Prifti, biznesit: Do të hiqet TVSH-ja për makineritë
Fabiola Çela
Qeveria do të heqë TVSH-ë për makineritë dhe pajisjet që vijnë nga importi për qëllime investimi. Deklarata është dhënë nga vetë kreu i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Gjatë një dreke pune, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ministri është shprehur se TVSH-ja për energjinë mund të ulet me 10 për qind, por 2-vjeçarin e dytë të qeverisjes. Sipas ministrit, TVSH-ja për energjinë ishte në plan për t’u ulur më parë, por ky vendim është shtyrë si pasojë e krizës.
Deklarata
“Dita e parë e punës sime ka filluar me Dhomën Amerikane dhe unë zgjodha organizatën tuaj, sepse e kam prioritet parësor marrëdhëniet me biznesin. E kam tepër të rëndësishme të bëj funksional, Këshillin Konsultativ të Biznesit. Një pjesë e madhe juaja kanë probleme me çështjet legjislative dhe fiskale dhe meqenëse unë nuk drejtoj institucionin që rregullon këto probleme, por drejtoj një institucionin që flet dhe adreson problemet e biznesit, mendoj se është e udhës që ta bëjmë këtë Këshill funksional”, është shprehur dje ministri. Buxheti vjetor i qeverisë në total është 4 miliardë lekë, nga të cilat 2.5 miliard janë shpenzime pagash e pensionesh. Sipas ministrit, Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë që ka shënuar rritje ekonomike gjatë një viti krize dhe kjo falë përkushtimit tuaj. “Ka diskutime të shumta nëse rrija është 4 apo 5 për qind, por pavarësisht kësaj edhe FMN dhe të gjithë organizatat e tjera kanë pranuar se Shqipëria këtë vit ka shënuar rritje ekonomike. Nga ana jonë kemi bërë të pamundurën për të lehtësuar klimën e investimeve të huaj dhe punës për biznesin, duke i çuar të gjitha lejet e licencat në një sportel të vetëm”, është shprehur ministri. Madje për të marrë lejen për të ngritur një hidrocentral, nuk është nevoja më të mbledhësh lejet nga institucione të ndryshme, por mund të merren të gjitha në një sportel. Duke iu përgjigjur pyetjeve të bizneseve të pranishëm në këtë takim, ministri ka theksuar se në pamundësi për të ulur TVSH-në për energjinë, qeveria ka vendosur të heqë këtë taksë për importin e makinerive dhe pajisjeve që përdoren për prodhim, duke synuar kështu të stimulojë ekonominë.