E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet një shtëpi, rrezikohen gjashtë të tjera

Bora dhe reshjet e dendura të shiut, që përfshinë gati gjithë territorin e vendit tonë, javën e kaluar kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Kështu, në fshatin Trebinjë të Pogradecit, si pasojë e tejngopjes nga reshjet e shiut dhe dëborës është shembur një banesë dhe 6 të tjera rrezikojnë të shemben. Kryetari i kësaj komune, Gjergji Buzo, ka bërë të ditur se që në momentet e para kur u konstatua rreziku, është kryer edhe evakuimi i banorëve nga kjo zonë. Prej të paktën dy javësh, banorët janë zhvendosur te të afërmit e tyre, për shkak të pasigurisë. Muret janë çarë dhe rrëzimi i pjesshëm e bën të pamundur jetesën në to. Mësohet se specialistë të shërbimit gjeologjik kanë shkuar në fshat për të parë nga afër situatën dhe kanë konstatuar çarje të shumta të tokës në një zonë kodrinore ku janë bërë edhe matje dhe fotografimi i terrenit në rrëshqitje. Sipas tyre, dëbora e fundit dhe më pas reshjet e shiut kanë shkaktuar një tejngopje të tokës me ujë, gjë që është edhe shkaku kryesor i rrëshqitjes. "Shkaku ka qenë tejngopja nga reshjet e shiut dhe dëborës dhe formacioni i shkrifët i tokës. Tani është i domosdoshëm të kryhet studimi gjeologjik, nga i cili do të përcaktohen jo vetëm shkaqet me detaje, por edhe rekomandimet për ndërhyrjet që duhet të kryhen në këtë pjesë, por edhe në zona të tjera të ngjashme në këto fshatra", thotë specialistja Kozeta Nasto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›