E Diel, 1 Nëntor 2026

Me flotën tonë ndaluam kontrabandistët e Mesdheut

Autori i Lajmit: Denisa KONAE caktuan për pilot, por përfundoi prej pengesave në shikim, në anije. Djaloshi nga Mirëdita ia kushtoi jetën e tij, njërës prej armëve më të rëndësishme të Flotës Detare Luftarake, katrasiluruesve, që njiheshin si një fuqi e madhe edhe nga të huajt. Në intervistën tonë ai tregon për misonin e kësaj arme, manovrat e kryera dhe fundin e saj në shkatërrim total.
-Si u bashkua jeta juaj me detin dhe me katrasiluruesit? A kishit pasur ndonjë traditë detare apo ushtarake familjare?
Unë jam nga Mirëdita dhe nuk kam asjë traditë familjare apo krahinore që lidhet me detin. Por kam lindur në një fshat që sot nuk ekziston më, sepse është mbuluar nga liqeni i Vaut të Dejës. Po ashtu, kam jetuar një pjesë të mirë në bregun e Shëngjinit dhe kjo mund të konsiderohet një lidhje fillestare e imja me detin. Më vonë ndoqa shkollën “Skënderbej” dhe pas mbarimit do të shkoja në Bashkimin Sovjetik. Fillimisht më takoi që të shkoja për pilot. Por për disa probleme, sidomos për problemet e shikimit, më caktuan për në flotën detare.
Arsyeja e devijimit të degës nuk kishte të bënte me ndonjë preferencë timen, por sepse parametrat fizikë që dalin nga disa testime për pilotë dhe për nëndetëse duhet të jenë më të lartët, sepse kushtet e tyre janë edhe më të vështira. Prandaj kërkesat janë më të forta. Kështu, shkova në Bashkimin sovjetik, në Shkollën e Lartë Ushtarako-Detare "Sergei Kirov" në Baku nga viti58 deri në 61, por nuk e përfundova dot atje, për shkak të prishjes së marrëdhënieve të dy vendeve. Kështu që i mbarova studimet në shkollën ushtarako-detare që njihet si Akademia e Marinës në Vlorë. Kam patur fatin të jem ndër të parët që e kam mbaruar. Pastaj, kam shkuar për të shërbyer në Ishullin e Sazanit.Atje shërbeva 10 vjet me katrasilurues
-Ju keni qenë një navigator. Çfarë është një navigator në anije?
Po është e vërtetë. Fillimisht jam caktuar shturman (navigator) në minaheqësen e madhe.Navogatori merret me sigurinë e saktësisë së lundrimit, me drejtimin, planizimin, llogaritjet e lundrimeve të përbashkëta, kalimet nga një pozicion, në një tjetër. Ky është një profesion shumë i preferuar, një nga profesionet më të preferuara të flotës. Shturman quheshin edhe si inteligjenca e anijes. Po me këtë funksion kalova edhe në katrasilurues, ku shërbeva atje dy vjet.
-Çfarë detyrash kryente një katrasilurues?
Katrasiluruesit janë anije të shpejta dhe kanë fuqi të madhe zjarri. Ato kanë deri në dy silura 530 mm, secila me rreth 460 kg eksploziv. Kështu që ato përbëjnë një fuqi të madhe goditëse të flotës detare. Silura godet në një vend të rëndësishëm dhe delikat. Qëllimi i saj është të godasë anijet nga poshtë, në pjesën e nënujshme, që ti mbysë. Por jo të gjitha anijet mbyten, mund të marrë anija edhe dy goditje me silurues dhe të mos mbytet, sepse varet se ku goditet. 42 katrasiluruesit kanë përbërë bërthamën goditëse të flotës sonë. Pas tyre ishin 4 nëndetëset e pastaj edhe anijet e tjera që kryenin detyra të tjera shumë të rëndësishme. Unë në katrasilurues shërbeva për 10 vjet në dertyra të ndryshme.
-Me gjithë këto mjete luftarake detare që kishte Shqipëria, tregonte se jetonte në një gatishmëri mbrojtjeje nga sulme që shiheshin të mundshme. A ju dukej, se me këtë mbrojtje përcillej fryma e një kërcënini real?
Praktikisht, vetë flota është një forcë e gatishmërisë së përhershme në të gjithë botën. Flota është vazhdimisht në lëvizje, flota jonë nuk kishte mundësi të ishte gjithë kohën në lëvizje. Por ama ajo kryente detyra të rëndësishme në ruajtjen dhe mbrojtjen e ujërave tona. Flota jonë ka kryer detyra të qarta e konkrete. Nëse sot shtrohet problem i luftës kundër terrorizmit, atë kohë nuk shtrohej me këto terma, por ama ka qenë në kushtet e luftës me intensitet të ulët. Dhe lufta me intenistet të ulët presupozonte elementët keqbërës ku futej edhe veprimtaria diversioniste e kundërshtarëve. Zbulimi ynë, sot Inteligjenca kishte detyra të rëndësishme. E vërteta është që edhe ndonjë teprim kishte, sepse ishte futur tek njërëzit duke filluar nga lart poshtë, ndjenja e mosbesimit. Dyshohej tek çdo gjë dhe tek çdo lëvizje në det. Por krahas detyrave për ruajtjen e regjimit operativ, flota kryente edhe detyra të tjera, përshembull, dhënien e ndihmës anijeve vendase apo të huaja, që pësonin avari, që u binte zjarri, që përpaseshin në cektinë etj.
-Ju stërviteshit në kushtet e një lufte të mundshme. A besonit se mund të ngjaste vërtet?
Po, e besonim. Për këtë qëllim edhe mbahet ushtria, brenda së cilës ne na ishte besuar mbrojtja e bregdetit. Por këtë detyrë e realizonim bashkë me forcat tokësore bregdetare. Flota bënte vetëm një pjesë. Në historinë e botës nuk njihet ndonjë rast që të mos ketë arritur të realizohet një zbarkim nga deti. Deti është i parrokshëm. Këtë nuk e arrijnë dot as flotat e mëdha.
-Çmendim keni pasur për incidentin shkeljes së ujërave tona nga një nëndetëse e huaj që hyri deri në Gjirin e Vlorës?
Di që ndaj saj u hap zjarr me të gjitha llojet e armëve nga grupet e gjuajtësve detarë. Por nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret. Ndonjë pretendon se u vonuan urdhrat për hapjen e zjarrit, por ka disa rregulla: Urdhrin për hapjen e zjarrit nuk e merr dot kushdo, as komandanti i anijes, as komandanti i grupit, e merr komandanti i përgjithshëm. Këto propozime do të vinin tek Enver Hoxha dhe kjo kërkon njëfarë kohe. Por zjarri u hap.
-Nëse ndiqet kjo procedurë, nëse komandanti i një anijeje nuk ka autonomi në veprimet e tij luftarake, a nuk e vonon kjo vendimin deri në atë masë, saqë kurrë nuk arrin ta kapësh kundërshtarin?
Nuk është kështu, sepse është ndryshe kur je në gjendje lufte, dhe tjetër në kushte paqësore. Ngjarje të tilla sjellin edhe hapjen e koflikteve luftarake, shpërthejnë luftën midis dy e më shumë vendeve.Pra, çdo veprim është i lidhur me politikën e shtetit, me situatën ndërkombëtare.
-Deri në sa orë ka zgjatur një lundrim në det dhe sa orë lundrime keni bërë gjithë jetën tuaj?
Në anijet ku kam shërbyer unë, ato kishin autonomi lundrimi për 1 deri në 1 ditë e gjysmë. Pastaj duhet të ktheheshin në bazë. Me këto anije katrasiluruese ne arritëm të qëndronim deri në 5 ditë në det, diku me spirancë, diku shfrytëzoniom gjiret.
-Pse katrasiluruesit nuk qëndrojnë gjatë mbi ujë?
Katrasilurueset nuk kanë kushte për të qëndruar gjatë në det. Nuk kanë furnizime me ushqime afatgjata, nuk kanë as shtretër, pasi qëllimi i tyre është të veprojnë shpejt në një kohë të shkurtër. Kur erdhën katrasuluruesit e rinj, kishin ambient pak më të përshtashëm, ca si krevatë portativë, por të parët, jo. Katrasiluruesit janë për luftime të shpejta për të dalë në det e për tu kthyer. Ndërsa nëndetëset kishin autonomi lundrimi deri në një muaj. Madje ka ndodhur që kanë qëndruar pa u kthyer në bazë deri në 21 ditë. Ndërsa anijet gjuajtëse luftarake e kishin autonominë e lundrimit 14-15 ditë apo 7 ditë, sipas llojit të anijeve. Megjithatë, ne deri në 5 ditë e kalonim këtë autonomi. Si sasi lundrimi, si distancë, nuk bënin pak katrasiluruesit, sepse lëviznin shumë shpejt. Përshembull, ne për një vit kishim 150 orë motorizues. Që të dilte nga funksioni për riparim kapital një motor duhet të mbushte 500 orë pune. Me këtë intensitet lundrimesh, për 20 vjet ai duhej të ndërrohej. Llogaritni 150 orë në vit lundrim me shpejtësi mesatare 120 milje në orë, i thonë mbi 2000 milje në vit.Ne kemi përshkuar ujërat tona territoriale dhe kemi lundruar deri në ujërat ndërkombëtare, 30-40 milje natën.

Kariera ushtarake e Ndue Jakut

Komandanti që nuk pranoi të përdorte ushtrinë si polici gjatë Eksodit

Si mbaroi shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë në vitet 1953-1957, Jaku studioi në Shkollën e Lartë Ushtarako-Detare "Sergei Kirov" në Baku të BRSS. Por prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike e detyroi ti ndërpresë ato në vitin e fundit dhe ti vazhdojë në Vlorë, në Shkollën e Lartë të Marinës. Gjatë gjithë kohës së studimeve u shqua si studenti më i sukseshëm. Si rezultat u diplomua dhe u emërua "oficer kuverte, “shturman" me gradën "Toger". Studioi në Kursin e Lartë për oficer Shtabi pranë Shkollës së Lartë të FLD. Në vitet 1974-76 kreu studimet në Akademinë Ushtarake "Mehmet Shehu", edhe këtu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1988, mbrojti gradën shkencore "Doktor i Shkencave" (Kandidat i Shkencave Ushtarake), duke qenë ndër të paktët ushtarakë që kishin arritur deri atëhere të mbronin një gradë shkencore. Ai ishte Komandanti i FLD në 40- vjetorin e flotës. Pas emërimit u caktua në detyrë, në ishullin e Sazanit, fillimisht shturman i minaheqëses së madhe me komandant Spiro Koten (hero i popullit), e më pas komandant skuadriljeje. Në vitin 1970, emërohet Shef i Shtabit të Flotiljes në Vlorë. Në vitin 1974, u emërua Komandat i parë i BUD, Sarandë. Më 1977 u emërua Komandant i BUD Shëngjin, dhe në vitin 1979, në moshën 38- vjeçare emërohet Komandant i Përgjithshëm i Flotës, duke qene kështu ndër ushtarakët shqiptarë me karrierën më të shpejtë e më të plotë në Shqipërinë e asaj kohe.
Edhe në detyrë ishte komandanti më jetëgjatë i FLD. Periudha kur ai drejtoi këtë armë, ishte ndër më të vështirat, sidomos për faktin se mungonte ndihma nga jashtë për mirëmbajtjen e teknikës. Megjithatë ai arriti ta kryente me sukses detyrën e tij, dhe megjithë mungesat, gadishmëria dhe aftësia e FLD nuk u vu asnjëherë në diskutim. Kështu ndodhi në vitin 1986, gjatë incidentit të anijeve të FLD me një flotilje të Flotës së VI-të amerikane e cila u supozua se shkeli ujërat tona territoriale. Manovrimi i anijeve tona ishte i shkëlqyer dhe detyroi përfundimisht anijet amerikane të dilnin prej ujërave territoriale të njohura prej nesh. Gjatë kësaj periudhe u kryen studime te shumta teknike, dhe u arrit që në Kantierin e Riparimit të Anijeve në Pashaliman të përfundojë projekti i prodhimit të katrit silurues. Ndue Jaku u dorëhoq nga posti i tij, në datën 27 Shkurt 1991, për arsye të kundërshtimit të tij me sjelljen që Shtabi i Përgjthshëm i Ushtrisë, në lidhje me eksodin e shqiptarëve të kësaj kohe drejt Italisë. Ai nuk pranoi që FLD të përdorej si forcë policore kundër popullit që kërkonte të largohej. Ai mendonte se FLD si pjesë e Ushtrisë Popullore duhet ti shërbente popullit dhe jo të përleshej me të. Pas dorëheqjes u emërua nga Kryeministri Fatos Nano pedagog në Akademinë Ushtarake. Pas një viti u lirua nga ushtria me pretekstin e mbushjes së moshës 50 vjeç, 5 vjet përpara se të arrinte moshën e atëhershme të pensionit.Sot është në pension dhe jeton në Tiranë. Gjatë viteve të shërbimit aktiv është dekoruar 5 herë.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›