Dosjet përballë dosjeve
Prilli i vitit 2009 shënon Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në NATO, pra në tryezën e Aleancës ka një karrige shqiptare. Kjo ngjarje historike, pjesë e vendimit të vendeve aleate mike, është njëherësh prodhim i reformave që ka bërë vendi ynë, asaj që qeveria ka qenë partnere e besueshme, duke përmbushur detyrimet përkatëse të ndërkombëtarëve. Jemi bërë të besueshëm, jemi bërë qytetarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, dhe së shpejti kandidat potencial për në Bashkimin Evropian. Por ka një peng të reformave, që ndonëse i lakuar, draftuar në dhjetëra raste, ende nuk ka marrë miratimin e Kuvendit që të ndodhë për të ndarë një pjesë të mirë të vendit nga e shkuara politike. Dosjet e Sigurimit të Shtetit, punëtorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që flenë të pahapura, duke lënë personazhet e brendësisë së tyre të jenë shumë gjatë aktorë në politikë dhe në vendimmarrje. Në një iniciative të ditëve të fundit të Forumit për Demokraci dhe Etikë në një takim ku ishin ftuar dhe deputetë të PD-së dhe PS-së, kërkohej me shumë vend nga drejtuesi Arian Galdini, që hapja e dosjeve duhet filluar me kërkesën për falje ndaj viktimave të pafund të armës më gjëmëbërëse të prodhuar nga një shoqëri njerëzore. Nuk ka më gjenialë të spiunazhit rus, të tipit Kim Filb që të ndihmojë spiunët e Sigurimit të Shtetit për diversione të tjera. Po shkohet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, në qershor, zgjedhje në të cilat ne do të hyjmë si shtetarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Nuk mundemi që në një tryezë të kësaj aleance ku ne kemi tashmë vendin tonë, të ulim përballë spiunët e Lindjes me gjeneralët e NATO-s. Dosja përballë dosjes është lufta që me shumë ngërç po ndodh. Ka dhe vende lindore që janë anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por nuk e kanë bërë këtë proces, nuk e kanë kaluar këtë provë, pa kaluar në hapjen e dosjeve. Përpëlitjet politike të episodeve partiake nuk mund të shkojnë gjatë, koha e të numëruarit mbrapsht është deri në prill, muaj në të cilin dosjet e sigurimit të shtetit, duhet të jenë kapitull përfundimisht i mbyllur, një mbyllje që kalon vetëm nga një rrugë, nëpërmjet hapjes. Me gjithë shoun dhe dembelizmin që ka kapur të majtën, vendin ku janë konvertuar dosjet në personazhe më së shumti, sekretet është e vështirë të mbulohen. Ka një kujtesë tjetër përtej oqeanit, përtej Adriatikut, në brendësi të kontinentit, në shumë vende që kanë bërë pjesë prej shumë vitesh në Aleancën e Atlantikut, që kanë qenë kundër Traktatit të Varshavës. Me pak gramë mend, nuk duhet besuar se mund t’i shpëtosh zbardhjes së të shkuarës, nëse rastësisht apo me dashje të është zhdukur dosja kur ke bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit, kur ke spiunuar, marrë më qafë dhe çuar dëm mijëra jetë njerëzish me fajësinë e vetme të të menduarit ndryshe, ose saktësisht të të menduarit në mënyrë jolindore. Ka arkiva në Perëndim, ka dosje jo vetëm të KGB-së, por edhe në CIA, edhe lufta e shërbimeve, e punës së fshehtë, ka një memorie që nuk mund të zhduket thjesht me mosdashjen e një partie në Shqipëri apo të disa burrave të shkuar kohe që duan të qëndrojnë ende në pushtet. Pra, shërbimet tona, arkivat, dosjet janë dhe hapja e tyre brenda gjashtë muajsh duhet të ketë përfunduar, sepse Aleanca ka seleksionimin e saj dhe asnjë nga spiunët e vjetër që pluskon në politikë nuk do të ketë guximin të udhëtojë në shtetin e ri shqiptar pas prillit në ndonjë sipërmarrje.
Por, detyrimisht hapja ka dhe një dobi tjetër për t’i sjellë shoqërisë sonë.
Pjesa më e madhe e sigurimsave, si ua ka vënë emrin shoqëria e sotme, janë oligarki financiare dhe kontrollojnë një sasi të konsiderueshme parash, duke qenë bartës të një pushtetit të rrezikshëm dhe të frikshëm njëherësh. Jo pak nga ata janë kthyer në themelues, drejtues apo komandues të bandave të krimit të organizuar. Në jo pak raste emra të njohur të politikës së majtë kanë rezultuar të lidhur me shumë banda të krimit të organizuar, pikërisht ata politikanë, qofshin deputetë dhe drejtues partish në kohë të caktuara janë mbrojtës të këtyre bosëve të rinj të mafias, tashmë kjo armë e vjetër është shndërruar në një armë të re më e keqe dhe e rrezikshme se e para dhe vështirësia për të çrrënjosur është e madhe. Tirana njeh në kujtesën e saj të qeverisjes së majtë lokale luksoze ku janë ndërruar emra ministrash, krijuar kabinete ekzekutivesh. Pak kush mund të gabojë e të thotë se ata janë jashtë politikës dhe pushtetit, dhe duan të dalin nga loja. Për t’i nxjerrë, një pjesë e madhe janë goditur, Berishës i është dashur luftë, sakrificë e madhe, e cila nuk ka reshtur. Për ta paqtuar shoqërinë, lind domosdoshmëria që në prillin e NATO-s ky operacion të jetë bërë, sepse të infektuar nuk na pranon Aleanca. Përpjekjet e partive politike, PD dhe PS, për të rënë dakord duhet të marrin fund. Por Edi Rama ka ndërtuar përsëri parkun “Rinia” të kioskave, atë parkun e shoqatave dhe organizatave të cilat kanë rrethuar PS-në dhe ata që tentuan të jenë ndryshe duke e çorganizaur opozitën drejt shkërmoqjes. Kjo parti e rrethuar nga sigurimsat e vjetër dhe të rinjtë që kanë punësuar bijtë e të vjetërve në këto shoqata, shfaqin egërsinë për të kundërshtuar çdo gjë qeveritare, mjafton që dosjet e etërve të mos hapen. Kryeministri Sali Berisha ka marrë ftesën për në NATO, ka firmosur më tre prill 2008, ka nënshkruar MSA-në, do të firmosë anëtarësimin e plotë në Aleancë, ndaj e ka detyrim ta mbarojë dhe këtë luftë, që në tryezën e artlantikut të mos ketë në delegacion, një dashamirës të Varshavës, që ka mundur të djegë dosjen e të bëjë sikur është sërish perëndimor. Në këtë nismë kryetari i mazhorancës nuk duhet të tundohet as nga sakrifica që duhen bërë brenda së djathtës. Deri këtu ishte rruga e tyre, rruga në maj 2009, pas prillit, duhet të jetë domosdoshmërisht pa dosje.