Çfarë po fsheh Irani?

Regjimi në Iran ka varrosur njërin prej bijve të vet më besnik dhe një prej figurave kyçe në mbrojtjen kombëtare të vendit, gjeneralin Hassan Moghadam-njeriun që themeloi dhe i cili njihet si arkitekt i programit raketor të Iranit.
Moghadam, për të cilin thuhet se ka pasur miqësi të ngushtë me udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamnein, konsiderohet si meritor për krijimin dhe zhvillimin e njësive të artilerisë dhe atyre raketore të Gardës Revolucionare të Iranit.
Komandanti i mbrojtjes ajrore të Gardës, gjenerali Abbas Khani, deklaroi se republika islamike të gjitha kapacitetet e mbrojtjes raketore i ka zhvilluar, falë Moghadamit.
“Si rezultat i përpjekjeve të martirit Moghadam, kapacitetet tona raketore kanë arritur nivel të tillë, sa që ishin në gjendje të qëllonin qendrën e Bagdadit, gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut”, tha Khani, duke theksuar se armiqtë e Iranit gjithmonë kanë synuar që të eliminojnë Moghadamin.
Fakti se edhe vetë Khamnei mori pjesë në varrimin e Moghadamit, i cili u varros së bashku me 16 pjesëtarë tjerë të Gardës, të cilët humbën jetën pas një shpërthimi, i cili ndodhi fundjavën e kaluar-nënvizon statusin e Moghadamit në Iran.
Irani ka theksuar se shpërthimi që ndodhi më 12 nëntor, në depon e armatimit në bazën e Gardës Revolucionare Bid Ganeh, rreth 40 kilometra larg Iranit, ishte një aksident. Zyrtarët theksuan se shpërthimi ndodhi, në momentin kur municioni po transportohej.
Por revista amerikane, Time, raportoi më 14 nëntor se agjencia izraelite e spiunimit, Mossad, qëndron prapa këtij shpërthimi. Time në artikull citoi një burim anonim perëndimor të inteligjencës.
“Mos ju besoni iranianëve, kur thonë se ishte një aksident”, deklaroi ky burim, duke shtuar se janë planifikuar edhe akte të tjera të kabotazhit, për të parandaluar përpjekjet e Teheranit që të zhvillojë armë bërthamore.
Edhe mediet në Izrael nuk e përjashtuan mundësinë që vendi i tyre të jetë i përfshirë në shpërthimin në bazën e Gardës Revolucionare.
Profili i Moghadanit dhe prania e tij e pashpjegueshme në depo në momentin e shpërthimit, vetëm sa kanë shtuar dhe ushqyer spekulimet se ai është vënë në shënjestër të aksionit të fshehtë të Izraelit.
Gjatë muajve të fundit, janë vrarë disa shkencëtarë bërthamorë të Iranit dhe programi bërthamor i këtij vendi është vënë në shënjestër të një sulmi kibernetik. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar Izraelin se qëndron prapa këtyre incidenteve, për të cilat theksohet se kanë për qëllim që të ngadalësojnë programin e fshehtë bërthamor të Iranit.
Por Anthony Cordesman, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Washington, thotë se deri me tani nuk ka indikacione se shpërthimi ka qenë një akt i kabotazhit apo një përpjekje e kujdesshme për të vrarë Moghadamin.
Përderisa zyrtarët iranianë po varrosnin të vdekurit e tyre, ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, përshëndeti shpërthimin dhe deklaroi publikisht se shpreson që në Iran të ndodhin më shpesh incidente të këtilla.
“Nuk kam njohuri për përmasat e shpërthimit. Por do të ishte e dëshirueshme nëse incidentet e këtilla shpeshtohen”, deklaroi Barak.
Trita Parsi, e cila kryeson Këshillin Kombëtar Iraniano-Amerikan në Washington, thotë se Izraeli me gjasë dëshiron që bota të mendojë se ky vend qëndron prapa shpërthimit.
“Kemi një betejë brenda Izraelit, ku disa zëra shprehën kundër intervenimit ushtarak dhe në favor të operacioneve të fshehta ushtarake. Duke marrë për vete meritat për gjëra të këtilla, do të ishte një gjë e favorshme në kuadër të debatit të brendshëm në favor të operacioneve të fshehta, me ç’rast mund të theksohet se ato janë më të suksesshme, se kushtojnë më pak. Por mund të ketë edhe shumë faktorë tjerë. Ndoshta ekziston interesi për të detyruar Iranin që të hakmerret, për të filluar më pas një luftë më të gjerë”, thotë Parsi.
Shpërthimi ndodhi pas shtimit të brengave për aktivitetet bërthamore të Iranit. Megjithatë, Cordesman thekson se vdekja e Moghadamit me gjasë nuk do të dëmtojë programin raketor të Iranit, i cili sipas tij nuk mund të ndahet nga aktivitetet bërthamore të vendit.