E Shtunë, 31 Tetor 2026

Resul Bedo, ditar për luftën e Gjin Markut

Divizioni VI zhvillon beteja të përgjakshme duke e ndjekur bishën naziste deri në Bosnjën Jugore, gjithmonë në komandën e Gjin Markut

Nga bisedat që kam pasur me veteranin dhe publicistin Resul Bedo rreth luftës së Divizionit VI Sulmues në viset e Jugosllavisë, kur i drejtova pyetjen se ku e bazonte historinë, ai, ndër të tjera, më tha: “… Gjin Marku, përveçse ishte trim, ishte dhe shumë i zgjuar. Gjatë luftës për çlirimin e krahinave të Veriut (Mirditë, Lezhë e Shkodër), u bëri thirrje dhe afroi rreth vetes dhe mobilizoi pranë Brigadës VII Sulmuese ish-ushtarakë të kohës së Zogut, oficerë, kapterë etj. Ky grup ushtarakësh nuk pati rol kryesor në drejtimin e veprimeve luftarake, por duke shfrytëzuar përvojën e tyre, komandanti i caktoi në funksione dytësore e sidomos duke i mbajtur afër u këshillua shpeshherë prej tyre. Ajo që ishte e veçantë dhe do të kishte rëndësi për të ardhmen lidhej me faktin se këta, për shkak të edukatës administrative që kishin mbajtën ditarin e të gjithë betejave luftarake që zhvilloi Divizioni nën komandën e Gjin Markut. Ky dokument ka titullin “Ditari Luftarak i Divizionit” dhe është me shënime ditore deri me 9 maj, ditë kur u dha lajmi se fashizmi humbi dhe popujt fituan mbi të. Në këtë ditë, shumë dokumente, përfshi këtu dhe Ditarin Luftarak të Divizionit, u hodhën, pasi çdo gjë kishte marrë fund dhe s’kishte nevojë për to. Në këtë moment përfundon dëshminë xha Resuli: “Unë e mora ditarin dhe këtë e kam edhe sot në shtëpinë time”. Ky ditar ka vlera të pazëvendësueshme arkivore, pasi në të provohet në mënyrën më të saktë dhe më objektive historia e veprimeve luftarake të Divizionit VI Sulmues të komanduara nga komandanti Gjin Marku, që është pa dyshim një komandant legjendar, jo vetëm i Luftës tonë Nacional-Çlirimtare, por dhe i luftës për çlirimin e Malit të Zi, Bosnjës Jugore, Kosovës etj.

Disa nga betejat në Mal të Zi

Duke u bazuar te ky dokument me vlerë të jashtëzakonshme, është e lehtë të konkludohet se betejat e zhvilluara me gjermanët për çlirimin e Tuzit, Podgoricës, Sanxhakut e Vishegradit, si dhe të Mitrovicës, Vuçiternit etj., kanë qenë betejat më të përgjakshme, por dhe triumfale të forcave partizane të Divizionit VI Sulmues. Po pse luftuam në viset e Jugosllavisë?
Që kur Divizioni ynë kapërceu kufirin dhe filloi luftimet e ditëve të para në Mal të Zi (fillimi i dhjetorit 1944) u bë pyetja: Përse e kapërceu kufirin ushtria jonë? Këtë përgjigje e jepte në atë kohë gazeta “Jehona e Shkodrës”, ku shpjegon:
“Në këtë luftë të pashembullt në historinë e njerëzimit popujt janë vëllazëruar, kanë vuajtur dhe janë shtypur të gjithë po prej të njëjtit armik… Prandaj ne, të vendosur gjer në fund dhe besnikë të rrugës që kemi marrë, kapërcyem kufijtë shtetërorë për të ndjekur këmba-këmbës Korparmatën XXI gjermane, që është praparoja e ushtrisë hitleriane. Mburremi kur me fitoret e reja komunikatat e Shtabit tonë të Përgjithshëm dhe të aleatëve përmendin brigadat tona heroike. Me fitoret e reja po çimentojnë dhe garantojnë përjetësinë e Pavarësisë tonë Kombëtare, që jo vetëm do të ishte në rrezik, por nuk do të kishim as edhe të drejtë ta çelim gojën po të mos kishim ndjekur këtë rrugë çlirimtare që sot me kaq besnikëri dhe patriotizëm vazhdojmë ta ndjekim gjer në fund, gjer në shkatërrimin e plotë të armikut të njerëzimit, gjer në vendosjen e paqes, në tryezën e së cilës me plot të drejtë do të marrim pjesë”. Për muajin dhjetor 1944 deri në mars 1945, ka pasur shumë beteja, deri në luftime trup më trup mes partizanëve të Divizionit VI dhe forcave naziste gjermane. Ditari që përmendëm është dokument që e vërteton më së miri këtë epope të vërtetë lufte të Divizionit VI Sulmues të komanduar nga Gjin Marku. Ka shumë detaje që tregojnë ndjenjën vëllazërore mes popujve sllavë dhe partizanëve legjendarë shqiptarë të këtij Divizioni që konsideroheshin si shpëtimtarë dhe që shiheshin me një respekt e mirënjohje të thellë prej këtyre popujve. Ne nuk e kemi në objekt paraqitjen e gjithë kësaj historie të madhe të Luftës tonë, por shumë pak ngjarje e momente të tjera.
Në Hot dhe Grudë e Deçiç
“Kolonel Gjin Marku, komandant i Divizionit, me shkresën nr. 45, njofton Brigadën VI Sulmuese: “Në bazë të urdhrit telegrafik të Shtabit të Përgjithshëm urdhërohet që Brigada VI të kalojë kufirin Shqiptaro-Jugosllav, në afërsi të Kuçit dhe të arrijë sa më parë në Deçiç, afër Tuzit”. Atë ditë, … Brigada me ndeshje e përpjekje me praparojat e pushtuesve mori kontakt me malësorët e këtyre anëve. Bëhen takime të përzemërta e këmbehen fjalë… Në takimin e parë, fill pas komandantit të Brigadës e mori fjalën dhe një malësor: “I qëndruem shpatës së turkut si na e kërkush tjetër, o komandant. Me shtatë krajla e kanë ndezë luftën këto male, çdo oxhak e prag është la me lot e xhamë. Në krah na keni, në një llogore me brigadën partizane! Po a ban me ju pyet: Si do të jetë e nesërmja? Ditët pa dritë ardhmërie na kan munduar o komandant…. Ka, pohoj plot besim komandant Jaho Gjoliku dhe shpjegoi: …Është lufta jonë e shtrirë në një front të gjerë nga buza e detit Adriatik e deri në Kosovë. Është lufta e të gjithë popujve ku jemi rreshtuar në llogore të përbashkët edhe ne shqiptarët. S’ka për të ndenjur Europa përherë e përgjumur që të hedhin valle egërsirat në shpinë të popujve. E nesërmja e Europës është e njerëzve dhe jo e bishave…”. Pas disa betejave në Tuz, Deçiç dhe sidomos në Podgoricë, divizioni VI më 19 dhjetor 1944, në bashkëpunim dhe me forcat jugosllave, çliroi Podgoricën. Për këto luftime jepen disa njoftime nga disa radio të botës. Radio Moska njofton: “…Tentativat e gjermanëve për të hapur rrugën nga Sanxhaku, me qëllim që t’i vijnë në ndihmë grupit të rrethuar në Podgoricë, kanë dështuar dhe gjermanët kanë pësuar humbje të përgjakshme”. Më 19 dhjetor nyja kryesore ku ishin përqendruar forcat gjermane, Podgorica, u çlirua. Në luftimet për çlirimin e Podgoricës, nga dt. 17 dhjetor deri më 19 dhjetor, humbjet nga të dyja palët janë: Humbjet e armikut: Të vrarë 250 ushtarë e oficerë, të plagosur rreth 300. Humbjet tona: Të vrarë 30, të plagosur 50 veta.
“Pas çlirimit të Tuzit mua më zëvendësuan dhe u ktheva për Tiranë bashkë dhe me Todi Lubonjën si komisar batalioni. Në detyrën e komandantit të Brigadës XXII Sulmuese, në vendin tim u caktua Rexhep Zuna, një burrë shumë besnik. Prezantimi i komandantit të ri u bë nga Gjin Marku, që ishte komandanti i divizionit. Pas kësaj bëmë një fotografi dhe u kthyem bashkë me Todin për Shqipëri dhe Tiranë”. Ndërsa për luftën e rreptë në Kolashin (në ditën e fundit të vitit 1944) Radio Londra njoftoi: “Në Mal të Zi, Divizioni shqiptar, mbas luftimesh të ashpra, çliruan Matoshevon dhe Kolashinin, duke arritur në portat e Majkovacit”. …Në përfundim të luftimeve për çlirimin e Malit të Zi, nga Divizioni ynë ranë në luftime 116 luftëtarë, 223 u plagosën, disa nga të plagosurit vdiqën më vonë nga plagët e rënda që kishin marrë në luftime… Gjatë varrimit të disa dëshmorëve partizanë e mori fjalën një malazias nga krahina e Kuçit dhe tha: “Ju shkelët mbi çdo gjë të keqe që veçonte e ndante popujt tanë, bëtë atë që dukej se s’do të bëhej kurrë… Gjaku që lagu këtë tokë s’ka për t’u bërë kurrë ujë. Përherë do t’i kujtojmë. Përherë do të themi: Shqiptarët që erdhën në trojet tona dhe u vranë për ne dhe sa herë do t’i hedhim sytë te ky vend do të themi: Këto janë varret e shqiptarëve që erdhën në ditë rreziku dhe na ndihmuan ne malazezëve”.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›