Çështja "Sefgjini" ribashkon opozitën
Ndryshe nga çfarë ishte parë ditët e fundit, dje opozita u shfaq e bashkuar në qëndrimin e saj për çështjen "Sefgjini". Rama dhe Meta ishin në të njëjtën linjë, teksa i kërkuan Kryeministrit ta shkarkonte drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve nga detyra. Kreu socialist e cilësoi qëndrimin e Kryeministrit të pajustifikueshëm. "Vazhdon të jetë mburoja e këtij personazhi, i cili është me siguri i pari njeri në historinë e botës që qëndron në një detyrë të lartë shtetërore duke qenë i arrestuar", vlerësoi Rama. Ky qëndrim, shtoi ai, në kundërshtim flagrant me etikën shtetërore e qeverisëse, hedh një hije shumë shqetësuese dyshimi mbi arsyet që ka Kryeministri i Shqipërisë për t‘u bërë mburoja e një njeriu të akuzuar për pjesëmarrje në një krim të organizuar. Rama konstatoi se "kapja e kryetarit të qeverisë pas historisë së errët të mosdënimit në të shkuarën të këtij personazhi për të mos e shkarkuar atë sot, edhe pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit shtëpiak, a thua se zotërinë e inkriminuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka emëruar gjykata drejtor të Tatimeve dhe mund ta shkarkojë vetëm ajo, është në rastin më të mirë papërgjegjshmëri e plotë. Dhe në rastin më të keq, abuzim i vetëdijshëm i Sali Berishës me mandatin kryeministror, për të ndikuar politikisht mbi procesin gjyqësor, duke u bërë publikisht mburojë e një të arrestuari", theksoi Rama. Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë të kryejë një orë e më parë aktin formal të shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve, si edhe të distancohet publikisht nga vrasja e të ndjerit Remzi Hoxha. "Po publikisht të inkurajojë zbardhjen deri në fund të kësaj enigme, që rëndon në ndërgjegjen e shtetit shqiptar", vijoi Rama. Sakaq, kreu i LSI-së, Ilir Meta, denoncoi sfidën që, sipas tij, Kryeministri Berisha po u bën gjykatave të vendit, duke mos shkarkuar një drejtor të besuar të tij të pandehur, që akuzohet për vrasje. "Njëkohësisht, duke paralajmëruar për ndëshkime Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për qëndrimin e saj plotësisht të drejtë kundër ligjit të gjobave ndaj biznesit, ligj i cili mori kritikat më të drejtpërdrejta edhe në raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë", theksoi Meta. Sipas tij, arroganca e jashtëzakonshme e Berishës ndaj pushtetit të pavarur gjyqësor, vjen menjëherë pas goditjes dhe shkatërrimit që ai i dha parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit, me ndryshimet Kushtetuese që realizoi në natën e 21 prillit. Sipas kreut të LSI-së, e gjithë bota demokratike po e kupton dhe do ta kuptojë çdo ditë e më mirë se Sali Berisha në natën e 21 prillit ka realizuar antireformën më të madhe në këtë vend, që nga koha e largimit të tij, duke shkatërruar demokracinë parlamentare. "Duke shkatërruar parimin themelor demokratik të ndarjes së pushteteve dhe si pasojë, duke cenuar rëndë pavarësinë e gjyqësorit", theksoi Meta.