Huntelar: “Idhulli im, Denis Bergkamp”
Sulmuesi i ri i Realit të Madridit, Klas Jan Huntelar, do të përpiqet të plotësojë boshllëkun që do të lërë i dëmtuari Rud van Nistelroj në vijën e parë në “Santiago Bernabeu”, por një tjetër sulmuesi holandez është frymëzuesi i tij. Futbollisti 25-vjeçar i Kombëtares “portokalli”, i cili ka shënuar dhjetë gola në 18 ndeshje, u transferua në shumën e 27 milionë eurove nga Ajaksi te kampionët në fuqi të Spanjës. Në një intervistë ekskluzive për uefa.com, Huntelar pohoi se lojtari që ai pëlqen më shumë është Denis Bergkamp, i cili ka veshur fanellat e Ajaksit, Interit dhe Arsenalit. “Kur isha i ri idhujt e mi ishin Marko van Basten e Rud Gulit”, - tha Huntelari. “Kur unë isha pak më i rritur ata e lanë futbollin dhe erdhën Bergkamp e Patrik Klajvert, por unë kam ndjekur më shumë Bergkampin, pasi ai ishte një lojtar i zgjuar dhe shumë elegant”. Huntelar konsiderohet një makinë golash, pasi me Ajaksin ka shënuar 72 herë në 92 ndeshje të kampionatit holandez. Huntelar pritet të debutojë për trajnerin Huande Ramos më 4 janar, në ndeshjen e Realit të Madridit kundër Vilarealit.
Metzelder, në ndeshje me maskë
Kristof Metzelder do të luajë për Realin e Madridit duke mbajtur në fytyrë një maskë mbrojtëse për ta mbrojtur atë pas operacionit të hundës së tij të thyer. Futbollisti i Kombëtares gjermane, i cili ka luajtur gjatë këtij sezoni vetëm katër ndeshje, është rekomanduar nga stafi teknik të luajë me maskë për katër ndeshjet e ardhshme, për t’i dhënë mundësi atij të rikuperohet në kohë përpara ndeshjeve kyçe të Ligës së Kampioneve, ku Reali i Madridit do të përballet me Liverpulin. Metzelder pohoi se e kishte thyer edhe dy herë të tjera hundën, kur mbrojtësi luante në Gjermani me Borusian e Dortmundit.
Fabregas, katër muaj jashtë fushave
Kapiteni i Arsenalit, Sesk Fabregas, do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tre ose katër muaj, pas këputjes së ligamentit të gjurit të djathtë. Mesfushori 21-vjeçar spanjoll nuk luajti në pjesën e dytë në barazimin 1-1 të Arsenalit me Liverpulin. Fabregas pritet të mungojë edhe në ndeshjet e një të tetave në Ligën e Kampioneve kundër Romës, që do të luhen më 24 shkurt dhe 11 mars 2009. “Ky nuk është një lajm i mirë për ne”, - tha trajneri i Arsenalit, Arsen Venger. Arsenali renditet në vendin e pestë në Premier Ligën angleze.
Liga e Europës, sistem dhe logo të re
Një nga kompeticionet më historike në futbollin europian do të transformohet plotësisht në vitin 2009. Kupa UEFA, e lançuar për herë të parë në sezonin 2008-2009, do të shndërrohet në Ligën e Europës, duke filluar nga sezoni 2009-2010. Kompeticioni do të kompozohet në një fazë të re në fazën e grupeve me 48 skuadra dhe Liga e Europës do të ketë një logo të re. Dymbëdhjetë grupet do të luajnë në total 204 ndeshje. Dy të parat e çdo grupi do të kalojnë direkt në fazën e eliminimeve direkt dhe do të bashkohen me tetë ekipet që e përfundojnë në vendin e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve. Do të ketë katër ture kualifikuese në vend të dy që janë aktualisht. Numri i ekipeve pjesëmarrëse do të shtohet për shkakun e moszhvillimit më të Kupës Intertoto. Ndeshjet e Ligës së Europës do të zhvillohen ditën e enjte ose të mërkurën, në javët e rezervuara ekskluzivisht për Ligën e Europës.
Trajneri Ari Han, të shtunën në Shqipëri
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, të shtunën do të jetë në Shqipëri. Vizita do të zgjasë tri ditë. Holandezi mund të ndjekë në Shkodër takimin Vllaznia-Dinamo. Ish-trajneri i Kinës e Kamerunit pritet të japë edhe një konferencë për shtyp në lidhje me vitin e tij të parë në krye të përfaqësueses. Shqipëria, nën drejtimin e ish-legjendës së famshme të Ajaksit, zhvilloi gjatë vitit 2008 tre ndeshje miqësore (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) dhe katër zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Botëror (1 fitore, 2 barazime e 1 humbje).
Në janar 2009, testime legjionarëve të rinj
Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë disa grumbullime stërvitore për lojtarët shqiptarë, të cilët luajnë jashtë vendit. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të qeverisë së futbollit. Ekipet janë ndarë sipas moshave dhe datëlindjeve. Kështu, lojtarët e datëlindjeve 1991-1992 (përkatësisht 17 deri në 18 vjeç), do të kryejnë stërvitje në datat 3-4 janar (nga ora 10:30) në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamzë. Futbollistët e rinj të datëlindjeve 1998, 1998 e 1990 (19, 20 e 21 vjeç), do të zhvillojnë stërvitje në datat 7-8 janar dhe po në këtë datë do të testohen edhe lojtarët e datëlindjeve 1993 dhe 1994 (15 e 16 vjeç), po në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamzë.
24 Dhjetor 2008