Rafa Benitez: Milionat e Sitit nuk po e ‘vrasin‘ lojën
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez doli në mbrojtje të Mançester Sitit dhe deklaroi se ata nuk janë klubi i parë i futbollit që po shpenzon shifra stratosferike. Spanjolli ka preferuar të ecë "kundër rrymës", duke mbrojtur kapitelin e madh që pronarët arabë kanë vendosur në dispozicion të "Sitizens". "Nuk mendoj se paratë e tyre do ta ndryshojnë futbollin", tha Benitez për tabloidin "The Daily Express". "Edhe disa skuadra të tjera kanë bërë shpenzime të mëdha, madje edhe gjatë këtij sezoni. Nuk ekziston ndonjë diferencë e madhe". Sot pasdite, Liverpuli do të presë në shtëpi Mançester Sitin dhe drejtuesi i stolit të "Reds" nuk mendon se tri pikët janë të lehta: "Ata janë një kundërshtar i rrezikshëm. Nuk flas vetëm për financat, por sepse kolegu im, Hjuxhs, ka në dispozicion mjaft lojtarë cilësorë. Robinjo, Irland e Belami nuk duhen nënvlerësuar".