Statistikat,Thellohet me 17 për qind deficit tregtar
Thellohet edhe më shumë hendeku mes eksporteve dhe importeve. Të dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se deficiti tregtar ka pësuar rritje krahasuar me një muaj më parë. Sipas INSTAT, gjatë muajit shtator janë eksportuar 9,548 milionë lekë mallra, duke pësuar një rritje me 33.6 për qind, në krahasim me gusht 2009 dhe ulje me 10.9 për qind, në krahasim me shtator 2008. Janë importuar 40,666 milionë lekë mallra me rritje 20.6 për qind, në krahasim me gusht 2009 dhe rritje 9.7 për qind në krahasim me shtator 2008. Për rrjedhojë, defiçiti tregtar i këtij muaji është 31,118 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 17.1 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 18.1 për qind, krahasuar me shtator 2008. Sipas INSTAT, shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian janë 68 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre”, u rrit 5 herë, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 91.9 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 55 për qind, etj. Ndërsa eksporti i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, u ul 5.3 për qind. Importi i grupit “Prodhime druri dhe letre” u rrit 50.8 për qind, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 42.9 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 39.1, etj. Ndërsa importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, u ul 1.4 për qind. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se gjatë muajit shtator, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 4,878 milionë lekë, duke zënë 12 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me gusht 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 20.8 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (58.9 për qind).