E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeshtja e emrit, analistët skeptikë për misionin e BE-së

Analistët politik e shohin me skepticizëm krijimin e një politike të re të Bashkimit Evropian ndaj çështjes së emrit. Sipas ish ambasadorit, Nano Ruzhin, propozimi i djeshëm i diplomatëve austriak dhe sllovak për hapjen e bisedimeve me BE-në paralelisht me bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit nuk është asgjë e re, pasi kjo ka ekzistuar edhe më herët si iniciativë për pranimin e Maqedonisë në NATO, por kjo ishte kundërshtuar nga Greqia. Sipas Ruzhinit një mundësi të tillë Greqia do ta hedhë poshtë ashtu siç bëri para 5 viteve.

“Situata është e ngjashme edhe sot. Nga njëra anë mendoj se Greqia do të kundërshtojnë por duke pasur parasysh se janë dobësuar mjaft politikisht edhe ekonomikisht, mund të ketë presion që të pranojnë fillimin e negociatave për kapituj të caktuar, megjithatë në një rast ato do të jenë në një situatë të mbrojtjes, prandaj diplomacia greke vështirë se do të pranojë një propozim të tillë, përndryshe kjo nuk është asgjë e re, në NATO ekzistonte si opsion nuk u pranua, mendoj se duhet të jemi realist që grekët përsëri do të kundërshtojnë”, deklaroi Nano Ruzhin, ish ambasador.

Edhe për analisten e çështjeve evropiane, Lidija Dimova, fakti që dy ministrat e Austrisë dhe Sllovakisë erdhën në cilësi të përfaqësuesve të shteteve të tyre, tregon se nuk bëhet fjalë për një iniciativë të re të Bashkimit Evropian, por për iniciativë individuale për të ndërhyrë në zgjidhjen e çështjes së emrit.
 

“Ata këtu erdhën si ministra të jashtëm të shteteve të tyre dhe jo të Bashkimit Evropian, faktikisht e ofruan ndihmën e tyre për zgjidhjen më të shpejtë të çështjes së emrit, por gjithashtu theksuan se kjo do të jetë e mundur vetëm nëse nuk e provokojmë në mënyrë shtesë Greqinë. Porosia është shumë e qartë, është mirë që ata janë të interesuar por nuk do të thotë se Bashkimi Evropian ka ndryshuar politikën”, u shpreh Lidija Dimova, analiste.

Sipas ish ambasadorit Nano Ruzhin, qeveria nuk do ta marrë parasysh as sugjerimin e diplomatëve të huaj që të mos bëjnë provokime që mund ta irritojnë Greqinë pasi siç u shpreh ai, për këtë qeveri është me rëndësi të mbetet në pushtet dhe nëse duhet do të luaj akoma më shumë në kartën e nacionalizmit dhe pratiotizimit, në vend të zgjidh interesat e vërteta të shtetit. Një ditë më parë për herë të parë në histori ministrat e Jashtëm të dy shteteve anëtare të BE-së së bashku vizituan Maqedoninë. Ata e këshilluan qeverinë që të ketë qasje konstruktive dhe proaktive në zgjidhjen e çështjes së emrit, të mos provokojnë në mënyrë shtesë Greqinë dhe shpalosën idenë që bisedimet aderuese të zhvillohen paralelisht me ato për zgjidhjen e çështjes së emrit, me kushtin që para përfundimit të bisedimeve çështja e emrit të jetë e zgjidhur.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›