillimit të ekspozitës gjigante të Milanos, ai do të ketë kompletuar të gjithë kuadrin ligjor për shfrytëzimin e energjisë nukleare për përdorim paqësor dhe se do të shfrytëzojë të gjitha opsionet për shfrytëzimin e saj”.
...