Ambasadori rus: Shqipëria bëri progres të shpejtë
Kryetarja e Kuvendit priti dje ambasadorin rus Aleksander Prishepov në fund të mandatit të tij. Diplomati rus vuri në dukje se gjatë katër viteve të qëndrimit të tij në Shqipëri ka parë një progres të jashtëzakonshëm. Ai tha se nuk di një vend tjetër që të ketë arritur kaq shumë në kaq pak kohë. Ambasadori rus theksoi se ishte shumë i kënaqur që kishte shërbyer në Shqipëri, ku, siç u shpreh ai: “Nuk u ndiem aspak të huaj”. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit falënderoi z. Prishepov për kontributin që ai ka dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht për nxitjen e marrëdhënieve mes dy parlamenteve. Duke kujtuar katër vitet e kaluara në Shqipëri, ambasadori Prishepov vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht në fushën politike dhe
ekonomike, kanë njohur zhvillim mjaft të mirë. Ambasadori Prishepov dhe kryetarja Topalli theksuan rëndësinë e nxitjes e shkëmbimeve ndërparlamentare dhe u shprehën optimistë për zhvillimin e marrëdhënieve edhe në këtë fushë, duke pasur parasysh ndjenjat e simpatisë së ndërsjellë që ekzistojnë mes dy popujve. “Rusia është një faktor shumë i rëndësishëm politik dhe ekonomik në nivel global dhe unë dua t’ju falënderoj për vullnetin e treguar në këtë drejtim”. Topalli informoi ambasadorin rus në Tiranë për situatën e përmbytjeve në zonën e qarkut të Shkodrës, ndërsa i pohoi se tashmë momenti i vështirë është kapërcyer. Në përgjigje të interesit të z. Prishepov për situatën në këtë zonë, kryetarja e Kuvendit tha se tashmë momenti i vështirë është kapërcyer dhe jemi në fazën e postemergjencës kur duhet të bëhet vlerësimi i dëmeve. “Gjithsesi, - u shpreh znj. Topalli, - qeveria ka projekte të mëdha për zonën, të cilat përfshijnë jo vetëm projekte në infrastrukturë me qëllim parandalimin e përsëritjes së përmbytjeve, por edhe projekte që synojnë zhvillimin turistik të zonës”. Po dje, znj. Topalli takoi edhe ambasadorin e Ukrainës.