Tedi Papavrami, violinisti shqiptar mes pasionit për letërsinë dhe kinemanë
Petrika GROSI
Violinisti i famshëm shqiptar Tedi Papavrami i sapokthyer nga Franca ka pranuar të flasë në një intervistë për gazetën “Albania” mbi koncertin që do të japë së fundi në Shqipëri dhe nëpër Europë. Gjithashtu, artisti rrëfen mbi jetën e tij, përkthimin e Kadaresë në frëngjisht, marrëdhënien me shkrimtarin e madh, madje ai flet edhe për librin e panjohur që Kadareja ende nuk e ka mbaruar. Përveç kësaj, nuk mund të rrinim pa e pyetur Tedin mbi përvojën me aktrimin, xhirimet, skenat erotike, vështirësitë dhe kënaqësitë e skenës, planet për të ardhmen...
Tedi, knei ardhur në Tiranë për një koncert me rastin e Ditës së Europës. Çfarë mund të na thuash rreth programit të tij?
Diskutuam me Zhani Cikon, që të bëhej një udhëtim në disa nga shtetet kryesore të Europës. Këtu, orkestra do të luajë një vepër shqiptare dhe një vepër të huaj, ndërsa me mua do të jetë pjesa më e madhe e koncertit që përfshin pjesë të ndryshme nga Bethoven, Paganini, Susho etj. Janë pjesë të shkurtra, mjaft virtuoze, megjithëse ka edhe shumë romancë, rrëmbime e dhimbje.
Meqënëse jemi te koncerti, si ju duket orkestra e TOB-it?
Sot (dje) bëra provën e parë dhe shkoi shumë mirë. Orkestra është në rritje nga të gjitha anët. Më bëri një përshtypje të mirë. Edhe dirigjenti mu duk zgjidhje e mirë nga ana e Zhani Cikos.
Udhëtimi juaj në Europë... koncertet, angazhimet që keni?
Herën e fundit isha në Monako për një festival. Kisha katër koncerte të ndryshme aty. Tani do të bëj një koncert në Gjenevë (15 maj) e më pas, do të shkoj në veri të Francës, për t’u kthyer në Belgjikë, ku do të regjistroj në qershor diskun e ardhshëm.
A keni lidhje me artistët shqiptarë në Francë?
Jo shumë, por në mënyrë të veçantë kam lidhje me Ornela Vorpsin, megjithëse ajo banon në Paris e unë në Gjenevë dhe takohemi rrallë. Flasim me shkrim zakonisht. Tani Ornela ka lindur një djalë. E njoh atë, natyrisht edhe me burrin e saj jemi miq të mirë. Lidhje tjetër kam me Ismail Kadarenë; jam jashtëzakonisht në kontakt me të për shkak të punës time, si përkthyes i veprës së tij në gjuhën frënge. Rastësisht, para një muaji takova dhe Angjelin Prelocajn. Kishte një nga baletet e tij që quhej “Parku” në Operan e Parisit.
ǒdo të thoshit për sprovën tuaj me përkthimin dhe a po punoni aktualisht me ndonjë vepër tjetër të Kadaresë?
Tashmë u bënë 9 vjet që përkthej, kështu që nuk mund ta quaj “sprovë”. Sapo kam mbaruar “Darka e gabuar”, që pritet të dalë në shtator edhe në Francë. Për momentin kam në duar një vepër të fundit të Kadaresë, e cila nuk është botuar ende. Ka vepra të tij që janë botuar fillimisht në frëngjisht, siç ka dhe vepra si “Darka e gabuar” që u botua më parë në shqip.
ǒmund të zbulojmë ndonjë detaj nga bashkëpunimi me Kadarenë. A e keni shumë të vështirë punën me të, pasi shkrimtarët e mëdhenj, shpesh janë shumë kërkues e ndoshta, dhe pak tekanjozë?
Ai e di që i kam afatet tepër të gjata, kështu që m’i nis faqet e para të veprave, që pa e mbaruar mirë, së shkruari librin. Me Ismailin bisedojmë shpesh; e pyes për ndonjë detaj, ose kur kam ndonjë dyshim, gjë që nuk para ndodh shpesh...
Para pak kohësh ndoqëm premierën e filmit “Kronikë provinciale”. Ju u shfaqët si protagonist sëbashku me Arta Dobroshin. Çfarë emocionesh do të kujtonit sot nga koha e xhirimeve?
Takimi me aktorët, të cilët i njihja që në fëmijëri nëpërmjet televizionit ishte emocionues. Sidomos, emocionues ka qenë Robert Ndrenika, miku i babit tim, që ka emrin e tij dhe që në film luante rolin e babait të personazhit tim. Kështu ndihesha edhe unë pak më natyrshëm. Kisha përballë dhe shumë fytyra të tjera familjare. Mund të them se gjendesha mes profesionistësh të nivelit të lartë, me përvojë të madhe në kinema dhe në teatër.
Ju dukej vetja ndoshta pak i çuditshëm në setin e filmit?
Po, dhe jo. Por, kjo më ndodhi kur pata përvojën e parë me filmin që bëra në Francë. Ngaqë ishin personalitete të njohura botërore, aty u prodhua për mua çudia më e madhe. Por nëse flasim për filmin shqiptar, kur ke përballë një aktor të shkëlqyeshëm si Robert Ndrenika, ndonëse nuk je profesionist, ndihesh tamam brenda rolit tënd dhe i ke gjërat më të lehta për t’i besuar njësoj sikur të ishin të vërteta.
Do të vazhdoni në rrugën e kinemasë apo kjo varet nga opinionet për interpretimet e deritashme?
Kjo gjë nuk varet nga opinionet sepse aktrimi, (sidomos në kinema) i mirë apo i keq qoftë, pavarësisht kësaj, meritat i shkojnë më tepër regjisorit. Një regjisor që ka punuar me shumë koshiencë dhe profesionalizëm, arrin të tërheqë atë që do nga çdo personazh. Flas për kinemanë, se në teatër nuk do të luaja dot, është tjetër gjë. P.sh. filmi që kam luajtur me Rupert Everet etj., ishte një film që u bë pak shpejt dhe ndonëse kishte një buxhet të madh dhe aktorë të mirë, nuk dha ndonjë gjë të madhe. Aktori, sado gjenial të jetë, në kinema mbetet pak i pafuqishëm sepse janë dritat, kamerat etj. Nëse do të ketë ndonjë projekt apo propozim mua, do të më pëlqente që ta provoja sërish.
Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë xhirimeve të këtij filmi?
Në fakt, skenari më pëlqente. Ishte shumë i bukur ndaj dhe e pranova rolin. Më pas, pati disa probleme e presione dhe skenari pësoi disa ndryshime, kjo, për të mos i fyer besimtaritë e të tjerëve, gjë që bëri të kishim një lloj humbje në dialogje, në anën pikante dhe humoristike që mund ta kishte sot filmi.
Regjisori Minarolli, ka deklaruar më parë për gazetën “Albania” se filmi ka pasur edhe skena erotike, të cilat ai i ka prerë. Ishte i këndshëm apo stresues dhe i sikletshëme xhirimi i tyre?
(Qesh) Nuk e kam parë se çfarë regjisori ka nxjerrë. Të luash skena të tilla nuk është as e këndshme dhe as e sikletshme. Megjithatë, nuk është se kishte skena shumë erotike, pasi unë nuk isha i zhveshur komplet, dhe Arta edhe më pak se unë. Për mendimin tim, s’ka fare erotizëm për aktorët që luajnë. Pas kësaj skene, mendohej se do vinte një akt dashurie, i cili ishte i filmuar natyrisht. Edhe të puthurat janë shumë të ftohta. Në skenë nuk ndodh asgjë. Si mund të ndodhë diçka, kur dihet që gjithçka është artificiale?! Mbase ndonjë njeri që është shumë i eksitueshëm mund të veprojë ndryshe, (qesh) gjë që nuk vlen në rastin tim. Pastaj, nuk mund të ndjesh kënaqësi me dhjetra veta rrotull dhe me një njeri, që e di se ashtu si ty po aktron. Madje, në jetën e zakonshme ndonjëherë mjafton një hiç që të ta heqë të gjithë kënaqësinë, e jo më kur je në rrethana të tilla. Më bëri përshtypje se edhe në grupin e xhirimit për shkak të mentalitetit nuk kuptohej mirë kjo gjë.
Le të rikthehemi te letërsia. Kadare për romanin “Darka e gabuar” ka thënë se është i fundit, e besoni këtë gjë?!
As unë nuk e besoj. Qekur ai thotë kështu, po shkruan vepra tronditëse dhe shumë të forta. Edhe para “Darkës...” më tha të njëjtën gjë. Ky roman më ka pëlqyer shumë. Aty kombinohet një anë e dikurshme e Kadaresë, me forcën e mitit, përshkrimit të një qyteti, simboleve por e gjitha kjo, me një konstrukt më modern se ai i viteve ’70-’80, të cilat i adhuroj. Duken qartë avantazhet e dy epokave të ndryshme.
Për çfarë bën fjalë ky libër i ri i Kadaresë, ende i panjohur për publikun?
Pjesa që kam lexuar, (30 faqet që ai m’i dërgoi në fillim) bëjnë fjalë për një njeri, i cili ecën i vetmuar në sheshin e madh të Tiranës. Mendimet, ankthi i këtij njeriu të fusin në një atmosferë, nga e cila nuk del dot dhe nuk e ndal më leximin.
Çdo përkthyes gati e rishkruan një vepër dhe e devijon rreth 20 për qind të romanit nga stili origjinal. Madje vetë Kadare, personalisht më është ankuar për ndryshimin e stilit të tij në përkthimet që janë bërë në gjuhë të ndryshme. Po në rastin tuaj, ç’do të thoshit?
Për mua, qëllimi kryesor është që t’i qëndroj sa më afër origjinalit. Kjo ka qenë një nga karakteristikat e punës sime që nga viti 2000, kur kam nisur të përkthej veprat e Kadaresë. Është e vërtetë që gjuha franceze ka një traditë letrare, historike dhe jetese të ndryshme dhe shumë më të pasur nga ajo e gjuhës shqipe. Metaforat dhe figuracionet janë përdorur që 300 vjet më parë dhe ka një mori të madhe. P.sh. kur Ismaili flet për Gjirokastrën, unë që jam shqiptar e ndiej se kjo gjë, sigurisht që s’mund të transmetohet në frëngjisht. Në raste të tilla, për lexuesin duhet të gjej diçka që ta çojë drejt një jete pak më fshatare...
Së fundi, e keni menduar ndonjëherë, që ta ktheni rezidencën tuaj të përhershme në Shqipëri?
Do të ishte hipokrizi sikur të thoja “po” vetëm sa për t’u bërë qejfin njerëzve. E kam kaluar fazën e nostalgjisë në kohën kur u detyruam të kërkonim azil politik dhe këtu u deklaruam si “armiq të popullit”. Nuk e mendonim se komunizmi një ditë do të binte... Kështu, atë kohë jam detyruar që ta kaloj nostalgjinë. Sot nuk mund të them se kam ndonjë lidhje shpirtërore me Shqipërinë. Në fakt, lidhje shpirtërore nuk kam me asnjë vend tjetër. Edhe nga Parisi ika për në Gjenevë, pasi dua një qytet që të mos ketë zhurmë dhe që të më plotësojë kushtet kryesore të jetesës.
6 Maj 2009