E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekët do shlyejnë borxhet e OSSH-së

Çmimi i ofruar për blerjen e OSSH-së nga çekët në një vlerë prej 102 milionë eurosh është vlerësuar si shumë i mirë nga përfaqësuesit e IFC-së, të cilët kanë rreth dy vjet që ndjekin procedurat për privatizimin e këtij sistemi. Përfaqësuesi i IFC-së, Angelo Dell’Atti, e ka vlerësuar si optimal, duke marrë parasysh kushtet që ka pranuar kompania çeke. Kompania çeke, CEZ, që është kualifikuar e vetme në tenderin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes ka pranuar kushtin e qeverisë shqiptare për të shlyer borxhet afatgjata të saj. Bëhet fjalë për një shumë prej 15.6 miliardë lekësh, që është marrë borxh nga qeveria në formën e kredive, kryesisht për investime në rrjetin shpërndarës të energjisë. “Qeveria i ka kërkuar investitorit që të paguajë borxhet afatgjata të OSSH-së. Ky borxh i është alokuar OSSH-së nga huatë afatgjate, që qeveria shqiptare ka marrë për asetet e sektorit të shpërndarjes së energjisë”, - tha përfaqësuesi i IFC-së, Angelo Dell’Atti. Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se kompania CEZ ka pranuar edhe kushtin tjetër të qeverisë, atë të reduktimit të humbjeve në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të vitit 2014.

Pas dorëzimit në qeveri të raportit të plotë të këtij privatizimi nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të bëjë shpalljen e fituesit të tenderit. Kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për Privatizimin e OSSH sh.a., Neritan Alibali, si dhe përfaqësuesi i kompanisë IFC, Angelo Dell’Atti, kanë dalë dje në një konferencë të përbashkët për shtyp për të bërë publike ecurinë e deritanishme të procesit të tenderit dhe vlerësimit të ofertave. Zv.ministri Alibali ka falënderuar median për rolin e saj në bërjen sa më transparent të këtij procesi dhe e ka quajtur të suksesshëm tenderin e shitjes së 76 % të aksioneve të OSSH sh.a. Analizën teknike dhe financiare e ka bërë përfaqësuesi i IFC-së, Angelo Dell’Atti, i cili sqaroi se “International Finance Corporation” (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, e cila është e specializuar për të mbështetur sektorin privat, si dhe për të ndihmuar dhe këshilluar qeveritë në procesin e privatizimit në sektorët kyç të infrastrukturës, ka këshilluar qeverinë shqiptare në procesin e privatizimit të OSSH-së. IFC ka marrë pjesë në 170 projekte privatizimi në 60 vende të botës dhe bazuar në eksperiencën e gjerë dhe si pjesë e Bankës Botërore ne jemi të bindur që procesi i privatizimit të OSSH-së deri tani është zhvilluar në mënyrë transparente dhe të drejtë, i kryer sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe me pjesëmarrjen e 4 ofertuesve seriozë të parakualifikuar. IFC-ja i ka konsideruar rezultatet e procesit të tenderit të ditës së hënë jo vetëm të suksesshme, por dhe një fillim shumë i mirë i një privatizimi me rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë. Z. Angelo Dell’Atti ka sqaruar se procesi nuk ka mbaruar ende, duke qenë se negocimet përfundimtare midis kompanisë dhe qeverisë do të fillojnë pasi CEZ-i të shpallet zyrtarisht si ofertuesi fitues. “Jemi shumë të lumtur, - tha ai, - të ndajmë sot me ju mendimin tonë për rezultatet e arritura deri tani. Në fillim do të donim të theksonim që privatizimi në fjalë përfshin vetëm asetet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që do të thotë rrjeti i shpërndarjes, nënstacionet etj. Ndërkohë asetet dhe aktiviteti i prodhimit dhe transmetimit të energjisë mbeten në duart e shtetit dhe popullit shqiptar. “Çmimi i blerjes i ofruar nga CEZ i kalon së tepërmi parashikimet tona, 102 milionë euro për 76% të aksioneve, korrespondojnë me 134.2 milionë euro për 100% të aksioneve të OSSH-së. Kjo është e barabartë me 16.5 miliardë lekë. Oferta është përgatitur në bazë të Bilancit të Audituar të OSSH-së (sipas IFRS për 31.12.2007. Vlera e kapitalit (equity) sipas bilancit IFRS, është 8.05 miliardë lekë (65.44 milionë euro), kështu që çmimi i ofruar është sa dyfishi i vlerës së kapitalit”, - ka deklaruar Dell’Atti. Investimet minimale që priten të gjenerohen nga ky transaksion vlerësohen të jenë rreth 200 milionë euro gjatë 5 viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetet e humbjes në shpërndarje, të cilat CEZ-i në ofertën teknike të tyre pranoi të arrijë. Për pasojë, nëse marrim parasysh (I) investimet (II) çmimin e paguar për aksionet, dhe (III) borxhin e caktuar OSSH-së, CEZ do të kontribuojë një shumë prej 52.7 miliardë lekësh (425 milionë euro).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›