E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edhe me këtë qeveri në zgjedhje”

Pas kërkesës së demokratëve të rinj për t’u shkrirë me Partinë Demokratike, zyrtarët e lartë të kësaj të fundit janë pro një ideje të tillë. 

Aristir Lumezi

Majlinda Bregu, zëdhënëse e qeverisë dhe ministre e Integrimit shprehet se zhvillime të tilla janë pozitive, kurdo që ato ndodhin. “Çdo lloj force politike dhe sikurse çdo lloj organizate dhe grupime njerëzish, që nuk ngelet në një gjendje, le të themi të palëvizshme, pra nuk është një gur i palëvizshëm por është gjithmonë në lëvizje, ka më shumë premisa dhe shanse për të sjellë zhvillime pozitive sesa një ujë, i cili është i pa lëvizur”, theksoi dje ministrja e Integrimit. Zëdhënësja e qeverisë, e cila mban dhe postin e ministres së Integrimit deklaron se, ky kabinet i riformatuar në fund të korrikut mund të çojë maxhorancën denjësisht në zgjedhje. “Përbërja e qeverisë nuk është shqetësimi im i përditshëm, ajo që më intereson mua është që qeveria e formatuar në këtë format të sotëm, e formatuar me ndryshime ose jo, pak rëndësi ka për mua kjo gjë, por të jetë në gjendje që të prodhojë me efikasitet dhe të plotësojë reformat kryesore që duhen në këtë proces. Besoj se deri më tani ia ka arritur”.
Gjana
Në të njëjtën kohë edhe ministri i Bujqësisë dhe njëri prej zyrtarëve të lartë në PD, Jemin Gjana është shprehur pro shkrirjes së PDR-së me PD-në, duke thënë se kryetari i demokratëve të rinj, Genc Pollo nuk ka pasur ndonjë motiv, që u largua nga demokratët rreth 9 vjet më parë. Gjana e sheh si një veprim normal rikthimin e Genc Pollos në PD, shoqëruar me shkrirjen e PDR. “Ajo çfarë mund të them me siguri, (si një njeri që nuk është larguar kurrë nga strukturat e PD-së), konsideroj se edhe largimet nuk kanë qenë largime të motivuara. Bashkimet janë më të motivuara se largimet. Nuk kam gjetur kurrë arsye të largimit”, u shpreh Gjana.

Berisha: I hapur për bashkëpunimin me aleatët
Kryeministri Berisha është shprehur i hapur për çdolloj bashkëpunimi me aleatët e tij. “Unë gjithnjë përpiqem të gjej një gjuhë mirëkuptimi me aleatët. Mbetem i hapur të diskutoj bashkim, federatë apo konfederatë qoftë. Përderisa qeveris me ta, do të gjejmë çdo formë bashkëpunimi, si të jetë e përshtatshme për ta”, u shpreh pak ditë më parë kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›