Çahet rezervuari, evakuohen banorët e tre fshatrave
Rrëshqitja e digës së rezervuarit të ujit në fshatin Sharrëdushk në Komunën Kryevidh të Kavajës për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi me përmasa të mëdha. Ky rezervuar i ndërtuar gati 40 vjet më parë rrezikoi të çahej duke kërcënuar me përmbytje të gjithë zonën përreth. Alarmi është dhënë që dje në mesditë nga vetë banorët e fshatit Sharrëdushk, të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet. Të parët në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit që menjëherë kanë evakuuar banorët e zonës së rrezikuar nga përmbytja. Më pas një grup pune i dërguar nga Ministria e Bujqësisë ka nisur të marrë masat për normalizimin e situatës. Zgjidhja e emergjencës ka qenë shkarkimi i ngadalshëm dhe i kontrolluar i ujërave të këtij rezervuari. Zv/ministri i Bujqësisë, Ndue Preka, i pranishëm në vendngjarje bëri të ditur dje pasdite se situata e rrezikshme u kapërcye pas ndërhyrjes së shkarkimit të dalëngadalë të rezervuarit. Preka shtoi se rreziku i çarjes së rezervuarit ka ardhur si pasojë e amortizimit të tij. "Kemi hapur shkarkuesin dhe shpresojmë që të stabilizojmë gjendjen. Kjo ndodhi pasi rezervuarët kanë vite që janë ndërtuar, me materiale së shumti rrethanore. Por them me bindje të plotë se rreziku është eliminuar", tha dje Preka. Në një reagim zyrtar për këtë çështje, zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Rexhep Shahu, tha se "për shkak të reshjeve të shumta të ditëve të fundit u konstatua rrëshqitja ose cedimi deri rreth një metër i digës së rezervuarit të Sharrëdushkut afër fshatit Synej të Kavajës, rezervuar me kapacitet një milion metër kub ujë, i ndërtuar në vitet ‘70". Ai ka sqaruar se menjëherë u ngrit grupi i punës me urdhër të ministrit dhe shkuan në vendngjarje ku ende ndodhen, specialistë e drejtues të Ministrisë së Bujqësisë, të ndërmarrjeve tona të vartësisë në Kavajë e Durrës me mjetet e duhura teknike, gjithë autoritetet vendore të Kavajës e komunës, si dhe punonjës të Ministrisë së Brendshme. Sipas tij, u zhvendos fillimisht popullsia e fshatrave të rrezikuara Spille, Greth i Mesëm e Greth i Madh dhe filloi ndërhyrja teknike për zgjerimin e thellimin e shkarkuesit katastrofik të rezervuarit. Ai ka kujtuar se në Shqipëri janë 640 rezervuarë bujqësie. "Janë riparuar në këto tre vite 53 diga rezervuarësh, ato të konsideruarat nga ekspertët me rrezikshmëri më të lartë. Është hartuar projekti i ri prej mbi 40 milionë dollarë për riparimin e gjithë digave të rezervuarëve të bujqësisë në vend", përfundoi Shaho.