"Çabej", çmime për albanologët shqiptarë
Disa prej albanologëve dhe akademikëve në trevat mbarëshqiptare, të cilët gjatë këtyre viteve kanë spikatur me punën e tyre në ndihmë të albanologjisë, do të nderohen të premten me çmimin "Çabej". Kjo ceremoni çmimesh do të jetë pjesë e një konference shkencore që do të organizohet në kujtim të themeluesit të gjuhësisë shqiptare. Në kuadër të 100- vjetorit të lindjes së tij, në datën 10 tetor do të organizohet një konferencë shkencore nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Prof.Dr. Bamir Topi, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bukura, në Kosovë. Në kujtim të gjuhëtarit të shquar, viti 2008 është shpallur si "Viti Çabej", ndaj profesorë dhe akademikë do të mbajnë kumtesa mbi veprimtarinë shkencore të Çabejt, mes të cilave, "Hyrje në historinë e gjuhës shqipe", "Fonetika historike e shqipes", "Fjalori i gjuhës shqipe", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe", si dhe shumë botime të tjera në folklor, etnografi dhe histori letrare. Kryetari i Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, u shpreh se "veprat e tij e ndërtuan shkencën dhe albanologjinë tonë jo vetëm në vendin tonë, por dhe më gjerë. Në kohën kur ishte gjallë profesor Çabej, veprimtaria e tij e pasur, që spikat jo vetëm në gjuhësi, nuk u vlerësua. Prandaj atij vlerësimi të munguar, do t'i rikthejmë sot meritat shekullore", - thekson akademiku Biçoku.
Në Konferencë, midis të tjerash, do të përcillen mendime dhe mesazhe nga profesorë, albanologë, kolegë, ish-studentë të profesorit dhe themeluesit të gjuhës shqipe. Kjo nuk është konferenca e parë shkencore që organizohet në kujtim të Çabejt. E para i takoi Prishtinës, në 10 korrik një tjetër konferencë shkencore u organizua në Rektoratin e Universitetit të Tiranës. E pranishme ka qenë dhe e bija e gjuhëtarit, Brikena Çabej, e cila këto kohë po merret me botimin intensive të veprës së të atit. Tashmë në treg ka dalë libri "Sonete", me pjesë të panjohura të Çabejt, ndërsa në proces përgatitje është një botim me rreth 1200 letërkëmbime të tij me personazhe të njohur dhe albanologë që kanë kontribuar për gjuhën shqipe. Ndoshta aktivitete të tjera do të organizohen deri në përfundim të këtij viti, të cilin Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e shpalli si "Viti Çabej". Eqrem Çabej, një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, lindi më 6 gusht të vitit 1908, në Gjirokastër.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)