Çeku merr mbështetjen e shumicës në Kuvend
26/10/2004 Robert Çeku ka marrë dje mbështetjen e shumicës së partive politike në Kuvend për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Veç socialistëve, propozimi i Moisiut ka marrë dhe mbështetjen e LZHK-së, PDR-së, PBL-së dhe LSI-së. Burimet thanë se një qëndrim pozitiv do të mbajnë dhe partitë e tjera qeverisëse. Megjithatë dhe dje demokratët dhe republikanët kanë deklaruar se do të jenë kundër këtij propozimi, pasi Presidenti në propozimin e tij nuk ka marrë mendimin e forcave politike të opozitës. Madje, Berisha është shrpehur se emri i Çekut ka dalë si rezultat i një marrëveshjeje mes Moisiut dhe Fatos Nanos. Një kundërshtim i tillë është vënë re dhe në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, ku janë votuar dekretet e Presidentit për emërimin e funksionarëve të lartë. Në procesin e miratimit, deputetët e PD-së si dhe republikani Mediu kanë votuar kundër. Ndërsa është vënë re se liberaldemokrati Starova ka votuar pro Çekut. Nga ana tjetër, Komisioni i Ligjeve ka votuar pro emrave për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ku u propozua Vjollca Meçe, për anëtar të KKRTSH-së, Fatos Luli dhe për Guvernator Ardian Fullani. Tashmë përballja do të jetë në seancë plenare. Nga ana e tyre, dje, socialistët vendosën në mbledhjen e Grupit parlamentar që të votojnë pro emrit të Robert Çekut. Duket se kjo do të jetë dhe prova e marrëdhënieve mes PD-së dhe Presidentit Moisiu. Ky i fundit është shprehur se vendimin e tij e ka bazuar në ligjet shqiptare.