E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Falsifikimi i historisë ka filluar

Nga Nebih Maxhuni më 13 shtator 2011 në ora 08:27

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përsëri nëpërmes një komunikate për shtyp për deklaratat e ministrit të Arsimit, Ramë Buja në lidhje me ndryshimin e historisë.

“Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, z.Ramë Buja, në frymën e sjelljes së Qeverisë së tij dhe me gjuhën e saj, ditën që reagoi LDK-ja, ka provuar se falsifikimi i teksteve të historisë tanimë ka filluar, thuhet pos tjerash në këtë reagim.

Buja i kishte quajtur të hënën akuzat e LDK-së si “akuza, trillime, shpifje”, por sipas LDK-së Buja vetë ka dëshmuar se Komisionet për ndryshimin e teksteve tanimë janë formuar.

“LDK-ja nuk ka thënë në asnjë rast se Qeveria e Kosovës ka nënshkruar ndonjë marrëveshje me Qeverinë e Turqisë për ndryshimin e teksteve shkollore të lëndës së historisë. LDK-ja ka thënë se Qeveria, tinëzisht dhe për interesa politike, po tenton ta falsifikojë historinë, gjë që provohet nga vetë deklarata e ministrit Buja. Ministri i Arsimit, duke dashur t’i demantojë të tjerët, e zbulon vetë të vërtetën”, thuhet pos të tjerash në këtë komunikatë.

LDK po ashtu ka cituar edhe një deklaratë të para dy ditëve të zëvendësit të Bujës, z.Nehat Mustafa, i cili kishte folur për këtë çështje.

“Kompromis do të ketë në disa pjesë ku autorët e historisë nuk kanë ditur të bëjnë dallime midis Turqisë dhe Perandorisë Turke, sepse edhe strategjia e BE-së kërkon që tekstet të lirohen nga gjuha e urrejtjes”.

Për LDK-në kjo është një deklaratë totalisht konfuze e që bën bashkë gjërat që nuk rrinë bashkë në asnjë rast, vetëm një gjë e provon qartazi, tendencën politike, të përshkruar me termin e kompromisit dhe synimin e çuditshëm të një zyrtari politik që do t’ua mësojë të tjerëve dallimet që nuk i di vetë.

“LDK-ja edhe një herë kërkon nga Qeveria që të heqë dorë nga ndërhyrjet politike në fushat që nuk kanë të bëjnë më politikën dhe që Qeveria t’ua lërë punët e kësaj natyre njerëzve të dijes e të shkencës, ndërsa vetë të krijojë kushte për punë. Një qeveri që porosit se si duhet të shkruhen tekstet, një qeveri që, nëpërmjet ministrave e zëvendësministrave, synon të korrigjojë tekstet shkollore, është e denjë vetëm për vendet me pushtet totalitar”.

Buja i përgjigjet LDK’së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës të hënën, duke vlerësuar se po e ndryshon historinë e popullit shqiptar. Por Ministri i Arsimit, Ramë Buja, thotë se nuk ekziston asnjë marrëveshje me shtetin turk, përveç se ministria ka krijuar komision ekspertësh për analizimin e teksteve të historisë.

Pos që është formuar një komision ekspertësh për të analizuar se a përmbajnë apo nuk përmbajnë fjalë fyese dhe pasaktësi shkencore tekstet e historisë në Kosovë, asnjë hap tjetër nuk është bërë.

Kështu së paku ka thënë Ministri i Arsimit, Ramë Buja për Express, të hënën, pas akuzave të LDK-së dhe disa shkrimeve në media se Qeveria ka arritur marrëveshje për ndryshimin e disa teksteve të historisë, pas kërkesave të zyrtarëve të lartë të shtetit turk.

“Janë akuza, janë trillime, janë shpifje, gjithçka ka ngelur me formimin e komisionit të ekspertëve, asgjë më shumë”, ka thënë Buja.

Sipas tij, Ministria e Arsimit që nga fillimi ka qenë transparente në punën e vet dhe me kohë ka formuar një komision që do të analizojë gjendjen.

“MASHT njofton të gjithë opinionin publik se as Qeveria e Kosovës, e as MASHT nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje që nënkupton ndryshimin e teksteve të historisë. Për më tepër, Qeveria e Kosovës dhe as MASHT nuk ndryshojnë historinë, sepse ajo është çështje e studiuesve”, ka qenë, ndërkaq, reagimi i zyrtarëve të kësaj ministrie në lidhje me spekulimet për arritjen e marrëveshjes.

Ndërkohë, të hënën, Lidhja Demokratike e Kosovës, respektivisht ekipi i ekspertëve të Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, në një komunikatë për media ka thënë se Qeveria e PDK-së po tenton që të ndryshojë historinë e popullit shqiptar.

“Qeveria e PDK-së, e njohur gjerësisht për mungesë transparence, për papërgjegjshmëri e shpërdorime në të gjitha fushat, tani, tinëzisht e për interesa politike, i ka hyrë punës që të ndryshojë politikisht tekstet e historisë së popullit shqiptar”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, Qeveria po përpiqet që ta fshehë këtë gjë, por tashmë ajo ka nisur që me veprimet e veta politike të bëjë ndryshimin e teksteve shkollore të lëndës së historisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria nuk guxon të ndërhyjë në çështje të kësaj natyre, meqë këto nuk janë çështje të politikës së ditës, e as çështje të qeverive”.

Ekspertët e LDK-së vlerësojnë se tekstet shkollore të historisë burojnë nga kurrikulat dhe janë shkruar nga profesionistët dhe, sipas tyre, vetëm në vendet totalitare qeveria ndërhyn ose përcakton se çfarë duhet të shkruhet në tekstet shkollore e si duhet të shkruhen ato.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se të gjitha diskutimet për çështje të kësaj natyre, përherë duhet të bëhen në qarqet akademike e intelektuale, sepse vetëm qarqet e tilla janë kompetente për të vlerësuar lëndën dhe gjuhën e teksteve”, thuhet në këtë komunikatë.

“Qeveria duhet t’i përkrahë këto qarqe në punën e tyre, të ndihmojë konkretisht, së pari duke u garantuar kushte e liri në punën e tyre, e jo të marrë përsipër të bëjë keq punën që profesionistët e bëjnë mirë. Qeveria e cila e ka shpallur Kosovën shtet të dijes, duhet ta dijë që shtetin e tillë nuk mund ta udhëheqin njerëzit e paditur”, thonë ekspertët e LDK-së në lidhje me debatin e fundit për ndryshim ose jo të teksteve të historisë nëpër shkollat fillore dhe të mesme.

Zyrtarë të MASHT-it kanë thënë se kjo ministri mbetet e përkushtuar që të elimonojë gjuhën e urrejtjes dhe pasaktësisë shkencore nga të gjitha tekstet shkollore dhe jo vetëm në atë të historisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›