Çekia refuzon të ndihmojë financiarisht Greqinë

Çekia nuk dëshiron të marrë pjesë në dhënien e ndihmës financiare europiane për Greqinë, ka bërë të ditur kryeministri Petër Neças, i cituar nga agjensia e lajmeve ITAR-TAS. "Preferojmë që ndihma për Athinën të vijë nga fondi special për ndihmë të vendeve të eurozonës", tha Neças. Çekia nuk parashikon pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në ndihmën financiare për Greqinë që po përballet me falimentimin. Sipas kryeministrit, problemi i takon para së gjithash shteteve që kanë pranuar valutën unike evropiane, Euron. "Athina duhet të financohet nga fondi për ndihmë i eurozonës në të cilën ka mjete të mjaftueshme. Përfshirja e shteteve të Bashkimit Europian të cilat kanë ruajtur valutën e tyre kombëtare është e papërshtatshme", tha Neças. Ndërkaq pas fitores së kryeministrit grek Jorgos Papandreou të votëbesimit në parlament, kabineti i tij i ri ka vendosur një plan kursimi për tre vitet e ardhshme. Ai parashikon që deri në 2015 të kursejë në nivelin prej 28 miliardë eurosh. Pikat kryesore përfundimtare do të shpallen më së shumti ditën e hënë, bëri të ditur radioja shtetërore. Mediat vendore njoftojnë se vetëm në shërbimet publike do të duhet të kursehet 800 milionë euro nga shkurtimi i pagave, ndërsa nga tatimet e reja për mallra të caktuara mund të përfitohen 2.5 miliardë. Programi strikt i kursimeve duhet të miratohet të martën në parlament, kusht ky për të marrë kredi të tjera ndërkombëtare