Faktori "racizëm" dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA
Më 14 tetor, fletorja “The New York Times”, njoftonte se në qytetin Brookline, N.H., zonja Melanie Levesque, afro-amerikane ka shumë mundësi të fitojë vendin e deputetit në New Hampshire, ku ka vetëm 1 për qind popullsi të zezë. Ajo ashte pjesë e lëvizjes që ka marrë hov në SHBA, e që parashikon fitoren elektorale të shumë politikanëve afro-amerikanë në zonat elektorale me shumicë të bardhë. Analistët politikë mendojnë se këto fitore lokale ndryshojnë panoramën politike paqësisht, por me përpjesëtime të mëdha. Shumë votues e ndiejnë veten të sigurt me nji udhëheqje lokale afro-amerikanësh. Këto dhjetë vitet e fundit, afër 200 legjislatorë afro-amerikanë kanë zëvendësue të bardhët në legjislaturat shtetnore ose lokale. Sot, në SHBA, ka afër 650 legjislatorë afro-amerikanë që përfaqësojnë distrikte me popullsi shumice të bardhë.
Nji rritje e konsiderueshme vrehet gjithashtu edhe në numrin e afro-amerikanëve të kryetareve të bashkive, tue përfshi edhe qytetet e mëdha. Disa shtete të bardha kanë guvernatorë edhe kryetar bashkie afro-amerikanë. Guvernatori i Massachusetts, Deval Patrick, ashtë afro-amerikan me reputacion të mirë në nji shtet me 79 për qind popullsi të bardhë. Me gjithë këto ndryshime, shumica e legjislatorëve dhe ekzekutivëve afro-amerikanë gjinden në zona me popullsi zezake, dhe akoma ekziston frika ose dyshimi se faktori "racë" mund të influencojë zgjedhjet e ardhme presidenciale.
Edhe në skenën kombëtare, disa kongresmenë afro-amerikanë në Washington, D.C. përfaqësojnë distrikte të bardha me mbi 60 për qind. "E vërteta ashtë se tani numri i "racistëve" pakësohet çdo ditë. Frika se unë do të sillem panjerëzishëm kundër tyne, nuk ekziston" (Kongresmen Cleaver, Missouri).
Ndryshime ma të mëdha janë në nivelin lokal. Në vitet '80, kemi pak përfaqësues afro-amerikanë që përfaqsojshin të bardhët. Në 2001, ky numër arriti në 90; në 2007, 189. Por këto ndryshime janë krijue në kondita të vështira. Pak vite ma parë, më 2002, votuesit e bardhë në Tennesee, p.sh., refuzojshin me i dhanë dorën nji legjislatori afro-amerikan. Në shtetin Iowa, disa kandidatë afro-amerikanë shpërndajshin fletët e informimit pa fotografi nga frika e reagimit negativ të votuesve të bardhë.
Por procesi i emancipimit bën punën e vet, pengesat thyhen çdo ditë. Natyrisht, nuk ka asnji siguri se zonat ku drejtojnë të zezët do të votojnë për senatorin Obama. Por nuk mohohet fakti se atmosfera e krijueme e bashkëpunimit në mes të dy racave ka mundësi të ndihmoje senatorin Obama në nandor. Analistët mendojnë se ky orientim afrimi ashtë nji fenomen që do të vazhdojë edhe në zgjedhjet elektorale. Fitoret lokale të afro-amerikanëve janë hapi i parë për fitore në nivele ma të nalta. Vetë senatori Obama, nga senator i shtetit Illinois, u zgjodh senator i Kongresit, dhe ma vonë kandidat për President të SHBA-së. Megjithëse ky ashte nji shembull i rrallë, përsëri tregon rezultatet e orientimit politik paqësor në jetën shoqënore e politike amerikane.
Që nga Emancipation Declaration (1861) të Presidentit Lincoln, që deklaronte skllavërinë e zezakëve jashtë ligjit, dhe ofendim moral për çdo ndërgjegje njerëzore, rruga e popullsisë afro-amerikane ka qenë e mbushun me ferra! Megjithëse skllavëria u hoq formalisht, ajo ekzistoi edhe për nji kohë të gjatë me forma të neveritshme nënshtrimi të plotë, dhe sidomos me forma antinjerëzore të segregimit: në jetën e përditshme dhe në fushën politike. Afro-amerikanët nuk kishin të drejtë votimi, me zgjedhë ose me u zgjedhë (deri në vitin 1965) dhe mundësitë e shkollimit ishin të kufizueme, kur ajo mohohej fare.
Më 1964, Presidenti L. B. Johnson, firmoi Ligjin mbi të Drejtat e Barabarta (Equal Rights Act), nji fitore historike për afro-amerikanët, dhe nji fitore morale për të gjithë amerikanët. Lëvizja paqësore e Rev. M. L. King Jr. ndihmoi shumë në këtë drejtim. Me vrasjen e tij, më 1968, lëvizja filloi të marrë tone ma agresive, dhe nji rryme radikale, nji lëvizje që kërkonte aksione, qoftë edhe revolucionare, për çlirimin e popullsisë afro-amerikane. Ajo u përfaqësue nga miljona afro-amerikanë të shtypun. Elementi liberal, e sidomos akademik, i popullsisë së bardhë, u bashkue me ta në nji përpjekje për barazi të plotë. Rev. King u eklipsue nga nji radikal i deklaruem, Rev. Malcolm X. Udhëheqës të rij afro-amerikanë përqafuen The Nation of Islam, që kërkonte ndamjen e plotë të popullsisë afro-amerikane. Intelektualët afro-amerikanë filluen të anojnë kah marksizmi si ideologji çlirimtare (lëvizja e njohun si "black power movement") Krishtënimi, nji fortesë për afro-amerikanët për ma shumë se dy shekuj dhe e vetmja arsye për shpresë në të ardhmen - megjithëse në botën tjetër - filloi të lëkundet. "Krishtënimi filloi të shikohet si feja e njeriut të bardhë" (James H. Cone). Ai spjegon: "Dëshirojsha të them: Jo! Ungjilli i krishtenë nuk ashtë feja e njeriut të bardhë. Ai ashtë teologjia e çlirimit ("liberation theology") nji besim që proklamon se Zoti ka thanë se të gjithë qeniet njerëzore kanë lindë me qenë të lirë. Por e kuptova se populli zezak me qenë i lirë, ata duhet pikë së pari të duen ngjyrën e zezë që i përcakton". Kështu u krijue nji simbiozë në mes të krishtënimit të Rev. King dhe të theksit mbi të qenunit zezak të Rev. Malcolm X.
Ashtë e vështire të mbiçmohet randësia e "teologjisë së çlirimit". Ajo i drejtohej subjektit të pikës qendrore të eksperiencës së skllavërisë dhe segregacionit, tue pohue se në zemrën e Zotit ka nji vend të posaçëm për zezakët e shtypun. Njëkohësisht, këta predikues ngulën kambë se çlirimi duhet të vijë këtu, në këtë jetë, e jo në jetën tjetër. Kjo taktikë kërkonte sidomos kriticizmin e klasës së bardhë sunduese. "Ideologjia çlirimtare zezake njeh nji privilegj për të shtypunit. Zoti shikohet si partizan, nji forcë çlirimtare që njeh privilegjet speciale për të shtypunit" (Garry Dorrien).
Kjo na ndihmon të kuptojmë fjalimet e zjarrta të Rev. J. Wright, pastori i senatorit Obama, dhe thirrjet e tia: "No, No, God bless America, but God damn America!" (Jo,Jo, Zoti bekoftë Amerikën, por Zoti mallkoftë Amerikën!) që senatori Obama denoncoi. Këto deklarata u keqpërdoren politikisht gjatë fushatës elektorale kundër senatorit Obama. Kleri i krishtenë zezak i shikon këto shprehje si roli provokativ, i qëllimshëm, i nji predikuesi çlirimtar. Sepse kisha e zezakëve ka qenë gjithherë, që në ditet e para të skllavërisë, nji vazhdimësi e përpjekjes për shërimin e plagëve te pësueme deri në punën për çlirim. Gjatë ditëve të skllavërisë, skllavopronarët amerikanë të bardhë nuk lejojshin afro-amerikanët me studjue Biblën thellësisht, nga frika se aty ata do të gjejshin frymëzim për revoltim. Krishtënimi tradicional i predikuem thekson ringjalljen në botën tjetër. Sepse nuk ka mkat ma të madh për predikuesit fetarë se me harrue vuejtjet e të shtypunve.
Spjegimi i masipërm ashtë i nevojshëm me kuptue përse "Jugu" i Amerikës - ku jetojnë afër 102 miljonë amerikanë – ashtë i domosdoshëm me fitue në zgjedhjet presidenciale. Afro-amerikanët kanë fitue të drejtën e votës vetëm në vitin 1965. Edhe mbas kësaj date ata janë kërcënue nga forcat raciste të shteteve të Jugut, përfaqësues të skllavërisë. "Po të votojnë zezakët, - thonte Presidenti Johnson, ata fitojnë të drejtat e tyne". Nji filozofi e këtillë përshkon sot të gjithë Amerikën. Po të fitojë senatori Obama, ashtu siç pritet, nuk ka arsye që segregacioni dhe racizmi i bardhë të mos munden. Nji prognozë optimiste ndoshta, por e domosdoshme me ushqye shpresat e miljonave të shtypun. Senatori Obama përfaqson këto shpresa në formën e tyne ma sublime: tue tejkalue faktorin "racë". "Nuk ka nji Amerikë të zezë, nuk ka nji Amerikë të bardhë. Ka vetëm nji Shtetet e Bashkueme të Amerikës!" Ose: Ai ashtë kandidat për President jo si zezak, por si qytetar i lirë i SHBA-së.
Hapi i parë strategjik i senatorit Obama në Jug ka qenë dhe mbetet regjistrimi sa ma i plotë i afro-amerikanëve për votime. Nji strategji agresive ka organizue grupe vullnetarësh në çdo fshat e lagje të qyteteve amerikane. Nji fushatë agresive reklamash ka mbushë ekranet e televizionit në shtetet e Jugut ku shtypja e mohimi i të drejtave të votës kanë qenë ma të theksueme. Në qoftë se nji veprimtari e dendun e këtillë del me sukses, fitorja e senatorit Obama ashtë e sigurt. Florida, N. Karolina, Georgia, Virginia, fortesa të reaksionit racist po lëkunden, dhe sondazhet tregojnë se ndryshimet në votime do të jenë të mëdha. Deri tani, në shumë vende, votimet e të bardhëve kundër të bardhëve, përqendrojshin zgjedhjen e nji të bardhi, shpeshherë, nji racist. Deri në vitet 1960 Jugu ka qenë praktikisht nji rajon me nji parti, Partinë Demokratike. Me votimin e zezakëve, në 1965, popullsia e bardhë kaloi në kampin republikan që kundërshtonte të drejtën e votës për afro-amerikanët. Kështu Jugu u transformue në nji fortese raciste. Sot, besohet se rreth 40 për qind e votave në këto shtete segregacioniste do të jetë afro-amerikane. Me këtë shpresohet se Partia Demokratike do të jetë në gjendje të ndryshoje fatin e vendit. Deri tashti, vetëm Presidenti Clinton ka fitue në 5 shtete nga 13 të Jugut. Prandej sfida e senatorit Obama ashtë e jashtëzakonshme dhe historike. Nuk duhet harrue se nji President që humb, shkakton edhe humbjen e legjislatorëve lokalë në votime. Pritet që fitorja e senatorit Obama do të sjellë edhe fitoren e shumë demokratëve në Kongres.
Amerikanët mbeten akoma të ndamë kur vjen fjala për "racën". Në këto ditë të ethshme të votimeve, kandidati i Partisë Demokratike ashtë nji afro-amerikan që shikohet me dyshim nga popullsia e bardhë e me shpresë nga popullsia afro-amerikane. Këtu ashtë ma shumë se zgjedhja e nji Presidenti; këtu tregohet se cili do të jetë trajtimi i afro-amerikanëve në të ardhmen. Nji aspekt i këtij trajtimi do të jetë "the affirmaive action" nji qëndrim i zyrtarizuem amerikan që njeh disa privilegje për të varfrit në përgjithësi, e për afro-amerikanët në veçanti. (Sondazhet tregojnë se 48 për qind e popullsisë kundërshtojnë programet që lehtësojnë përparimin e zezakëve).
Racizmi, në formën e tij të hapët e të egër po zëvendësohet me nji formë të re, të fshehët, e të vështire me identifikue. Rreziku ashtë akoma i madh, sepse votimi ashtë sekret (Ekziston nji fenomen i quejtun 'Bradley effect', që don të thotë se në dhomën e votimit, njerëzit votojnë kundër asaj që thojnë në publik. Ky ashtë nji racizëm i fshehët në kondita anonimiteti. Sikur 15 për qind e votuesve të bardhë mos të votoje për senatorin Obama, ky numër do të ishte ma i madh se numri i të gjithë votuesve afro-amerikanë, dhe ma i madh se numri i të gjithë të rijve nën moshën 24-vjeçare. "Racizmi" mbetet nji problem i madh në votime!
Kongresisti Arthur Davis shprehet se "s’ka dyshim që raca ashte nji faktor në zgjedhjet... Por nuk jam i sigurt se ka nji rol aq të madh sa mendohet. S’ka dyshim se disa grupe të rijsh, të bardhë, janë bashkue me senatorin Obama sepse dëshirojnë nji thyemje me të kaluemen". Këtu kongresmeni ka të drejtë. Vetë senatori Obama, tue mos u përqendrue në diskriminacionin racial dhe veprimtarinë urbane gjatë fushatës ka krijue përshtypjen se KOMBI ka tejkalue problemin e RACËS.
A. Thornton (U.S.Commissioner on Civil Rights) ka arrijtë në përfundimin se "megjithatë, nëse ai (Obama) fiton ose humb, fakti që nji afro-amerikan ka arrijtë të bahet flamurtari i njenes nga të dy partitë e mëdha, tregon diçka të randësishme. Tregon se udha që filloi më 1965 me Voting Rights Act ka arrijtë cakun e vet. Nuk kemi nevojë me folë përsëri për mohim të drejtash ashtu si përpara".
Jeta dhe fati i afro-amerikanëve sigurisht janë përmirsue që nga lufta për të drejtat civile të 1964. Numri i tyne në arsim të naltë e profesional ashtë rritë, ndërsa varfëria ashtë pakësue. Përsëri, nji hendek i gjanë ekziston në mes të dy grupeve raciale.
Senatori Obama shpreson se po të fitojë, do të sjellë për kombin amerikan nji "dialog kombëtar" mbi marrëdhanjet raciale, dhe se ndryshimi i atmosferës politike do të mundësojë strategji të reja për eliminimin e trashëgimisë raciale që ndan sot akoma Amerikën.
A do te jetë senatori Obama i aftë me bashkue popullsinë e Jugut apo do të krijojë nji ndamje akoma ma të madhe? Nji Obama që tejkalon problemin racial ("post-racial") shpreson se do të ndryshojë diskursin tradicional mbi racën gjatë fushatës së tij elektorale, dhe ka mundësi që të arrijë këtë qëllim në disa shtete. Këtu nuk ashtë problemi bardhë-e-zi. Këtu kemi edhe ndamjen sociale, të pasun e të varfër. Raca dhe ekonomia ka mundësi të arrijnë pika të përbashkëta, dhe kjo do të linte mënjane klasën e pasun të bardhë. Ndamja në mes të demokratëve, shumica të zezë dhe të varfër dhe republikanëve me shumicë të bardhë dhe të pasun, do të thellohet akoma ma shumë. Roli i senatorit Obama do të vështirësohet dhe fisnikërohet, njikohësisht!