Le të ndihmojmë biznesin social në Shqipëri!
drejtor i Organizatës Holandeze për Zhvillim në Shqipëri dhe Maqedoni
Ekonomia shqiptare po përmirësohet nga viti në vit, por përfitimet ende nuk po ndihen në zonat rurale. Në rast se duhet që zonat rurale të marrin përfitimin e plotë nga ndërhyrjet qeveritare, atëherë është e rëndësishme t’u japësh komuniteteve lokale një zë në mënyrën se si përgatitet e ardhmja e tyre. Sipas Bankës së Shqipërisë dhe Njësisë së Inteligjencës Ekonomike të grupit të mirënjohur studiues “The Economist”, parashikimi për rritjen vjetore të Produktit të Përgjithshëm Bruto (GDP) të vendit është rreth 6 për qind. Edhe vitin e kaluar ekonomia shqiptare regjistroi të njëjtën shifër rritjeje. Sektori që rritet me shpejt është turizmi - deri në fund të shtatorit 2008 ka 500,000 turistë më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë janar-shtator të vitit të kaluar, sipas statistikave të Ministrisë së Turizmit. Vizitorët si total për periudhën janar-shtator 2008 janë 2.2 milionë. Ka po ashtu shenja të mira rimëkëmbjeje të prodhimit bujqësor si dhe eksportet janë rritur, edhe pse ende përbëjnë një bazë të vogël kur krahasohen me importet e vendit. Me një inflacion 2-4 për qind në vit dhe një monedhë lokale të qëndrueshme, Shqipëria përbën një mjedis tërheqës për investime. Privatizimi i kohëve të fundit i ARMO-s dhe njoftimi për blerjen e krahut shpërndarës të energjisë elektrike të KESH-it nga një kompani çeke, po inkurajojnë kompani ndërkombëtare të rëndësishme për të parë mundësitë e investimit në vend. Me gjithë këto shenja të mira, papunësia është ende e lartë në zonat rurale. Njerëzit që jetojnë aty nuk shohin shumë mundësi dhe shpesh zgjidhja e vetme është emigrimi jashtë shtetit ose në qytetet kryesore, në kërkim të punës. Agjencitë donatore janë përpjekur të nxisin punësimin duke mbështetur nisma lokale, por kjo nuk mjafton. Një numër kompanish të rëndësishme të pranishme në Shqipëri, të tilla si kompanitë e telefonisë celulare ose bankat tregtare kanë treguar interesin e tyre për të fituar simpatinë e njerëzve lokalë. Ata kanë kërkuar mbështetje nga qeveria qendrore, por dhe nga njësitë e pushtetit vendor për çfarë po përpiqen të bëjnë. Është në rritje tendenca që kompanitë që duan të investojnë shohin vlerën komerciale të punës së tyre të shoqëruar me një përmasë shoqërore. Ata po kërkojnë ndërmjetës shoqërorë, OJF lokale apo ndërkombëtarë që t’i ndihmojnë të integrohen më mirë dhe të përfshihen më intensivisht në jetën shoqërore të komuniteteve ku klientët e tyre jetojnë. Kjo u ka dhënë njerëzve të izoluar, sidomos në radhë të parë atyre që jetojnë në zonat rurale, një grimë shprese. Por duhet të shkojë më larg se kaq. Duhet të bëhet e qëndrueshme. Kjo do të ndodhë vetëm kur njerëzit lokalë do të pyeten se si duan ta kenë të ardhmen e tyre, kur zëri i tyre dhe pronësia në nismat e ardhshme të zhvillimit janë siguruar. Qeveria shqiptare ka marrë disa masa për të mbështetur rritjen e qëndrueshme në zonat më të largëta, me nisma si Agjencia e Zhvillimit të Zonave Malore. Organizata Holandeze për Zhvillim (SNV) është po ashtu e angazhuar thellësisht për të ndihmuar që njerëzit lokalë të sigurojnë më shumë të ardhura dhe të rrisin produktet e shërbimet që shesin në treg. Që nga viti 1993, ne kemi ndërtuar rrjete të gjera lokale dhe rajonale në të gjithë vendin dhe kemi punuar me organizata lokale, rajonale dhe kombëtare dhe me qeverinë për të ngritur kapacitetet e komuniteteve lokale që të sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm. Ky është një moment kyç për zhvillimin ekonomik rural të Shqipërisë. Zgjerimi i rrjetit të rrugëve moderne sikurse aksi Durrës-Morinë, rruga e re Pogradec-Korçë etj. japin mundësi më të mëdha për zonat më të varfra që të zhvillohen. Po ashtu, infrastruktura më e mirë e komunikimit u jep rrugë kompanive private që të eksplorojnë tregje të reja me përfitim. Është koha për agjencitë e zhvillimit, për qeverinë qendrore, kompanitë private dhe OJF-të që të shikojnë shanset së bashku në një përafrim ku fitojnë të gjithë, me qëllim që ta shndërrojnë biznesin shoqëror në një realitet. Duke punuar së bashku për një të ardhme të begatë rurale në Shqipëri.