Më 7 nëntor, vendimi i gjykatës për Partizanin
Nga Ilir CARA
As seanca e njëmbëdhjetë gjyqësore nuk i ka dhënë fund procesit që po shqyrtohet nga gjyqtari Ilir Çeliku rreth padisë së bërë nga Ministria e Mbrojtjes ndaj Partizani sh.a. Duke ditur se hetimi është mbyllur, gjatë pasdites së djeshme është kryer seanca e radhës mes palëve, ku janë dhënë konkluzionet përfundimtare rreth çështjes. Në përfundim të sances, trupi gjykues ka deklaruar se tërhiqet për të dhënë vendimin përfundimtar në shkallën e parë, vendim i cili është lënë të shpallet më 7 nëntor.
Pra, java që vjen pritet ti japë një drejtim zyrtar Partizanit të sezonit 2011-2012. Normalisht, marrja e këtij vendimi në favor të ministrisë, e cila kërkon rikthimin e logos, do të përshpejtonte procedurat për ringjalljen e demave të kuq. Pas 6 pikëve të marra në javën që shkoi, ndaj Memaliajt dhe Sopotit, të kuqtë, nën drejtimin e dyshes së trajnerëve, Perlat Musta-Marko Pelinxhi, por përgatiten për transfertën e vështirë të Tepelenës.
Gjithsesi, Partizani i javëve të fundit po tregon rritje dhe synon që ecuria e mirë të vijojë edhe këtë fundjavë. Synimi është që kryeqytetasit të mos dalin pa pikë nga Tepelena, pasi kundërshtari është rival i të kuqve në grup.
Vijnë lekët për Tepelenën, gati dy sponsorë seriozë
Në prag të ndeshjes vendimtare me Partizanin, situata në kampin tepelenas duket optimiste. Kështu, përveç mbështetjes së trajnerit Ilir Selimi dhe kryebashkiakut Tërmet Peçi, dy sponsorë të fuqishëm nga Tepelena kanë komunikuar dje se do të financojnë këtë ekip. Fjala është për dy biznesmenë tepelenas, Mondi Jaupi dhe Ilir Xhezo, të cilët pritet ta nisin financimin e tyre qysh në ndeshjen me Partizanin.
Kështu, financat te Tepelena janë të garantuara për këtë sezon. Bashkisë dhe donatorëve të tjerë që kanë kontribuar deri tani, u shtohen edhe dy sponsorë të rinj, që e bëjnë Tepelenën pretendente serioze për në kategorinë e parë. Lajmin për afrimin e dy sponsorëve të rinj e ka konfirmuar për “Sportin shqiptar” trajneri Ilir Selimi.