E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, njerëzit këtu poshtë



Faruk MYRTAJ

Shtëpitë ishin përballë njera-tjetrës. I ndante vetëm një përrua. Gjithçka tjetër ishte simetrike. Natyra, dy kodrina, prerë prej rrjedhjes së një përroi midis dhe, në të dy anët, të njëjtat pemë, drurë, pasuri. Pjerrësira, nga të dy anët, kullonte butë-butë në përrua. Edhe toka përqark shtëpive ishte e njëjta. Në oborrin e secilës kishte një pus me ujë të ftohtë. Gjatë verave të nxehta, uji aty mund të pihej si ilaç.
Harmonia midis njerëzve është gjithnjë më e vjetër se mosha e të gjallëve. Harmonia është punë natyre. Vazhdimi është në të vërtetë një lloj harmonie i përjetësisë së natyrës. Më duhet të ngul këmbë në atë që sapo tregova: edhe peizazhi më i thjesht i fshatit, do të duhej t’i shfaqte të dy kodrat, ndarë nga përroi i përhershëm. Peizazhisti doemos duhet të bëj që flora, fauna, ujrat, dielli, rrymat e ajrit dhe hëna e netëve, të gjitha sa ofron natyra, të jenë të njëjta, për të dy anëkodrat, ku ngrihen endè shtëpitë e tim gjyshi, Isa Malëshovës dhe të atij tjetrit, Bari Livadhit. Kurrë s’kishin këmbyer fjalë për keq. Natyra e njëjtë bën ç’mund t’i afrojë e t’i lërë në paqe njerëzit. Deri në çastin kur sekush ndërhyn që natyra e natyrës dhe natyra e njeriut të kërcënohen nga njera-tjetra. Askush nuk di të thotë saktë si nis ndarja.
Fëmijët e ndjejnë prishjen e të rriturve: u bëhet loja e vështirë. Kështu ndodhte edhe me ne. Njeri nga fëmijët isha unë. Në lojën me top prej lecke, dukej se hynin të rriturit dhe ne fillonim e grindeshim. Fëmijët e Livadhëve ma shanin gjyshin. Me fjalë që nuk ishin fëmijësh. Përballë lukunisë së Livadhëve, merrja topin dhe krisja e ikja, duke u betuar me vete se nuk do të kthehesha më kurrë të lozja me ta. “Mirë ia bëtë Malëshovës!”, u thoshte Bari Livadhi, nga brenda gardhit të tij. “Lëri, të flasin! Ti mos e prish! Prapë, me ty do lozin ata!”, më thoshte im gjysh. “Me fëmijtë do lozësh, jo me mua! As me Bari Livadhin!” ǒtë bëja me këtë gjysh?! Më vështirë e kisha me të, sesa me fëmijët e Livadhëve: pas dy apo tre ditësh më ikte inati, zbrisja i pari në fushën buzë përroit, përplasja topin dhe pas dhjetë minutash niste loja. Me Livadhët e Bariut!
Virusi i gjyshit mbase që atëherë më është injektuar: “Bota bën të sajën, njeriu bën të tijën! Ato gjëra që janë në dorë të robit, robi duhet t’i bëjë. Të tjerat janë në dorë të tjetërkujt! Me to s’kemi pse ngatërrohemi ne, këtu poshtë! Të mirat që na vijnë, s’mund të na i heqë dot njeri, por edhe të këqiat që na vijnë, hak i kemi!” Im gjysh kishte bërë shkollë andej nga lind dielli. Diku, ku thuhej se një gur rrinte varur në qiell. I kthyer, pas shumë vjetësh, gjyshi kishte nisur të shëronte njerëz. Mbaj mend mirë. Kam parë me sytë e mi një grua që ngjitej si mace në trarët e shtëpisë saj. Një tjetër kthente përmbys tenxheret e kusitë. Gjyshi shkoi, e zbriti nga trarët, kurse ajo tjetra i ktheu tenxheret e kusitë në rendin e vet. Një ish-ushtarak të lartë e nxorën nga çmendina me firmë: njerëzit e tij e mbajtën gjyshin, një muaj në konakët e tyre, derisa ushtaraku u ndërmend. Erdhi vetë, pastaj, deri në fshatin e gjyshit. Vite më vonë, bashkë me vëllezërit e tij, ushtaraku erdhi në varrimin e gjyshit. “Ka vdekur im atë!”, tha njeriu i shëruar. Ishte rikthyer në karrierë.
Gjyshi ishte çudia jonë e përhershme. Vetëm për pak çaste na përkëdhelte. Ca sekonda të shkurtra! Rrallë na puthte, por edhe puthjen e kishte të çuditshme! Ia ndjenim buzët në faqe, por asgjë më: një prekje, një fshikje dhe aq. Motrave tona, mbesave të tij, u zgjaste vetëm dorën. Ato hiqeshin mënjanë: Hajde, bëni tutje, merruni me punët tuaja! Na shtynte me duart e tij si të zbardhta, me vështrimin si të tretur, kushedi ku, por kurrë nuk i zemëroheshim për këtë ashpërsi: a i mërziten nënës së tyre zogjtë e vegjël, kur klloçka i largon për pak çaste nga vetja?!

* * *
Arrinim te gjyshi plotë dëshirë, edhe pse dinim gjithçka që do të ndodhte atje. Do të na fshikte faqet me buzët si të ngrira e pastaj do të na thoshte, shkoni dhe hipni në pemë, Kokrrat e pjekura i hani për vete, të papjekurat i sillni për ne këtu! Të gjitha i bënim si në një garë të vërtetë, nxitimthi, që të vinim e të uleshim përballë pamjes së heshtur të gjyshit. Tërë dëshirë të rrinim sa më gjatë, duke vështruar fytyrën e tij të bardhë, të pashprehje, të qeshurën e lehtë që i llamburiste në sy e buzë. Mezi prisnim ta dëgjonim kur i bënte nënës sonë pyetjen e përhershme: “Po ç’kemi andej nga qyteti ndonjë gjë?! Mirë e kemi Mao Ce Dunin? Po Kinën e Madhe e Popullore, mirë e kemi?!” Përgjigje nuk priste, por pyetjen e bënte gjithnjë. Pastaj, si për t’u bërë ca më i kuptueshëm, shtonte pyetjen tjetër, edhe kjo gjithnjë e njëjtë. As për të nuk priste përgjigje, por nuk haronte ta bënte: “Po këta të Mëdhenjtë e Tiranës, mirë i kemi?!” Im atë dëgjonte e qeshte. Mbytyrazi, duke vështruar herë pashere nga nëna. Vetëm pasi të bëheshin këto pyetje, ne fëmijët pranonim të zbrisnim shkallët e verandës e të niseshim përsëri për tek pemët. Por dihej se nuk do të bënim më tutje se fundi i shkallëve, pa dëgjuar edhe pyetjen e tretë. Këtë e bënte im atë. Gjithnjë po atë: “Xha Bariun mirë e kemi këtej?!” “Ja tek e kemi!”, thoshte gjyshi, duke treguar andej matanë, në kodrën tjetër. Të gjithë ne të vegjëlit kthenim kokën: Bari Livadhi atje ishte, përballë! “Sa herë vijnë njerëz këtu, Bariun e kam atje!”, thoshte gjyshi me buzën në gaz. Por s’e ka me të keq, jo! Del në sofa e bën sehir. Ka hall i gjori mos kam ndonjë hall unë. Rri në gatishmëri ai!” Bariu ishte atje. I bënte sytë filxhan për të parë ç’bëhej përballë. Sikur rrezikohej të vdiste, pa marrë vesh cilët ishin njerëzit që vinin te gjyshi. Dhe thua e mbante gjallë kurioziteti, për të marrë vesh përse kishin ardhur ata njerëz! Dihej se, sapo të ardhurit hynin në shtëpinë e gjyshit, Bariu nisej për diku tjetër. Edhe gjyshi e dinte këtë. Po nuk mërzitej. “Lereni në punën e tij”, thoshte, “janë të gjithë në këtë botë: edhe ëngjelli, edhe shejtani. Secili bën punën e vet. Me ne njerëzit i bëjnë punët, me kë t’i bëjnë! Mos u bëni merak ju... Kinën e Madhe dhe ata në Tiranë t’i kemi mirë, pa me Bariun e rregulloj vetë unë!”
Edhe kur te gjyshi shkonim ne, që Bari Livadhi na njihte, ritualin e kryente: dilte në verandë, ulej në bisht e vështronte këndej. Kur kishte diell të fortë, vinte edhe dorën mbi sy si strehë. Orë të tëra mund të rrinte ashtu, kur dyshonte se kishin ardhur njerëz të panjohur për të: kërkonte të merrte vesh nga mënyra se si të ardhurit takoheshin me gjyshin, ç’ishin këta njerëz, nga vinin, përse, a kishte lidhje ardhja e tyre me vesin e pandreqshëm të Isa Malëshovës për të marrë e dhënë me hijet? Gjyshi i ftonte të ardhurit të uleshin, ulej edhe vetë, gjithnjë i urtë e buzagaz, por sytë i shkonin te Bari Livadhi. E dinim vigjilencën e fqinjit përballë, dhe si fëmijë trishtoheshim. Gjyshi nuk ndjehej mirë ato çaste. Zinte e pëshpëriste nëpër buzë ca fjalë që, edhe ne të vegjëlit, i kishim mësuar përmendsh: Hiqe tutje, shejtan, hiqe! Shiko punën tënde, o njeri, ç’ke me jetët e të tjerëve?!
Mbaronte qerasja, gjyshi i pyeste për Kinën e Madhe Popullore, për të Mëdhenjtë e Tiranës, dhe i ftonte të ardhurit të hynin në dhomën e ndenjies. “Më mirë brenda. Në shtëpi rri melaqeja, jashtë rri e vështron shejtani. Shejtani i përroit! Ne kemi punën tonë, ai të tijën!” Ne fëmijët mbeteshim jashtë, por e dinim ç’ndodhte: gjyshi me të ardhurit hynin, Bari Livadhi nisej. Për diku. Gjyshi e dinte për ku, por nuk na e thoshte.
Gjyshi im shëronte njerëz. Ofroj dëshminë time. E kam parë me sytë e mi. Shëronte me libër im gjysh. Kërkonte faqen e të sëmurit e lexonte. Në libër shënohen të gjitha, thoshte. Pa libra njeriu nuk është njeri. Prandaj njeriu shkruan libra, prandaj edhe lexon ato që kanë shkruar të tjerët. Ai që lexon libra, shton edhe diçka nga vetja. “A ka ndonjë gjë atje lart?!”, e pyesja, duke treguar qiellin. I flisja me zë të butë, duke e përkëdhelur, që gjyshi të mos prekej nga pyetja ime. E dija se kurrë nuk bërtiste, kurrë nuk këshillonte grindjen. Porosiste të mirën. Edhe po s’e bëre të mirën, mos bëj të keqen, thoshte ai. Nëse s’arrin të bësh të mirën, të keqen e ke në dorë të mos e bësh. Njeriu përgjigjet për të keqen, jo për të mirën. Të mirën e bën për veten, edhe kur duket se e bën për të tjerët. Të keqen e bën për të tjerët, tjetër se i del edhe për veten. Gjyqi vetëm për të keqen na bëhet, gjyqi i fundit. Të mirën e bëjmë nga që Ai, që është e nuk duket, na ka bërë njerëz.
“Po Bari Livadhi?!”
“Ah, lere ta hajë livadhin e tij edhe ai! Nuk e bën dot të mirën, i gjori, atij i ka rënë në pjesë të bëj të keqen...Nuk ia vlen të bësh gjyq për Bariun! Po ata në Tiranë, Mao Ce Dunin, mirë i kemi, thatë ju, ë?! Ata t’i kemi mirë ne, pa me Bariun e rregulloj vetë! Këtu e kam atë edhe ditën, edhe natën!”
“A ka gjë...atje lart?”, e pyesja prapë unë. Kurrë s’më përgjigjej për këtë pyetje. Por as nuk më zemërohej. I shtohej edhe një dritë më shumë në sy dhe e kalonte fjalën në tjetër vend. Por pa përgjigje nuk të linte ai. Përgjigjen e merrje më vonë. Në një bisedë tjetër. Një ditë tjetër. Njeriu përgjigjet përditë, çdo çast. Përgjigjet përpara vetes, thoshte ai. Po të bëj kështu, përgjigjet edhe përpara të tjerëve. Ai, atje lart është, nëse besojmë që është. Ne këtu poshtë, jemi për të, nëse ai na ndjen që jemi të tijtë. Kur bëhemi të tillë, kur të besojmë në të, atëherë bëjmë mirë, shërojmë njeri-tjetrin. Nuk shërojnë as ilaçet, as nuskat, as recetat e mjekëve, as perisi që kërkoj unë! Kur s’kemi besim, jemi të sëmurë, të gjithë. E ke ndërmend të keqen? Vjen e të gjen ajo! Po ku di Bariu nga këto punë?!

* * *
Kur ndodhte të hapej dera, unë gjeja rast e hyja brenda. Gjyshi më shihte por nuk bëzante. Nuk përzinte kënd. Fëmijët jo e jo. I ulte të ardhurit përballë, ulej vetë në shilte e hapte librin e madh. U kërkonte emrat në libër. Më dukej se kërkonte edhe emrin e sëmundjes. Kur ua gjente, u premtonte shërim. Gjithnjë fliste me zë të ulët, thua se bisedonte me dikë që ishte aty por s’dukej. Sikur donte të dëgjonte veten, për të verifikuar ç’u thoshte të tjerëve. Mbase përpiqej diçka të mbetej sekret edhe për ta. Më dukej se gjyshi s’e ngrinte zërin që të mos arrinte deri te veshi i Bariut, në anën tjetër të përroit. Ndonjëherë më bëhej se kishte frikë mos Bariu merrte vesh sekretet e të ardhurve, që i rrëfenin te gjyshi nga që besonin. Besonin te libri i madh që u lexonte. Tek Ai që është e s’duket, që është dhe ne e besojmë të Madh e të paTjetër.
Njerëzit dilnin për të ikur. Gjyshi i përcillte tëposhtë, deri tek ura e vogël mbi përrua. Sikur bënte kujdes t’i ruante prej shejtanit. Atje ndahej me të ardhurit për herë të parë, si me të njohur të vjetër. Vetëm sa qafohej. I shoqëronte me sy. Priste sa hidheshin matanë dhe vetë merrte udhën për t’u ngjitur kodrës këtej. Hidhte një hap e priste. Pastaj hapin tjetër e priste prapë. Bari Livadhi sigurisht që do t’i fliste. S’mund të ndodhte ndryshe. Kollaj të prishej rregulli i kësaj bote?!
Më në fund arrinte zëri nga ana tjetër e përroit: “Mirë je, o Isa Malëshova?!” “Mirë është njeriu, po të jenë mirë edhe të tjerët. Kur u ktheve që andej?!” “Këtu kam qenë unë, ku të shkoj tjetër? Erdhën miq tek ty, ë?! E po, mirë thashë me vete, çoç do therë Isa Malëshova, do teprojë ndonjë kockë edhe për ne fukarenjtë! Po ty miqtë si të vijnë, ashtu dhe të ikin!”
“Dera ime është hapur për ata që më duan dhe për ata që s’më duan!” “Mos e thuaj atë fjalë, or’vëlla! E gjen mortja atë që pret të keqen tënde! T’i vetëm mirë ke bërë... I vdekshin kalamajtë atij që...!” “Leri fëmijët ti, po hajde lart e ha ndonjë gjë, se të është tharë zorra!”
Bari Livadhi i vihej menjëherë pas. Vetëm një gjysëm hapi pas tij. Dhe pa pushuar së foluri. Gjyshi e dëgjonte e qeshte me vete. Zjarri digjet edhe kur fusim dru të njoma, kështu thoshte me vete.
“Hardhi kam edhe unë, por ato të miat janë tharë fare, Isa Efendi! Ujë u hedh, tokën njëlloj e kemi, një përrua na ndanë, por as dardhat, as mollët, as pjeshkët e mia, as rrushi im nuk janë si të tuat! ǒështë kështu me mua?! Shih si vetëtijnë kokrrat e pemëve këtej, ë?! Po kjo e zezë ime kështu?!”
“Në përrua është parë i paudhi, Bari. Mos bën fole nga ana jote?!”
“ǒpunë kam unë me shejtanin, ë? Po ti s’e hape që s’e hape njëherë atë librin për mua! Ta di edhe unë ç’është nxirë e ç’është shkruar në fletën e jetës sime...”
“Po ta dij ç’është, njeriu vret veten!”, i thoshte gjyshi zëulët.
“Gjithnjë më bje më qafë mua ti! Jam pa shkollë dhe s’t’i marrë vesh ç’thua!”
Arrijnë atje lart e gjyshi thërret gjyshen. E ngrè zërin, sikur të ketë ardhur ndonjë mik i madh. E ëmbëlson zërin, sikur beson se po i jep ndonjë lajm të mirë: “Dil moj, ku je?! Të ka ardhur Bari beu! Ku je moj, t’u thafshin këmbët, dil se ka ardhur miku të na nderojë shtëpinë!” Nga brenda dëgjohet e qeshura, pastaj zëri i gjyshes dhe ja tek shfaqet. Del te shkallët me duart të zëna. Një pjatë me mish e pilaf, tjetrën me ëmbëlsirë. “Nga e dije ti që s’ka ardhur për mik Bari Beu, por për të ngrënë?! Mirë bëre, po sillja këtu poshtë, te mezhda! Këtu jemi më mirë ne. Edhe bëjmë muhabet, edhe shohim ç’bën bota! Kush kalon në rrugë, e ka ngarkuar mirë kafshën apo jo, me çfarë e ka ngarkuar... Njerëz të gjallë jemi, edhe Bari Livadhi njeri është. Robi prandaj i ka sytë. Edhe veshët prandaj i ka Bari Livadhi!”
Bariu nuk bën gëk. As kundërshton, as pohon. Rri aty, në këmbët e gjyshit, si fëmijë. E kam parë kur i binte në gjunjë e kërkonte t’i puthte këpucët. Gjyshi e shtynte tutje. Këpucët gjyshi i pastronte vetë. Me dorën e tij. “Nuk dua të m’i pastrosh këpucët, jo! Ti vetëm mos m’i bëj pis!” “Unë të bëj këpucët pis ty? Edhe këtë ma thua?!” “Se ku shkon ti andej, nëpër zyra, ata më thërrasin e unë duhet të shkoj, apo jo?! Se qeveria është edhe imja, apo jo?! Shkoj e më bëhen këpucët pis. Rruga e perëndisë e ka baltën, jo se e hedh ti kur kaloj unë, apo jo?!” “Jo or’ jo, s’e ke nga unë... Shteti le t’i rregullojë vetë punët e tij.” “Shteti mbase ka qejf t’i bëj të gjitha vetë. Edhe shërimin e njerëzve. Por jo të gjitha janë punë shteti. Janë ca gjëra që shteti as mund, as ka pse i merr përsipër. Tjetër kush është i ngarkuar t’i bëjë këto punë...” “Nuk heq dorë nga Ai atje lart ti, Isa Aga!” “Edhe ti s’heq dorë nga zyrat, Bari Efendi?!” “Të kanë gënjyer! Që kur më dhè për të ngrënë radhën e fundit, s’kam shkuar më. Të betohem për fëmijët...!” “Mos i ngatërro fëmijët në punët e tua, qafir! ǒpunë kanë fëmijët me ty e me mua! As për kokën tënde mos u beto: ul kokën aty dhe hà. Hà që të kesh fuqi e të vesh prapë në Zyrat e Shtetit! Atë bëj!”
“Jo, Isa Efendi, jo! Nuk kam shkuar më atje, për kokën time të them...”
“Hà ti, hà! Dhe shko prapë atje, se Shteti nuk rron dot pa ty. Ah, qyq, or’ qyqi ti! Shteti të dëgjon ty, por më dëgjon edhe mua. Po ti shko prapë, shko! Por një herë, ha, mos u fryfsh! Ha, të kesh fuqi për të shkuar, por edhe të kthehesh që andej!”
“Të betohem! Për kokën time e të fëmijëve, s’kam për të shkuar më...Sot e tutje, m’u thafshin këmbët, po dëgjove që kam shkuar atje!”
“Kush po të thotë ty të mos shkosh atje?! Unë të them hà njëherë, pastaj shko! Kurrë mos t’u thafshin këmbët, se s’kam ngê, as fuqi, të të ngre në krahë e të të çoj vetë deri te Shteti. Se për të shkuar, prapë do të shkosh ti. S’të rrihet ty! Ku je ti, moj e zonja e shtëpisë! I mbaroi thelat ky, mos ka mbetur ndonjë kockë aty? Po pati mbetur, hidhja ta hajë, se ka edhe punë të tjera i biri i botës, nuk do rri me ne ky!”
Gjyshja del e shton diçka në pjatat e Bari Livadhit. Ai vazhdon të hajë, sikur s’ka ngrënë kurrë. Ha, sikur ha në shtëpinë e vetë. Sikur pjesa këtej përroit të jetë gjysma e një të tëre, siç ka qenë dikur, pjesë e natyrës, përpara se përroi të gërryente midis. Ha, deri në nginjie. “Boll më...”, thotë dikur, duke mezimarrë frymë. “Ha, t’u bëftë gjak e dhjamë!”, i thotë gjyshi. “Ku vajte moj...?!”, i bën zë gjyshes. “I mbaroi pjatat ky i mallkuari. Sillja këtu tenxheren. Këputja kokën ndonjë pule e sillja këtij të fryhet, të marrë fuqi për të vajtur deri te Shteti. Mblidh edhe ca fiq, ca arra, nja dy ftonj, ca kumbulla, mbushi edhe një shportë me rrush, sillja t’i marrë me vete, merhumi. I janë tharë të tijat, shpirtkalburit! Mirë veten, po merr më qafë edhe fëmijtë e vet.”
Ne fëmijët e përcillnim Bari Livadhin deri poshtë te rruga, njëlloj sikur bënim me ariun kur e sillnin arixhinjtë. I shkurtër, dëndur e rrumbullakosur edhe më nga të ngrënët, tundej e shkundej gjatë ecjes, sikur të ishte i dehur dhe i çalë. Bari Livadhi zbriste në përrua dhe, pikërisht atëherë, gjyshi kujtohej dhe e pyeste si e kishim Kinën e Madhe Popullore dhe ata, ata të Mëdhenjtë e Tiranës.
“Nuk heq dorë nga ata lart ti, Isa Aga, jo!”
“As ti e as unë, na marrtë e mira, na marrtë!”, ia kthente gjyshi.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›