E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alis Baci: Luftëtari, kompakt edhe ndaj Besës

Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësi shkodran thekson se ekipi i tij është kandidati i parë për titullin, por nuk i falet që në vazhdim të dremisë mbi dafina

Ndikimi i futbollit shkodran në futbollin tonë kombëtar është pothuajse i tillë si ai brazilian në futbollin botëror. Edhe në futbollin gjirokastrit ky ndikim ka qenë dhe është i ndjeshëm. Këtë sezon, në përbërjen e Luftëtarit janë 5 shkodranë, të cilët për herë të parë u aktivizuan që të gjithë në ndeshjen me Burreli, ku gjirokastritët fituan 2-0.

Sulmuesi Jasmin Raboshta dhe mbrojtësi Alis Baci, që është edhe në përbërje të kombëtares U -21 (i vetmi në një nga ekipet kombëtare nga futbollistët e Luftëtarit), shënuan nga një gol, portieri Selimaj grushtoi një gjuajtje nga qarku i 11-metërshit dhe nuk pësoi gol, mesfushori Ramadani, që u zëvendësua për arsye dëmtimi, u tregua serioz, si gjithmonë, ndërsa Pjetrani, që hyri si zëvendësues, i pasuroi lojës spektaklin. Janë këto dhe të tjera, si asistet precize të shumicës së tyre, që vërtetojnë profesionalizmin e futbollistëve të këtij brumi.

Baci Alis Baci, mbrojtësi i krahut të majtë, që ndërmerr edhe aksione sulmuese, thotë mes të tjerash se Luftëtari do të paraqitet si një ekip kompakt edhe me Besën: Luftëtari, me 6 fitore dhe 1 ndeshje të prapambetur, që tani ka vënë kanditaturën më prestigjioze për titullin kampion të kategorisë së parë, pra për rrjedhojë do të ngjitet në superligë. Veçse do të jetë e pafalshme, nëse do të fillojmë të dremisim mbi dafina.

Përpara kemi shumë ndeshje, disa më të vështira nga këto që kemi zhvilluar, ku e para është që këtë të shtunë. Është transferta me Besën, që ka tradita të pasura në futbollin tonë. Luftëtari tregoi me Burrelin se ka forca për më shumë, por shumë raste për gol të humbura duhet të na çojnë në korrigjimin e shënjestrave. Ndeshja në Kavajë nuk mund  të ketë rezultat të favorshëm për ne, nëse shpërdorojmë aq raste sa në ndeshjen me Burrelin, gjë që duhet ta kemi shumë të qartë.

Ekipi ynë është mjaft kompakt, disponon më shumë se 15 futbollistë që mund të konsiderohen titullarë, kështu që i ka mundësitë ta përballojë me sukses Besën, që ka avantazhin e fushës. Rëndësi ka të luajmë me të gjitha forcat tona dhe mendësi fituesi. Pas këtyre, reazultati i dëshiruar me siguri që do të arrihet.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›