Rama: Sondazhi, Shqipëria vendi më i korruptuar në Ballkan
TIRANË- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar dje se Shqipëria vazhdon të jetë ndër vendet më të korruptuar në Ballkan pavarësisht deklaratave të kryeministrit Sali Berisha. Bazuar në një Raport të Ballkanit Monitor, të realizuar nga Gallup në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin, sipas të cilit, Shqipëria rezulton jo vetëm vendi më i korruptuar në Ballkan, po edhe vendi ku vetëm 29% e popullit beson se qeveria e ka seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Kështu kreu socialist Rama ka përgënjeshtruar atë për të cilën qeveria aktuale krenohet dhe e propagandon me forcë. Pikërisht një gjendje të tillë ku Shqipëria konsiderohet dhe si një rast që përbën një përjashtim në rajon përsa i përket nivelit të lartë të korrupsionit, Rama ia detyron keqqeverisjes së kryeministrit Berisha."Nuk është e para herë që raportet e institucioneve të specializuara na japin këtë vit një pamje rrënqethëse të keqqeverisjes, duke nxjerrë në pah me fakte reale e shifra tronditëse atë që shqiptarët e shqiptaret përjetojnë vijimësisht nën këtë qeveri që po shpartallon shtetin dhe nën këtë kryeministër që po abuzon rëndshëm me pushtetin. Sali Berisha përpiqet ta mbulojë malin e mëkateve të qeverisjes së tij me një mjegull rrenash, faktesh të deformuara, shifrash të sajuara, inaugurimesh e spotesh banale që i paguan me lekët e shqiptarëve, ndërkohë që vetëm në 4 muajt e fundit, janë shprehur shumë qartë për gjendjen e rëndë të korrupsionit 3 burime prestigjoze ndërkombëtare"- tha Rama. Duke u bazuar në Raportin e Gallup, Rama tha se ka qenë pikërisht keq qeverisja e Berishës që ka bërë që vendi ynë të veçohet edhe nga Ballkani, ndërkohë që Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja dhe Kosova, kanë një nivel korrupsioni, sipas radhës nga 10 në 5%, niveli i korrupsionit në Shqipëri është 32 %.