E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekia: Çështja e Kosovës është e mbyllur

Pragë -Njohja e Kosovës si shtet i pavarur është hap i pakthyeshëm dhe nuk mund të ndryshojë, tha të martën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Çekisë, Zuzana Opletalova, me rastin e deklaratës së komunistëve çekë se ky pranim "ende nuk ka përfunduar". "Ne de jure e kemi pranuar Kosovën, që do të thotë se kjo juridikisht nuk mund të ndryshojë", u tha zëdhënësja Opletalova, mediave beogradase.

Komunistët e pareformuar çekë, konsiderojnë se njohja e Kosovës në Çeki ende nuk ka përfunduar, pasi, sipas tyre, Kosova do të jetë me të vërtetë e pranuar, kur presidenti Vacllav Klaus, do ta nënshkruante emërimin e ambasadorit të Çekisë në Prishtinë. Por, juristët e qeverisë çeke dhe të Ministrisë së Jashtme këtë pretendim e kundërshtojnë kategorikisht.

"Jo, kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk ka kurrfarë lidhjeje me këtë. Marrëdhëniet diplomatike dhe njohja e shteteve nuk kanë lidhshmëri njëra me tjetrën", tha zëdhënësja Opletalova. rel

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›