E Diel, 1 Nëntor 2026

“Turistët” bullgarë bastisën 20 bankomate në katër qytete, sot do të njihen me masën e arrestit në gjykatë

04/08/2011  Pesë hakersat shitnin të dhënat e kartave në Bullgari dhe Amerikë

TIRANE- Plot 20 bankomate të disa bankave të nivelit të dytë kanë rënë preh e bastisjes elektronike që 5 shtetasit bullgarë kryenin nëpërmjet kartave të klonuara. Alarmi vjen nga vetë bankat e dëmtuara, të cilat kanë denoncuar në polici rastet e evidentuara në mënyrë private. Kryesisht bankomatet ku janë bërë transaksionet ishin pozicionuar nga bankat në qendrat tregtare në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë, por burime pranë njësisë hetimore Task-Forcë pohon se janë evidentuar raste ku të arrestuarit kanë grabitur dhe bankomatet e pozicionuar në rrugë. Sipas ekspertëve, kjo gjë tregon se sistemi ynë bankar vazhdon të jetë ende i dobët për sa u përket sulmeve elektronike. Pesë bullgarët nëpërmjet pajisjeve të klonuara, mikrokamerave dhe mikroçipeve arrinin të siguronin të dhënat e kartave të qytetarëve, duke i përdorur më pas ato për të kryer transaksione të ndryshme. Por jo vetëm kaq, pasi sipas specialistëve të njësisë hetimore Task-Forcë një pjesë e këtyre të dhënave, si kodet e kartave dhe të dhënat e tjera, shiteshin te hakersat bullgarë dhe amerikanë, të cilët më pas i përdornin për vjedhje të ndryshme. Grupi i pesë bullgarëve të arrestuar që udhëtonin në drejtim të Shqipërisë si turistë, e kishin vizituar dhe disa herë të tjera vendin në periudha të ndryshme. Gjatë këtyre periudhave ata kanë arritur të kryejnë rreth 100 transaksione me një vlerë financiare prej 150 mijë euro. Ditën e sotme të arrestuarit Dragomir Bonev, Ivo Ivanov, Pavel Milenov, Nikolay Tosonev dhe Aleksandër Kolev do të njihen me masat e arrestit në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›