Çështja “Xhuvani”, Halimi: Politikë penale e papranueshme

Ministria e drejtësisë kërkon procedim disiplinor për prokurorin e çështjes “Xhuvani” si dhe kryeprokurorin e Tiranës. Ministri Eduard Halimi në konkluzionet e inspektimit që ka dërguar kryeprokurores si dhe presidentit të vendit ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe respektimin e barazaisë penale. Në raportin e ministrisë midis të tjerash shkruhet:
“Ministri i Drejtësisë mban në konsideratë faktin që kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës ndonëse nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e vendimeve të dhëna nga sistemi i drejtësisë janë me rëndësi të jashtëzakonshme, parësore dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive dhe të drejtpërdrejtë sigurinë publike të qytetarëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi”.
Më tej raporti thekson se “Siguria publike cënohet rëndë në rast se politika penale ndaj agresoreve të jetës së qytetarëve ushtrohet në mënyrë selektive nga Prokuroria , të cilës Kushtetuta në nenin 148 ia ka besuar këtë funksion për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim. Një politike penale qe kerkon vetem 2 vjet burgim, ndaj agresoreve te jetes se qytetareve eshte e papranueshme”.
Pas përmbylljes së procesit gjyqësor ndaj Kostandin Xhuvanit, djalit të deputetes së PS Luiza Xhuvani gjykata vendosi një dënim prej vetëm 2 vitesh për veprën penale të vrasjes. Ky dënim i zbutur solli reagimin e minsitrisë së drejtësisë duke nisur një inspektim të dosjes penale, inspektim i cili mbyllet me raportin e sipërcituar i cili dënon ashpër politikën penale të ndjekur.