Gjobat ndaj biznesit, të ngrihet gjykata administrative
Disa nga gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj bizneseve, që kanë shkelur rregullat e konkurrencës së lirë në treg nuk janë mbledhur ende. Kjo pasi shumë prej biznese e kanë apeluar çështjen në gjykatë, çka ka bërë të pamundur vjeljen e këtyre gjobave. Në një situatë të tillë, ngritja e Gjykatës Administrative do të ishte zgjidhja e këtij problemi, pasi ajo do t’i jepte fund zgjatjes së gjyqeve mes shtetit dhe sipërmarrësve privatë. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo (Lati), ka raportuar dje në Komisionin e Ekonomisë, progres-raportin e Komisionit Evropian në fushën e konkurrencës. Në fjalën e saj, Milo tha se vlerësimet e Komisionit Evropian në fushën e konkurrencës për arritjen e standardeve evropiane janë pjesë përbërëse e kapitullit për tregun e brendshëm dhe pasqyrojnë veprimtarinë shumë dimensionale të Autoritetit të Konkurrencës, në arritjen e standardeve evropiane të një ekonomie tregu funksionale. Për vitin 2009, Komisioni Evropian e vlerëson punën e Autoritetit të Konkurrencës në drejtim të zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, si për përqendrimet e ndërmarrjeve, ashtu dhe hetimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në sektorin energjetik dhe atë bankar, organizimit të seancave dëgjimore me bizneset në fushën e importit të grurit dhe prodhimit të miellit, si edhe në tregjet e karburanteve dhe sigurimeve etj.