Rasti Pango dhe eksperimenti i Pavllovit
Nga Shpëtim LAME
Çdokush që ka mbaruar arsimin e mesëm, në lëndën e biologjisë ka mësuar për eksperimentin e thjeshtë, që Pavllovi ka realizuar me qentë. Me anë të këtij eksperimenti, na sqarohet sesi mund të formohen reflekset e kushtëzuara apo të fituara, njëkohësisht ndryshimin e tyre, në lidhje me reflekset e pakushtëzuara apo të trashëguara. Këto dy lloj refleksesh janë edhe të çdo qënie njerëzore. Pavllovi, sinjalin e dritës së një llambe elektrike e shoqëronte me praninë e ushqimit për ato. Pas shumë provash, edhe kur ky sinjal nuk shoqërohej me ushqimin konkret, në çdo rast vërehej se te qentë ndodhnin proceset përkatëse fiziologjike, krejtësisht si në rastin e pranisë, të perceptimit të drejtpërdrejtë të tij. Pra siç shihet, sinjali dritor me kalimin e kohës kthehej në një urdhër të brendshëm, për fillimin dhe zhvillimin e procesit fiziologjik paraprak të të ushqyerit. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja se cila është ngjashmëria, se çfarë lidhje mund të gjejmë, ndërmjet rastit Pango dhe këtij eksperimenti. Pse duhet ta riveçojmë pikërisht këtë rast, kaq shumë të trajtuar në median e shkruar dhe elektronike, në një kohë që askush nuk dyshon se reflekset e pakushtëzuara, janë karakteristikë për cilëndo qenie njerëzore, pa përjashtim. Për këtë na duhet që në kontekstin e jetës tonë të përditshme, paraprakisht të japim përgjigje për pyetjet; kush është Pavllovi, kush janë qentë, kush e luan rolin e sinjalit dritor dhe kush atë të ushqimit. Mund të duket e pa pranueshme, madje deri diku absurde, por sipas mendimit tim, Pavllovi ka qenë dhe është secili nga ne. Jo në pikëpamjen, në rrafshin e realizuesit të një studimi shkencor, por pa asnjë mëdyshje në kuptimin se me veprimet dhe mos veprimet tona, çdo ditë dhe më shumë, mjerisht kemi krijuar terrenin më të përshtatshëm, duke ndihmuar për të kultivuar dhe ushqyer veset e vjetra dhe të reja, të njohura dhe të panjohura deri tani në historinë e shoqërisë, me të gjitha pamjet dhe rrjedhojat e tyre më të shëmtuara. Absurdi nuk mbetet me kaq, sepse ne gjithashtu jemi edhe sinjali edhe ushqimi. Bashkësia e pangove, ka në funksion të plotë dhe në fuqizim të vazhdueshëm, refleksin e pa kushtëzuar të korrupsionit moral dhe material, nëpërmjet abuzimit të përditshëm me pushtetin. Gjithashtu ka edhe shumë fytyrësinë, apo siç thuhet në gjuhën e popullit; ndryshe mendon, ndryshe flet, ndryshe vepron. Një mpleksje, një aliazh i tillë, që përputhshmërinë e njëkohshme të tyre e ka bërë krejt të pa mundshme. Flasin e flasin për lirinë, si për këtë të sotmen, ashtu dhe për atë të djeshmen e munguar dhe të dhunuar, por në fakt veprimet e tyre na tregojnë se për të gjithë ata, liri do të thotë, të korruptosh e të korruptohesh. Regjistrimet me kamerën e fshehtë, vetëm bëjnë të mundur, që publikut ti përcillet haptas rrjedhja e papërmbajtshme, shpërthimi i proceseve psiko-fiziologjike, psiko-motore. Ngjarja Pango, na përcolli vetëm njërën pamje të tyre. Atë që lidhet me përpjekjen e dhunshme për përmbushjen e urisë seksuale. Çdo ngjarje në vetvete, veçmas mbetet e panjohur për publikun e gjerë, por këtë nuk mund ta themi për dukurinë, grimcë e vogël e të cilës ajo është. Edhe Fiks-i na ka njohur me ndonjë prej tyre, por jo me dukuritë, sepse ato ulërijnë lakuriq para syve dhe veshëve të të gjithëve. Ne ndaras, nuk induktojmë dhe nuk nxisim asnjë lloj refleksi, sepse tashmë ato, bashkësia e pangove i ka perfeksionuar deri në atë shkallë, sa është mjegulluar kufiri ndërmjet tyre, madje të bën të pranosh mundësinë e shndërrimit, në njëri-tjetrin. Me përcaktueshmërinë, bashkësia e pangove, nuk kam si qëllim të kufizoj madhësinë dhe funksionet e saj, as te ngjarja dhe as te elementi i përzgjedhur me kujdes nga fiksat dhe jo nga friksat, që edhe nëse nuk e kanë të paracaktuar përkushtimin mercenar, mund të shndërrohen në manipulues të vetvetes dhe të të tjerëve. Elementët e bashkësisë nuk janë një funksionesh, pavarësisht se në cilin prej tyre bëhen publikisht të njohur, të verifikueshëm. Uritë, mosngopjet dhe babëzitë e tyre, janë të shumta. Risia nuk ndërpritet, prandaj nuk ka pse të humbim kohë për hartimin e një liste, sepse në fund të fundit, duke u prirë nga përvojat vetjake të gjithsecilit, kjo listë do të jetë e mangët. Ne ngulemi gozhdë para ekranit, për të përpirë çdo gjë nga ngjarja e paralajmëruar. Pas një dite që pak zbardh, që përsëri nxin ashtu si të shkuarat, harrohemi dhe harrojmë, megjithëse hapim katërsh sy e veshë. Ne jo mëkatarët, ngopemi me njohjen e përmbajtjes së ngjarjes, tejngopemi veçanërisht me personazhin mëkatar, hutohemi me përjetimet dhe historikun e tij, me theqafjen ekspres të tij, por kurrsesi jo me atë të dukurisë. Pas kësaj, jo aq larg të të qënit qen, me pa anshmërinë e dijes tonë, nuk bëjmë dot pa i nxjerrë ujin argumenteve, precedentëve, për analizën e raportit të brishtë, të pa përcaktuar, ndërmjet privatësisë, interesit publik dhe interesantes për të. Duket sikur vetëm kështu mund të trimërohemi, mund të bëhemi të gjallë, sepse nuk kemi guximi të pranojmë dhe të përballemi me dobësinë tonë. Lahemi dhe fshihemi, me dhe pas ngjarjes konkrete, pjesë e së cilës natyrisht nuk jemi. Nuk kemi guxim të kumtojmë se me vogëlsinë tonë, të njerucit dhe jo të njeriut, në cilindo moment që luajtëm rolin e Pavllovit, në mënyrë të pakthyeshme u vetë shndërruam në sinjal dritor dhe në ushqim. I njohim mirë reflekset e veseve të bashkësisë së pangove, por edhe ajo nuk mbetet prapa, sepse i njeh më mirë reflekset tona. Ata po parapërgatiten për provën e madhe, me mitingjet dhe procesionet e radhës, sosh prej tyre të huazuara nga e shkuara dramatike dhe tragjike e popujve. Do të përdorin si sinjal, drita të forta për mitingjet, të zbehta për procesionet dhe si ushqim demagogjinë. Më pas asgjë nuk do të ndryshojë. Mitingjet dhe procesionet do të kenë emërtime të tjera, ndërsa ne përsëri, në funksionet tona, do të mbetemi njëlloj të përdorur dhe të shpërdorur. Duke vuajtur nga humbja e kujtesës, të humbur në errësirën e demagogjisë, do të fillojmë nga e para, si jetësues të reflekseve dhe tjetërsues të vetvetes, që fshihemi pas ndonjë ngjarjeje, të përzgjedhur me aq kujdes nga fiksat për friksat, megjithëse siç na thuhet, ato i shërbejnë vetëm interesit të publikut. Ashtu qoftë.
Last Updated on Wednesday, 18 March 2009 16:19