E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë del nga operacioni plastik i biografisë së Matilda Makoçit

Nga Bejdo MALO
Një ditë të ftoftë marsi, në sportelin e ankesave të Albtelekomit, ku radha zihet veç burrat dhe veç gratë si në kohën e qametit, u përballa në sportel me aktoren e mirënjohur Matilda Makoçi. Pamja e saj më trishtoi. Ajo që kishte mbetur e përjetshme ishte buzëqeshja me gjysëmbuzë që i lexohej dhe në filmat që ka luajtur, por dhe në jetën çapkëne të saj. Flokët i kishte plotësisht të thinjura por dukeshin jo mirë për shkak se  ishin gjysmë të ngjyera me një bojë në permanent. Më saktë kishin nja tre muaj që ishin lyer. Gjysma e sipërme e tyre ishte e kuqërremtë. I lashë radhën. Përballja më mbushi me trishtim, me keqardhje dhe me shumë ndjesi të tjera. Pamja e saj më mbeti gjatë në kujtesë. Kishte një problem me telefonin dhe me një ëmbëlsi prej lulebore, ju prezantoi hallin grave të ankesave në Albtelekom, të cilat as kishin ndërmend ta vinin ujin në zjarr. Ishte e vetmuar. Më mbetën në mendje tërë gjestet e saj. Telenovela e jetës së saj kishte ditë që kishte pushtuar faqet e gazetave, njësoj si telenovela e Erieta Avdylit para disa vitesh. Këdo të gërvishtësh nga ne për shkak të dy kohëve të jetës në socializëm në këtë kohë që erdhi pas tij, helm e kemi. Bluajmë të njëjtit gurë hallesh. Këtë fjalë të urtë e kam huazuar nga zoti Sabri Godo në librin e tij Prova e Zjarrit. Jeta e të gjithë ne është një provë zjarri, por jeta e kësaj të shkretës është prova e sprovës së zjarrit. Një prej shokëve të klasës së Matilda Makoçit në ish- Politeknikumin 7 nëntori më tha: "Edi Rama u shpejtua që u martua  me Matilda Makoçin. Matilda kishte hallet e saj. Por ajo që më turbulloi më shumë ishte fakti se kush ishte i interesuar që të bënte operacion plastik në biografinë e ish- çiftit më të admiruar të Tiranës, kush ishte i interesuar që të lëndonte biografinë e Matilda Makoçit. Kur gjithë këtë telenovelë e dëgjon të artikuluar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të cituar me ekzaktësi nga goja e prindërve të saj, dilemat të shtohen më shumë. Atëherë e ribën pyetjen për herë të dytë. Kush qenka i interesuar për këtë telenovelë. E kishim harruar Matildën dhe tërë biografinë e saj, që kur opinioni u nda më dysh nga ajo që botoi një gazetë ditore para dy vjetësh. Mua tërë kjo telenovelë më ngjau si telenovela e shtëpisë në Lanë, që Policia Ndërtimore e Bashkisë së Tiranës   na e ka lënë pa prishur. Të lindin me dhjetëra pyetje. Si mund të jenë të ngujuar për gjakmarrje në mes të Tiranës një familje, kur ajo tregohet me gisht nga tërë banorët e fshatit të madh me emrin Tiranë. Gjakësi mund ta marrë hakun kur të dojë, nga të dojë dhe si të dojë. E vetmja mbrojtje që është për të ngujuarit, është një reklamë e një banke nga ato që nga vendi ku ka selinë qendrore, ka flaimetuar njësoj si familja e ngujuar. Reklama është vënë në dritaren e tyre nga rruga. Kaq i mistershëm është operacioni plastik i biografisë së Matilda Makoçit, sa misteri i shtëpisë në Lanë. Nuk paska aq lekë qytetari i parë i Tiranës nga taksat tona, që të blejë një shtëpi për këtë familje të ngujuar? Kush nga anëtarët e këshillit bashkiak nuk do ta miratonte një fond të tillë, nëse kryetari do ta parashikonte në buxhetin e vitit 2008 apo 2009 të Bashkisë së Tiranës. Kam pasur fatin ta diskutoj me mbi gjysmën e anëtarëve të këshillit bashkiak, të majtë e të djathtë dhe të gjithë janë të gatshëm ta miratojnë. Atëherë pse lihet shtëpia në Lanë? Mister. Ky operacioni plastik është aq i mistershëm sa vetë buxheti i Bashkisë së Tiranës. Nuk është vendi ta anatemojmë në këtë shkrim se të gjithë e dimë se cila është telekomedia që po shikojmë prej tre muajsh me mbledhjet e këshillit bashkiak. Ky operacion plastik është pararendje e shëmtuar e fushatës politike të këtij vendi, që jetën e ka më të copëtuar më të gripuar dhe të ndryshkur se sa jeta e personazhit të shkrimit dhe e të gjithëve prej nesh.  Dolëm me brinjë të dala nga regjimi dhe u zhytëm në plagët sociale që prodhonte post komunizmi. Ato na shpërfytyruan. Misteri i këtij operacioni plastik është njësoj si dhjetëra mbledhje të KKRRT-së së Bashkisë së Tiranës, në të cilat nuk ka bir nëne ta kuptojë se cili është kriteri i marrjes së një leje ndërtimi apo shumë procedurave të tjera që zbatohen në këto mbledhje. Misteri i operacionit plastik të biografisë së saj është njësoj si misteri i listës së deputetëve të Partisë Socialiste që do të dorëzohet pas 45 ditësh në KQZ. Janë shpërfytyruar të gjithë kandidatët e mundshëm. Kanë dalë nga vetvetja Kastriot Islami dhe tërë garda e deputeteve të PS, që i rriti, krijoi dhe i prodhoi si modele aproksimative Fatos Nano dhe PS. Janë gati të shesin gjithçka, dinjitetin burrërinë, integritetin, vetëm e vetëm që ata të jenë në top-listën misterioze dhe enigmatike që do të dorëzohet në KQZ. A e imagjinoni tërë burrërinë e Gramos Ruçit, të mbyllur në një zarf me 140 emra? Më vjen keq për ta. Janë investimi më i madh i këtyre 18 vjetëve. Por të gjithë janë zvogëluar tre herë. Nga dita në ditë më duken më të shkurtër, më të hirtë dhe më të lodhur. Me dy fjalë, i treti ankthi. Misteri i operacionit plastik është njësoj si mënyra se si funksionon tërë administrate e Bashkisë së Tiranës.  Anekdotat tani i dëgjon prej kohësh nën zë, se kështu jemi gatuar ne. Kur nuk je më, të thyejmë brinjët. Një ish- deputet i PS, më tha me trishtim: "Jemi në udhëkryq. Shikon ndonjë socialist të punësuar në bashki"? - Jo, i thashë. "Më keq do bëhet", më tha. Misteri i këtij operacioni është njësoj si politika përtej së majtës dhe të djathtës. Vërtet kujton ai se ua mbushi mendjen shqiptarëve. Në këtë fushatë mbi politikën është kriza financiare që ka gjunjëzuar botën. Dëgjon ndonjë formulë nga goja e atij që pretendon të marrë pushtetin. Kurrën e kurrës. Dëgjon broçkulla. Unë jam shumë i ofenduar si taksapagues i Bashkisë së Tiranës. Si ka mundësi që ura mbi Lanë shumë afër shtëpisë së prindërve të Matilda Makoçit që prodhuan atë telenovelë të famshme, mbahet peng nga Bashkia e Tiranës? Pse rri e mbyllur!?. Që të staxhionohet betoni", ka dalë një anekdotë së fundi. Kjo bashki s' ka bërë një parking. Ka prodhuar vetëm hekura të kuq, që bllokon rrota makinash anekënd Tiranës. A ka burrë nëne që ta shpjegojë bashkëjetesën e shëmtuar të policisë rrugore dhe policisë bashkiake me gjoba në dorë? Tani blloqet e gjobave të makinave i kanë dhe patrullat e 19- ës. Ky mister është më mister se operacioni plastik i biografive të diktaturës. Shikoni sa bukur bashkëjetojnë me misterët. Janë shumë më shumë se këta që përmenda unë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›