E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Berisha paralajmëron krizë energjetike

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Berisha ka deklaruar se do kemi dimër të vështirë

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar dje një dimër të vështirë për shqiptarët. Qeveria që ai drejton nuk do të mund të mbajë premtimin as për këtë vit se shqiptarët do të kenë 24 orë energji elektrike. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri ka folur "troç" për krizën energjetike, që pritet të kalojë vendi ynë. Pasi ka folur për reformat e ndërmarra nga qeveria e tij, Berisha është ndalur jo pak edhe në atë që cilësohet thembra e Akilit për qeverisjen e tij, pikërishtparandalimi i një krize tjetër energjetike, si ajo e dy viteve më parë. Gjatë mbledhjes prej 10-15 minutash të zhvilluar më dyer të mbyllura, Kryeministri Berisha ka theksuar nevojën e blerjes sa më shumë të energjisë, duke pranuar faktin se sa e vështirë do të jetë kjo në një sezon si ky, që po kalojmë, duke marrë parasysh, sipas tij, edhe thatësirën e madhe. Kjo situatë, mësohet të jetë shprehur Berisha, do të ndikojë edhe më shumë në vështirësimin e situatës. Dhe ashtu si çdo vit, pavarësisht premtimeve të bëra në zgjedhjet e 2005 lidhur me faktin se shqiptarët do të kenë 24 orë drita, por edhe deklaratat e tjera sipas të cilave qeveria do të bëjë të mundur një dimër më pak të errët, dje Berishës i është dashur të pranojë se kemi të bëjmë më një situatë ku sërish qeverisja e tij ka dështuar. Prej kohësh, Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria që ai drejton është e angazhuar seriozisht për të përdorur të gjitha llojet e burimeve, për të përfituar energjinë në vend, duke përfshirë edhe energjinë nukleare. Të ashtu quajturat deklarata të Berishës, se Shqipëria do të shndërrohet në një park të vogël energjitik, apo fakti se privatizimi i KESH do të sillte një përmirësim të furnizimit me energji, mbeten fjalë në erë pasi ajo që mund të thuhet në këto momente është që kriza energjitike e radhës është afër. Përveç krizës energjitike, kryeministri Berisha nuk ka përmendur asgjë tjetër në atë mbledhje të shkurtër të grupit parlamentar me dyer të mbyllura, ku pjesën më të madhe të kësaj mbledhje e zuri vetëm fjala e Berishës gjatë kohës ku e pranishme ishte edhe media.

---------------------------------------------------------------Reforma në drejtësi, Berisha kërkon konsensus

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka ftuar dje opozitën që të mbështesë paketën për reformën në drejtësitë. Në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha kërkoi nga opozita që të çohet deri në fund reforma në drejtësi, edhe pse në njëjtën kohë, ai nuk kurseu të reflektonte faktin së reforma në sistemin e drejtësisë do të vazhdojë pavarësisht mbështetjes ose jo të opozitës. "Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Parlamenti ka votuar një pakt për sistemin në drejtësi dhe ne i qëndrojmë atij. Unë e ftoj opozitën, në interesin më të mirë të vendit dhe të gjithë forcave politike pa përjashtim, t'i përmbahet paktit të votuar në Parlament. E garantoj se ne jemi të vendosur ti kalojmë këto ligje me konsensusin më të gjerë të mundshëm",- u shpreh Kryeministri Berisha. Reforma në drejtësi nisi si një reformë e propozuar nga Partia Socialiste dhe që mori në Parlament mbështetjen edhe të Partisë Demokratike, dhe si e tillë ajo do të duhej të vazhdonte me përkrahjen e opozitës, duke marrë parasysh edhe rëndësinë që ka kjo reformë për vendin. Në kuadër të reformave të shumta që ka përmendur dje, Berisha ka folur edhe për vendosmërinë e partisë së tij për të zbatuar Kodin e Ri Zgjedhor dhe një infrastrukturë sa më të mirë për zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›