E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çelsi me ambicie të reja

25/12/2004  Çelsi ka çdo gjë që i nevojitet për të përforcuar atë tradicion të Ligës së Parë Angleze, ku skuadra që del pas Krishtlindjeve si lider, qëndron në këtë pozicion deri në maj. Vetëm një herë në nëntë sezonet e fundit, ajo kur Mançester Junajtid, triumfoi më 2001, lideri pas Krishtlindjeve, nuk arriti të fitojë titullin kampion. Dhe Mançester Junajtid e Arsenali kanë qenë dy skuadrat që kanë rivalizuar për titull kampion, gjatë kësaj periudhe. Por tani në skenë, është ngjitur Çelsi që është ulur në prag të Krishtlindjeve në pozicionin lider, me pesë pikë epërsi. Kjo diferencë mund të ruhet, madje dhe mund të thellohet, pasi Çelsi luan në “Stamford Brixh” me Aston Vilën më 26 dhjetor dhe udhëton dy ditë më vonë drejt Portsmuthit. Me këto dy ndeshje, Liga e Parë Angleze ka gjysmën e rrugës. Në ditën e Vitit të Ri, Çelsi viziton Liverpulin dhe më 4 janar, pret Midëllsboron. Një rrugë kjo që mund të ndërtojë shpresa konkrete që Çelsi të afrohet, pas suksesit të ri pas 50 vjetësh. Trajneri portugez, Mourinjo, është plot besim në vetvete dhe te skuadra e tij se nuk do të ndodhë ashtu si me Liverpul, Aston Vila, Lids dhe Njukasëll, që pasi kanë ardhur në krye deri në Krishtlindje, kanë dështuar në pjesën e dytë të sezonit. Dhe pse dëmtimi i mesfushorit Parker ka krijuar një problem Mourinjo nuk mendon që të jetë agresiv në merkaton e transferimeve, pasi ai e ka grupin që dëshiron. Çelsi që ka shënuar katër gola dhe më shumë në gjashtë ndeshjet e fundit, ka pësuar vetëm tetë gola në 18 ndeshje dhe golavarazhi pozitiv, +28 është gjashtë më i mirë, se ai i Arsenalit. "Tani çdo njeri në Angli e di se Çelsi mund të fitojë titullin kampion, por tre muaj më parë mendimi ishte i kundërt", theksoi Mourinjo. "Tre muaj më parë, mendimi ishte se Çelësi ka skuadër të mirë, ka potencial, por se nuk mund ta fitojë titullin kampion", komentoi Mourinjo. Nga ana tjetër, Arsenali e di se gjithçka varet në duart e tij. Dhe trajneri Venger nuk duket i kapur nga paniku. "Natyrisht nuk mendoj se Çelsi është i pakapshëm, pasi është një rrugë e gjatë për t’u përshkuar, pohoi Venger. Gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi pas Krishtlindjeve, pasi janë shumë ndeshje për t’u luajtur".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›