E Shtunë, 31 Tetor 2026

arazimi në Portugali, FSHF dyfishon premiot

 

Futbollistët e kombëtares shqiptare do të shpërblehen me 50 mijë euro për barazimin e marrë në Portugali më 15 tetor. Ka qenë ky vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e ditës së mërkurë. Duke parë performancën e kuqezinjve në fushë, por edhe jehonën që bëri paraqitja e tyre në Bragë, premio është rritur me një mijë euro për kokë në krahasim me atë normalen e miratuar nga Komiteti pak kohë më parë. Gjë që do të thotë se futbollistët do të marrin rreth 2 mijë euro secili, natyrisht duke përfshirë edhe taksat. Kombëtarja barazoi 0-0 ndaj Portugalisë së yjeve në takimin e luajtur në Bragë një javë më parë. Ndonëse objektivi kryesor ishte ai i marrjes së një rezultati pozitiv në Hungari, kuqezinjtë u mposhtën 2-0 në Budapest, teksa arritën të bënin mrekullinë ndaj skuadrës së Keiroz. Euforia e krijuar pas një takimi të tillë dhe zemra e vendosur në fushë nga futbollistët në atë ndeshje, kanë ndikuar jo pak në dyfishimin e premiove, ndonëse për hir të së vërtetës ato rrallë kanë munguar. Një tjetër vendim lidhet me dy takimet e radhës, ato me Maltën dhe Hungarinë, që praktikisht vlejnë sa një sezon i tërë. Në rast fitoreje në të dyja ndeshjet, gjë që do të thotë 11 pikë në grupin 1 të Botërorit 2010, atëherë çdo futbollist i kombëtares do të marrë 15 mijë euro. Ndërkohë, Komiteti Ekzekutiv ka vendosur gjithashtu zhvillimin e Asamblesë Vjetore më 12 nëntor. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e kërkoi me ngulm mbledhjen e saj në muajin mars, atëherë kur marëdhëniet mes Federatës dhe këtij institucioni arritën kulmin. Atëherë një gjë e tillë u hodh forcërisht poshtë, madje duke u argumentuar se ishte një ndërhyrje e pastër e shtetit në punët e brendshme të futbollit.

(d.b/Balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›