E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çela: Lushnja, skuadra më e mirë e kategorisë së parë

Nga Julian Kasapi

Kapiteni i lushnjarëve, Gentian Çela, thekson se gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë ka nisur ngjitja drejt kreut të tabelës 

Lushnja ka marrë tri pikë të tjera të rëndësishme në fushën e saj dhe tashmë ndodhet në zonën e skuadrave pretendente. Dy fitore në tri ndeshjet që verdhejeshilët kanë pasur në stol Saimir Malkon dhe ndryshimi është i dukshëm. Nuk është fjala për ndryshime në paraqitjen e saj futbollistike, por edhe në fizionominë e ndërtimit të saj. Sigurisht që ndryshimi i përket stafit teknik, që po kërkon më shumë punë dhe dihet se kësaj Lushnje i duhet të djersijë shumë, pas atij fillimi të dobët të kampionatit.

Kapiteni Çela Futbollistët lushnjarë janë po ata që ishin edhe në startin e kampionatit, por ndryshimi është në mendësinë e tyre në fushë. Kapiteni Gentian Çela shprehet me shumë entuziazëm për gjendjen e skuadrës dhe e sheh me optimizëm të ardhmen e saj. Mesfushori flet edhe për ndeshjen e radhës me Burrelin, ku sipas tij, Lushnja duhet të marrë patjetër pikë: Skuadra jonë ka qenë shumë e ngarkuar psikologjikisht dhe nuk ka dalë në lojën e saj.

Ka ndryshime, që i shohin të gjithë, ndaj dhe dy javët e fundit kemi marrë pikët e plota. Në ndeshjen me Elbasanin kishte edhe spektakël, që mungoi me Butrintin, megjithatë nuk e kemi luksin për lojëra të bukura, sepse të paktën në këtë moment na interesojnë më shumë pikët. Mund ta them me bindje se jemi në rrugën e ngjitjes së shkallëve të klasifikimit. Lushnja është skuadra më e mirë në këtë kategori, por nuk mundi të shprehej si duhet që në fillim të kampionatit.

Në ndeshjen e radhës do të shkojmë për të marrë tri pikët, ndonëse luajmë në një fushë shumë të fortë. Kundërshtari është i fortë, edhe pse ashtu si ne nuk është mirë në klasifikim. Pavarësisht situatave që nuk janë të ngjashme, skuadra jonë do të shkojë atje për fitore, ashtu siç do të bëjë në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Vetëm kështu mund ta mbajmë premtimin për tu ngjitur në superligë, – ka thënë kapiteni i verdhejeshilëve, Gentian Çela.

Nis të rritet numri i toifozëve në ndeshje dhe stërvitje

Në ambientet sportive lushnjare është kthyer besimi te skuadra dhe ndaj Butrintit u pa një numër mië i madh tifozësh në shkallët e stadiumit Roza Haxhiu. Megjithatë, duhen rezultate të mira edhe në vazhdim për të sjellë në këtë stadium maksimumin e shikuesve, të cilët gjithmonë kanë qenë vërtet lojtari i 12 për lushnjarët. Ky kampionat po shënon frekuentimin më të ulët në historikun lushnjar, pas rezultateve jo të mira të skuadrës. Megjithatë, situata po ndryshon dalëngadalë dhe në stadium dhe në seancat stërvitore po shtohen sytë kureshtarë të tifozëve.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›