Samarxhiç: “Nuk kam kërkuar ndarje tokësore të Kosovës”
Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka sqaruar se propozimi i tij për ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve nuk nënkupton ndarjen e tërësisë tokësore të Kosovës. Samarxhiç, gjatë vizitës së tij në Kosovë, i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në disa zona të banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë gjatë së cilës tha se qeveria e tij do të financojë të gjithë punonjësit e deritashëm serbë, të cilët janë larguar nga institucionet e vetëqeverisjes në Kosovë.
Ministri Samarxhiç nxiti reagime të shumta të institucioneve vendase e ndërkombëtare, por edhe të një pjese të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës me propozimin e tij për ndarje funksionale të serbëve dhe shqiptarëve. “Unë kam folur për ndarjen funksionale të serbëve dhe shqiptarëve që po ndodh që prej 8, 9 vjetësh. Shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë dhe kjo ka ndodhur pa miratimin e serbëve dhe serbët duhet të punojnë me institucionet e veta dhe kjo është ajo ndarja funksionale që ka të bëjë me të gjithë serbët e Kosovës. Nuk ka ndarje tokësore të Kosovës dhe për këtë nuk ka folur askush dhe nuk do të flasë”, - tha ministri serb, sipas të cilit zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 11 maj, do të organizohen edhe në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë.
Bush: “Kosova për 10-20 vjet do të qëndrojë në këmbët e veta”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, ka vlerësuar se Kosova për 10 deri në 20 vjet do të jetë shtet i aftë për të qëndruar në këmbët e veta. Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Welt”, Bush është shprehur se pjesa tjetër e botës duhet ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim dhe ka shtuar se SHBA-të këtë gjë do të bëjnë në të ardhmen. “Ka shumë rëndësi që kombet të ndihmohen për të dalë nga situatat e vështira dhe të bëhen demokratike. Për këtë shkak jam i kujdesshëm kur bëhet fjalë për afate kohore, mirëpo jam i bindur se Kosova do ta arrijë këtë gjë”, - ka thënë Bush. Presidenti amerikan ka shprehur bindjen se, “nëse njerëzve u jepet rasti për një gjë të tillë, atëherë ata ndjekin parimin universal sipas të cilit njeriu duhet të jetë i lirë. “Nëse njerëzve u ofrohet ky rast, atëherë në mënyrë të vendosur ata kuptojnë interesat e tyre në një shoqëri të lirë. Gjithsesi, kjo gjë mund të jetë e vështirë. Gjithsesi, do të jetë një proces i vështirë edhe në Kosovë. Historia ka treguar se ky hap kurrë nuk ka qenë i lehtë edhe pse është i domosdoshëm”, - është shprehur Bush. Ai ka shtuar se pavarësia e Kosovës fillimisht do të jetë e mbikëqyrur megjithatë populli i Kosovës mund t’ia arrijë qëllimit.
1 Prill 2008