E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, shpesh gënjeshtra më e madhe shprehet duke heshtur!

Nga Xhevahir TAHIRAJ 
Çfarë e shtyn Edi Ramën t'u shmanget debateve televizive, transparencës në bashki dhe përgjigjes së mjaft çështjeve që po zhveshin "lakuriq: portretin e tij, duke çuar gjithnjë e më shumë në zhvlerësimin e figurës së tij? Mirëpo të drejtosh një parti me emër e me vlerë të trashëguar dhe të kujtosh se mund ti përvetësosh edhe emrin, namin e mirë asaj është sa turp aq edhe e përkohshme. Desocialistizimi moral i asaj partie dhe erozioni masiv është bërë aq i dukshëm sa vala e zgjimit, njohjes dhe kuptimit të vërtetave po përhapet me shpejtësi nga kryeqyteti drejt qyteteve të mëdha të Shqipërisë. Mitingjet me xhufka, konferencat e shtypit dhe zëdhënësit e tij nuk bëjnë asnjë efekt infuziv në bindjet e masës. Një shaka në dasma, një bisedë ë shtruar e miqësore në fise, një debat në klubin e fshatit apo të lagjes i shfryn tërë ato marshime e rrokaqafje aq "shoë biz" që u duket emisarëve si sjellje popullore me efekte të mëdha. Të zgjedhësh rrugën e heshtjes dhe mosdëgjimit, të këmbëngulësh në synimet e padeklaruara si gozhda e betonit është sa e frikshme aq edhe e pasigurt. Edi Rama nuk e di dhe as nuk ia thonë dot njerëzit përreth tij se është mbjellë e po zgjerohet një opinion i rëndë i mosbesimit tek ai. Asnjë shenjë dashamirësie, mirëkuptimi, konseguence sociale apo respektim të kodit socialist nuk ka shfaqur ai. Filozofia e proverbës "qent le të lehin, tymi të shkojë drejt", që zbaton Edi Rama po shton terrin dhe neverinë për ato që shkruhen e thuhen për atë, në shtyp e televizor. Të gjithë kanë të drejtë të pyesë, aq më tepër të majtët, dhe ai ka detyrim të përgjigjet. Çdo njeri që hyn në jetën, mendimet bindjet dhe aspiratat e shoqërisë, ka detyrime aq të thella sa lartësia e ngritur me votën e admirimin dhe respektin e shoqërisë. Asnjë s'ka të drejtë të fshehë apo të mbulojë vese, turpe e sjellje amorale që e skuqin, nxijnë apo rrënojnë atë, dhe t'i trajtojë ato si privatësi. Asnjeri nuk kërkon rrëfim shpirtëror para Zotit. Por të krijojë bindje e të ndjekë pas kushdo e kërkon titullarin normal mendërisht, të urtë e të durueshëm që ti punojë arsyeja, të ndershëm e moralisht shembull. Nuk e do populli udhëheqësin e acaruar e nevrik, gënjeshtar dhe përvetësues, nepotik e prepotent sepse ai kërcënon e errëson të ardhmen. Fakti që të dy të mëdhenjtë me testimet e bëra nuk i kalojnë 40 % pëlqimin e shqiptarëve flet për shprehjen e përgjithshme "bir Selman i nënës, kë të qaj më parë". Po qahemi nga shiu, e po na vjen breshëri. Mirëpo tani e keqja shtohet dhe mbulohet. Hyrja në zgjedhje me lista të mbyllura do të thotë përzgjedhja që të "mëdhenjtë" do t'u bëjnë ekipeve. Nga njëra anë përjashtohet njohja, kontrolli dhe vlerësimi i masës, nga na tjetër do kemi ekipe partiake me cilësitë, afërsitë, aftësitë, përshtatjet e besnikëritë e titullarëve. Jë administratë nepotike po lind një klasë e re politiko-nepotike. Askujt nuk i intereson asgjë nga shfaqjet, veprimet apo grindjet e politikës nëse ato nuk do të ndikonin mbi hallet dhe jetët tona. Askujt nuk i intereson privatësia e tjetrit, nëse ai nuk kërkon të na përfaqësojë dhe me votat tona, të flasë në emrin tonë, të mbrohet me parzmoren që i falim ne dhe të na rrjepë e shfrytëzojë pa vrarë sedrën e merakun për mjerimin tonë. Këtej lind e drejta e pakufizuar e zgjedhësve për t'u njohur me ekipet e përzgjedhura të Ramës, Berishës,.Metës etj. Aq më tepër tërë anëtarësia e majtë duhet të mos lejojë Ramën të njollosë këtë formacion me thithakë e lëpirës, me të ngjashëm e të afërt të tij pa përfillur opinione e relatime nga qarqet, rrethet, bashkitë. Rama po u lejua tani të punojë "natën", "vetëm" dhe në pus e terr, e majta të përgatitet për humbjen, shthurjen dhe përfundimisht asgjësimin e gjeneratës së majtë të re. Veç kësaj nesër të mos u vijë turp se do të na thërrasin me emra e mbiemra, me epitete fyese, tallëse e përbuzëse si pasojë e nameve të shfaqura e të pashfaqura, të përfolura, qesharake e të turpshme përveçse që ziejnë nëpër rrugë, gazeta, masmedia e kudo. Sigurisht që populli nuk i merr të vërteta as intrigimet e shpifjet, aq amplifikimet që bëjnë struktura llafazanësh me e pa pagesë, por fakti që tërë shoqërinë e përshkon e dridhura dhe neveria, kur sheh se ka votuar për një të droguar, për një pusht, për një njeri me dosje e në shërbim të qarqeve vrastare të Shqipërisë dhe nuk ka ç'i bën më, atëherë është vonë edhe pendesa edhe kthesa. Deri tani po dëgjojmë vetëm slogane, e asnjë alternativë programore të strategjisë së zhvillimit të vendit. Është e vërtetë që masa e gjerë nuk i përfill më premtimet, nuk u kushton interes shpifjeve dhe i dënon sharjet e fyerjet. Aq të vërteta janë këto, sa po shohim që edhe pse ka gati një vit që ka nisur fushata, dhe opinioni rreh vetëm tek hallet e përditshme. Mirëpo ka arritur një pikë që si e majta dhe e djathta vetëm mallkohen e paditen për situatën. Por qeveria e ka brenda koston e shokut Sali, sado të flasë e çudisë ai për planet e mëdha në 4- vjeçarin e ardhshëm. Këdo të përgojojë, përbaltë e kërcënojë, ai ngjall vetëm rritim e alergji. Edhe heshtja e Edit flet e kuptohet me gjuhën e e pasigurisë, panikut të tij të brendshëm, papërgjegjshmërisë që po çon të majtën drejt humbjes. Heshtja vërtetë shpreh edhe qetësi e vetëpërmbajtje por Edi Rama nuk është shquar për asnjërën dhe asnjëherë për këto. Ndaj zvarritja dhe ecejaket e Edit janë si vrapimet e hajdutëve që tremben edhe nga zhurma më e vogël. Siç duket socialistët do ta shijnë vetë gurin se kalin që zgjodhën për të shirë lëmin nuk po e fusin dot në fre. Edi, edhe dy vjet është pashai i Tiranës, ndërsa turpi dhe faji do t'i mbetet partisë Socialiste.                                          

Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 23:03

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›