E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë do të fliste një emigrant në televizion

26-04-2011 / Nga Rexhep Shahu

Lin Totën e kam shok prej 35 vitesh. U takuam pas 31 vitesh. Është nga një fshat i Pukës. Jeton prej 1997-ës jashtë Shqipërie, kohë kur siç thotë ai, “na përzuri atdheu…”. Ka ardhë në Shqipëri për Pashkë dhe Fushatë... Ç’ne për fushatë?, i them. Po ku ka prind që nuk ia përfill deshirat fëmijës emigrant, o mik, më kthehet ai. Është ende shumë e fortë lidhja e emigrantëve me familjet këtu. Dëshirat e mia do t’i plotësojnë prindërit e mi edhe qoftë duke rënë ndesh me dëshirën e tyre.
Teksa pimë kafe, ai flet, rrëfen, me mallin që ka për atdheun, (mall, që ai të cilit nuk i ka munguar atdheu kurrë, nuk e njeh dhe, edhe mund ta përqeshë…).
Përpiqem të jem në rrjedha të zhvillimeve në vendin tonë, më thotë shoku im. Por më duket se këtu njerëzit ose nuk shohin, ose nuk janë seriozë. Më duket se edhe disa emisione që bëhen, bëhen sa me kalue radhën dhe mos me e lanë bosh kohën  televizive. Ka probleme këtu mjaft, por duhet mos me qenë kaq negativistë sa janë njerëzit. Duhet me i pohu disa ndryshime që janë të rëndësishme dhe që janë bërë vitet e fundit. Unë si emigrant shoh ndryshime, bëj krahasime…
E dëgjoja me kërshëri. Ai nuk është gazetar, është punëtor atje në vendin e huaj. Por mënyra se si fliste, ajo çfarë thoshte, më dukej e lakmueshme për çdo gazetar serioz ta kishte në studio si bashkëbisedues. Ose, më e pakta, t’i drejtonte mikrofonin për një opinion të shkurtër në një kronikë lajmesh.
Ta zëmë se të erdhi tani një mikrofon këtu ku jemi në kafe dhe të të pyeste gazetari, çfarë do t’u thoshe njerëzve për këto ndryshime që kanë ndodhur në vitet e fundit në Shqipëri, çfarë do flisje Lin, bëj gazetarin unë. Nuk jam unë me folë për mediat, nuk di…, hezitoi ai. Lin, ke kohë tre tre minuta të japësh mendimet e tua…
“Më ka ndodhur mua personalisht para shumë vitesh, teksa vija nga jashtë shtetit për në Pukë te prindërit, që më kanë ndaluar 27 herë policët dhe më kanë kërkuar të paktën nga pesë euro. Po deshe mos i jepje. Të bllokonin në rrugë duke nxjerrë dhjetëra pretekste dhe koha ikte. Dhe t’i kërkonin dhunshëm. Të kontrollonin dhe brekët nëpër çanta e t’i lëshonin në tokë… Këto vitet e fundit, nuk bën vaki me të ndalue më shumë se dy herë. Të kërkojnë edhe tani, por në një mënyrë më të rafinuar. Lypin me edukatë… Ndryshimi është si nata me ditën. 15-16 orë më bënte udhëtimi nga kufiri jugor i vendit për në fshat në Pukë. Rrugët ishin skandal. Sot gjithë atë rrugë e bëj me makinën time për 6-7 orë. Është mirat i madh. Është luks me e krahasue me atë kohë. Unë jam një emigrant dhe shumëkujt mund ti duket gjë e kotë kjo që po them. Por llogarisni se si unë e kanë parë dhe mendojnë shumë emigrantë. Kur kthehem këto vitet e fundit nga Shqipëria për atje ku punoj, nuk shkoj drejt e në servis të makinës, sepse nuk më është prishur makina në Shqipëri. Edhe një gjë që në dukje është e vogël, por një emigrant e sheh. Edhe pse këtu njerëzit mund ta kenë harruar.
Në një darkë që shtronim te prindërit, ose nuk kishte drita elektrike fare ose fikeshin dhjetë herë gjatë darkës. Sot nuk i fiken më askujt dritat, as në darkë e as mbas darke. Është ndryshim i madh. Veç kush nuk do me e pa dhe kush ka harrue. Është harrue stresi që na shkaktonte të gjithëve fikja e dritave.
Po të doje të nxirrje një dokument a makar një çertifikatë këtu në Shqipëri para disa vitesh, duhej të llogarisje të vije në dispozicion të paktën një javë. E kam provue në kurriz, si shumë emigrantë të tjerë.
Sot, çfarëdo dokumenti në zyrat e shtetit, nëpër bashki apo komuna, mundesh me e marrë brenda ditës ose dy ditëve. Dhe pa u lutë, pa u vu në siklet me dhënë euro. Ka shumë përmirësim administrata në tërësi. Nuk po them se është perfekt, por ndryshimi është si nata me ditën sa i përket se si sillet sot administrata…, vazhdonte të më fliste Lini dhe unë e admiroja për qartësinë.
Ma bënte ai më të bukur vendin tim. Shihte të bukurën, përtej blablave të partive, përtej mosvlerësimit të asgjëje, përtej mohimit të gjithçkaje, përtej analistëve…
Mjaft Lin, ia ndërpreva ligjërimin. Ke folë më shumë se 3 minuta. Kaq lejohet maksimumi, kur të kanë me hatër, në një kronikë televizive…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›