E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi-Berishës: Mos shantazho! Zbardh aferat me Fazlliç

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Ruçi, akuzoi Berishën se nëpërmjet lidhjes së tij me Fazlliç po njollos shqiptarët

TIRANË- Një ditë pasi kreu i qeverisë Sali Berisha pranoi publikisht në Kuvend se biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç është miku i tij, Partia Socialiste ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të zbardhur deri në fund lidhjet që fshihen pas kësaj miqësie. Nëpërmjet kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, selia rozë ka bërë edhe një herë publik pozicionin e saj ndaj kësaj çështje, duke akuzuar kryeministrin Berisha se nëpërmjet lidhjes së tij me Fazlliç po njollos gjithë shqiptarët. Referuar pikërisht deklaratës që kryeministri bëri gjatë seancës së fundit plenare në Kuvend për këtë çështje, kreu i asamblesë socialiste Gramoz Ruçi ka sjellë në vëmendje të medias se i dyshuari nga organet ligjore boshnjake për afera financiare, Damir Fazlliç ka qenë dhe është këshilltar i qeverisë që kryesohet nga Berisha. “Në një dalje publike të pazakontë, madje dhe të turpshme, i detyruar nga presioni në rritje i medias dhe i opozitës, kryeministri Berisha më në fund pohoi se e njihte Damir Fazlliç-in, shtetasin serbo-boshnjak që prej shumë vitesh është kryekëshilltar i Partisë Demokratike dhe, prej tre vitesh, edhe i qeverisë së Sali Berishës. Dëshmia e djeshme e Sali Berishës qe e paqartë, qe konfuze, qe e rreme, pra qe dëshmia e njeriut që e ka gjithnjë e më të vështirë të përballet me të vërtetat e tharta”, - tha Ruçi gjatë deklaratës së vet. Duke marrë shkas nga paralajmërimi i kryeministrit për publikimin e dosjeve korruptive, Partia Socialiste vlerëson se ai është një shantazh i hapur që kjo mazhorancë kërkon t’i bëjë opozitës për të ta detyruar atë që të heqë dorë nga lufta e saj politike dhe ligjore për zbardhjen e fakteve që implikojnë zyrtarë të lartë të qeverisjes së djathtë dhe familjarët e tyre në transaksionetfinanciare që Fazlliç ka kryer edhe në vendin tonë. “Sali Berisha foli dje për të bërë shantazh të hapur publik ndaj opozitës në Sallën e Kuvendit. Ne deklarojmë sot, se nuk do të tërhiqemi përballë një shantazhi dhe se nuk kemi ndër mend të bëjmë pazar me këtë njeri”,- tha Ruçi. Sipas Ruçit, kreu e qeverisë e ka praktikë pune që të sulmojë opozitën sa herë që gjendet në momente të vështira. Por edhe një herë PS i ka bërë thirrje shefit të qeverisë që të heqë dorë nga praktika të tilla dhe të marrë guximin dhe t’i japë fund një marrëdhënie të tillë me dosjet që mban në dorë si mjet presioni. “Është ligjërisht e dënueshme mbajtja si mjet shantazhi e këtyre dosjeve, që edhe nëse ekzistojnë, duhet të jenë në zyrat e Prokurorisë dhe jo në dollapin e fshehtë të Sali Berishës. Duhet të marrë fund një herë e mirë ky mjet shantazhi që i bën pis të gjithë, ndaj i themi Sali Berishës: Zbrazi dollapët e fshehtë nga gjitha dosjet tona nëse ke”, - tha më tej Ruçi. Për të bërë të qartë edhe për shqiptarët rolin që Fazlliç ka luajtur jo vetëm gjatë ardhjes së PD-së në pushtet por edhe gjatë tre vjetëve qeverisje, Partia Socialiste nëpërmjet Ruçit i ka drejtuar kryeministrit Sali Berisha 16 pyetje, duke pretenduar se me përgjigjet e tyre do të mund të zbardhet sado pak nga gjithë tymnaja që mbulon marrëdhëniet disa vjeçare të këtij biznesmeni me pjesë të veçanta të mazhorancës së sotme.

Pyetjet që drejtoi dje Ruçi

Cili është roli i Damir Fazlliç-it në Kompaninë BG&R dhe në marrëdhëniet me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike?

Sa është vlera e kontratës midis BG&R dhe Sali Berishës për fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005?

Në ç’rrugë janë paguar paratë dhe sa tatime ka paguar në Shqipëri Kompania BG&R ?

Cili ka qenë roli i Damir Fazlliç gjatë fushatës zgjedhore 2005 dhe a është paguar ai për këtë rol?

Cili është aktualisht roli i Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe vetë Sali Berishës?

Sa herë dhe me çfarë statusi ka qenë Damir Fazlliç në zyrën e zotit Berisha, cilat janë projektet për të cilat ka negociuar ai me qeverinë shqiptare?

Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri 5 kompanitë e denoncuara publikisht në media me emër e mbiemër, me data, akte themelimi e adresa të sakta, tre prej të cilave kanë për administrator Erion Isufin, kunat i ministrit pa imunitet Lulzim Basha?

---------------------------------------------------------------------Kryetari i grupit parlamentar i PSD-së, Gjinushi, reagon pas fjalës së Berishës

Gjinushi: Fjala në Kuvend, Berisha tregoi degradim

TIRANË- Shantazh të mafies kryeministrore. Kështu e ka cilësuar me pak fjalë kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi shfaqjen që kryeministri Sali Berisha mbajti përpara Kuvendit duke komentuar marrëdhëniet e tij miqësore me sekserin boshnjak Damir Fazlliç. Në një dalje të posaçme për shtyp, kryesocialdemokrati Gjinushi ka hedhur akuza të drejtpërdrejta kundrejt kryeministrit Berisha për lidhje me klane mafioze sllave, të cilat arrijnë të diktojnë dhe marrëdhënie vartësie të tij ndaj interesave dhe aferave korruptive. “Berisha, si bashkëpunëtor i zellshëm i Milosheviçit e i Arkanit, nuk mund të ketë bashkëpunëtorë të rinj, vetëm njerëz të tipit Fazlliç. Reagimi i tij në Kuvend dje tregoi degradimin e plotë të kësaj shumice, tregoi degradimin e plotë të sallës së Kuvendit dhe rolit të tij si institucion, në të cilin mafia kryeministrore bën shantazh dhe presion ndaj deputetëve e mbarë opinionit publik”, - tha Gjinushi. Duke folur në emër të grupit parlamentar socialdemokrat, Gjinushi, ka bërë të ditur se deputetët e tij nuk do të pranojnë kurrsesi që në Kuvend të vijë të dëshmojë Fazlliç ashtu sikundër propozoi gjatë kësaj seance Berisha. “Ne si grup socialdemokrat nuk mund të pranojmë kërcënimin e një kryebanditi që kërkon të sjellë si dëshmitarë të akuzuarit për krime në sallën e Kuvendit dhe ndërkohë zhduk dëshmitarë të krimeve të tij si Remzi Hoxhën e Kosta Trebicka?!! Ai mos të sjellë Fazlliçin në Kuvend, por të shkojë bashkë me të në Hagë sipas kërkesës së Milosheviçit dhe amanetit të tij”, - tha Gjinushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›