E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Çmimet e larta, shqiptarët blejnë më pak

 

Partia Socialiste vijoi dje akuzat e saj ndaj sukseseve të shpallura nga kryeministri në analizën e 7-mujorit të këtij viti. Nënsekretari i programit në selinë rozë, Ilir Beqja, tha se fuqia blerëse e shqiptarëve me këtë qeveri vjen gjithnjë duke u ulur. 
“Familjet shqiptare vijojnë të përballen me rënien e fuqisë blerëse. Edhe rritja më e fundit e pensioneve apo e pagave nuk ka arritur të përmirësojë gjendjen e buxheteve familjare”, u shpreh Beqja. Këtë deklaratë Beqja e bëri gjatë një konference për shtyp, duke ironizuar deklaratat e bëra nga burime zyrtare që shprehen se çmimet janë më të lira se një vit më parë. “Kundrejt kësaj situate dramatike, burimet zyrtare vijojnë të deklarojnë që ushqimet kushtojnë më lirë, meqë shalqiri e pjepri kushton më lirë se në dhjetor 2007”, tha Beqja. Sipas tij, rritjet e pagave dhe pensioneve nuk ndryshuan asgjë në jetën e shqiptarëve përpara rritjes së shfrenuar të çmimeve. “Për mbi 200 mijë familje të pensionistëve që jetojnë të vetëm, në qytet rritja më e fundit nuk ofron më shumë se 1700 lekë në muaj, apo 55 lekë në ditë. Kjo shumë të hollash nuk mjafton për të përballuar; shtrenjtimin mujor, me të paktën 600 lekë të faturës së energjisë elektrike të një çifti pensionistësh, shtrenjtimin mujor, me të paktën 550 lekë, të 600 gramëve në ditë bukë që ka nevojë për të jetuar një çift pensionistësh, shtrenjtimin mujor me të paktën 400 lekë, të konsumit të vajit dhe yndyrnave që ka nevojë për të jetuar një çift pensionistësh”, argumentoi nënsekretari socialist. Sipas tij, “janë shtrenjtuar krahasuar me një vit më parë edhe të tjerë zëra të nevoja mujore për të jetuar, por vetëm çfarë renditëm më lart mjaftojnë për t’u dëshmuar shqiptarëve që pensionistët jetojnë këtë vit më keq se ç’jetonin vjet”. Beqja u shpreh se situata është më e rëndë për të punësuarit, të cilëve një pjesë e mirë e rritjes së pagës në korrik 2008, u shkon për të përballuar pakësimin që iu bë pagës reale nga zbatimi i taksës së sheshtë në gusht 2007. Selia rozë ka reaguar ditët e fundit duke hedhur poshtë deklaratat e pak ditëve më parë të Kryeministrit Berisha për një bum ekonomik në vend dhe rritje të lartë të PPB, duke e renditur vendin ndër të parët në rajon për rritjen ekonomike. 

Bello: RTSH, vegël “qorre” e dyshes Berisha-Topalli
Deputeti socialist, Marko Bello, anëtar i Komisionit parlamentar të Medias, akuzoi drejtuesit e Televizionit Publik Shqiptar se janë vënë në shërbim të qeverisë. “Që prej ardhjes së PD-së në pushtet, Kryeministri Sali Berisha nxitoi të uzurponte me çdo çmim Radio Televizionin Publik Shqiptar, me synimin e qartë për ta kthyer atë në një vegël ‘qorre’ në duart e tij, për të propaganduar të ashtuquajturat arritje spektakolare të qeverisë së tij të dështuar, por edhe për të mbuluar zullumet e korrupsionit që sa vijnë e trashen”, tha Bello. Sipas tij,  “RTSH-ja është bërë sot një fushë beteje e luftës së brendshme në PD, ku për shkak të rivalitetit Berisha-Topi-Topalli, dy drejtorë informacioni janë detyruar të japin dorëheqjen, ndërsa i treti, një militant i thekur i PD-së, po demonstron hapur zellin partiak, duke e kthyer RTSH-në përfundimisht në një megafon të dyshes Berisha-Topalli, të cilët po u marrin frymën institucioneve të pavarura dhe po shkatërrojnë të ardhmen demokratike, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve”. Deputeti socialist i bën thirrje drejtuesve të RTSH-së të ndalojnë urgjentisht këtë propagandë të shëmtuar, të respektojnë ligjin dhe të largojnë menjëherë nga ky institucion që mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë të gjithë militantët e PD-së, të cilën shqiptarët do ta nxjerrin në opozitë, në mënyrë ekzemplare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›