E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ftese…

Një ftesë e Presidencës spanjolle për pjesëmarrje në Samitin e Sarajevës, që do të mbahet më 2 qershor, ka mbërritur në Prishtinë.

Ftesa, të cilën tashmë e kanë pranuar institucionet e vendit, është e nënshkruar nga Ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos, por ajo nuk i drejtohet askujt, e as nuk përmend ndonjë institucion të Kosovës.

“Në emër të Presidencës spanjolle dhe të Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule ju ftoj në takimin e nivelit të lartë në Sarajevë më 2 qershor 2010. Përfaqësuesja e lartë BE’së dhe Nënkryetarja e Komisionit do t’i drejtohet takimit”, thuhet ndër të tjera në ftesë.

Në të, Moratinos ka sqaruar edhe formatin e takimit.

“Takimi do të mbahet në kuadër të formatit Gymnich për të mundësuar një këmbim të hapur dhe të gjallë mendimesh. Perspektiva europiane e rajonit do të jetë tema kryesore e këtij takimi”, thuhet në letrën e Ministrit të Jashtëm spanjoll.

Por kjo ftesë nuk i adresohet në mënyrë specifike asnjërit institucion të vendit. Në krye të letrës, me “shkronja të dorës”, Moratinos ka shkruar “I dashuri mik”.

Sido që të jetë, Ministria e Jashtme e Kosovës, të mërkurën ka lëshuar një njoftim në të cilin thuhet se Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni është ftuar të marrë pjesë në këtë samit.

Aty thuhet se ftesa ka ardhur nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian në Prishtinë. Kjo edhe për shkak të faktit se Spanja gjatë kryesimit me BE’së pothuajse nuk ka komunikuar fare me autoritetet në Prishtinë, pasi Kosovën e sheh ende si pjesë të Serbisë.

“Komisioni Europian i ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ftesën e Presidencës spanjolle të BE’së për pjesëmarrjen e Kosovës, përkatësisht Ministrit të Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni në Samitin e Sarajevës, i cili do të mbahet në 2 qershor”, thuhet në kumtesën e MPJ’së.

“Në ftesë qartazi thuhet se, takimi do të mbahet nën formatin “Gymnich”, format me të cilin institucionet e Republikës së Kosovës janë pajtuar, për shkak se ofron një pjesëmarrje të barabartë me vendet e tjera”, vazhdon njoftimi i Ministrisë.
Një ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Sarajevës e ka marrë edhe Përfaqësuesi i UNMIK’ut, Lamberto Zannier.

Zëdhënësi i UNMIK’ut, Russel Geekie ka thënë të mërkurën se Zannier në Sarajevë nuk do t’i përfaqësojë institucionet e Kosovës dhe se ai do të flasë vetëm në emër të UNMIK’ut.

Megjithëkëtë, prania e tij në takim do t’u mundësojë autoriteteve të Beogradit për të thënë se Kosova akoma përfaqësohet nga UNMIK-u dhe Rezoluta 1244.

Në takime të formatit Gymnich nuk përdoren simbolet shtetërore, e as emri i shteteve, por vetëm emri dhe mbiemri i përfaqësuesve që marrin pjesë. Ky model është zgjedhur pikërisht për shkak të kundërshtimit të Serbisë për pjesëmarrjen e Kosovës.

Autoritetet në Prishtinë kanë thënë se në Samitin e Sarajevës, Kosova do të përfaqësohet e barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se vendi do të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në këtë takim.

“Natyrisht aty do të jemi të trajtuar në mënyrë të barabartë dhe me qasje që do të ruajë dinjitetin edhe të përfaqësuesit, por edhe të identitetit shtetëror”, ka thënë ai.
Për të bindur Prishtinën që të marrë pjesë në takimin e Sarajevës, javë më parë ka udhëtuar Shefi i diplomacisë italiane, Franco Fratini, pasi këtë nuk e kishte bërë homologu i tij spanjoll, Miguel Angel Moratinos, i cili ka vizituar Shkupin, Beogradin dhe Podgoricën, por ka anashkaluar Prishtinën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›