E Diel, 1 Nëntor 2026

Çikago, qyteti-biftek

Jo më kot një shkrimtare e ka quajtur "kryeqytetin" amerikan të gastronomisë, sepse këtë mund ta vërtetojnë fare mirë të gjithë ata që kanë nderin, apo fatin për ta vizituar. Pikërisht për qytetin më të madh të Illinoisit, aty ku ka jetuar për shumë vite Presidenti Obama, "fati" për të merituar këtë "titull" duket se është vendosur që në origjinën e tij. Banorët e parë, indianët e Patawatomi-t, e kishin pagëzuar me emrin "Checaogu", që ndryshe përkthehej qepë të egra, për shkak të kopshteve dhe perimeve të shumta. Por, nga perimet te biftekët hapat ishin vërtet të shpejtë: pozicioni gjeografik, në zemër të vendit, numri i madh i emigrantëve me ngjyrë që shfrytëzoheshin si punëtorë krahu dhe paguheshin pak, shpikja e frigoriferit dhe ajo e trenit, transporti ujor përmes lumit të Çikagos, e shndërruan qytetin e Abraham Linkolnit në magazinën më të madhe të mishit në Amerikë. Por, një epidemi kolere dhe një zjarr i madh më 1871-shin që dogji thuajse 20 mijë shtëpi, i ndryshuan përfundimisht fytyrën qytetit. Në qytetin e Proibizionizmit, të mbijetuar nga shumë ngjarje të mëdha, si revoltat raciste dhe "sundimi" i Al Capones, në breg të lumit Miçigan industria e mishit lulëzoi në fund të shekullit të 19-të. Pikërisht këtu është edhe selia botërore e të famshmes "McDonald‘s". Valët e mëdha të emigrantëve që pasuan në vitet e mëpasshme e bënë Çikagon qytetin-laborator të ushqimit në botë. Një shkrirje gastronomike, ku çdo etni ka "hapësirën" e vet. Për të koordinuar dhe ngritur vlerat e kësaj pasurie të madhe, tridhjetë vjet më parë u krijuan "Dames", një grup kuzhinierësh, gazetarësh, somelierësh të frymëzuar nga eksperienca e shefave të kuzhinës franceze, që formuan shoqatën me emrin "Auguste Ascoffier", për gastronomin që bëri të famshme kuzhinën franceze të shekullit të 19-të. Falë punës së tyre dhe aktivitetit në "American Insitute of Wine and Food", "cow-town" i shekullit të kaluar u bë kryeqyteti gastronomik i Amerikës. Gjithçka, që nga shitja e hot dogëve (këtu shiten pa ketchup), te restorantet e shtrenjta buzë lumit, është e mirë dhe mbi të gjitha e freskët. Kuzhina e thjeshtë, tregu fshatar dhe produkte biologjike, që në shumë vende të botës konsiderohen si shenjë prapambetjeje, këtu janë praktikë e përditshme. Nga marsi në tetor, sepse në dimër "qyteti i erës" nuk lejon ta bësh këtë në ajër të pastër, lulëzojnë të ashtuquajturat "Farmers bio market" me çmime mjaft të ulëta dhe cilësi të jashtëzakonshme. Në dimër, 6 milionë banorët e Çikagos mbushin plot e përplot supermarketet, ku ofrohen kurse të vogla kuzhine dhe mund të shohësh direkt mënyrën se si mund të përgatisësh pjata me përbërës ushqimorë të ardhur nga të gjitha anët e botës. Aty gjen restorante nga e gjithë bota, që përdorin produktet e freskëta vendase. Por, nëse doni t‘i dhuroni vetes një vakt, që mbahet mend si ato gjëra që ndodhin vetëm një herë në jetë, sipas kritikëve amerikanë të gastronomisë, duhet të shkoni në "Alinea" dhe të prisni që shefi i kuzhinës dhe somelierët të vendosin për ju. Sepse, të gjithë ata që shkojnë aty e kanë të vështirë të zgjedhin mes 25 specialiteteve jashtëzakonisht të shijshme të menysë dhe verërave disavjeçare. Sigurisht, nëse jeni demokratë, ngrini një dolli edhe për Presidentin e sapozgjedhur Barak Obama.

Sallata me rukola dhe djathë

Presidenti që preferon të hajë lehtë

Salmon të zier, rukola, ose siç e quajnë amerikanët "arugula", brokoli dhe spinaq. Dieta e shëndetshme e Presidentit të sapozgjedhur Barak Obama është shumë larg nga ajo e qytetarëve të Çikagos, apo nga ajo që konsumojnë shumica e popullit amerikan, ku një e treta vuan nga obeziteti. Për këtë arsye, drekat dhe darkat e Presidentit demokrat kanë qenë gjithmonë të mbuluara me mister gjatë kohës së fushatës. Në atë kohë, strategët e tij elektoralë dhe ekspertët që kujdeseshin për imazhin që nga nisja e fushatës, e bindën Obamën se ishte shumë e rrezikshme të tregonte anën e "shëndetshme" të ushqimit të tij, pasi kjo gjë rrezikonte të zemëronte zgjedhësit që do të mund ta bënin të dukej si një njeri elitar dhe shumë larg popullit. Por nuk ndodhi kështu. Obama gjithmonë është parë me dyshim për dobësinë dhe për faktin që shkon në palestër çdo ditë, aq sa njerëzit e MekKejnit nuk humbnin kurrë, asnjë rast për ta theksuar këtë, duke ironizuar faktin se Presidenti amerikan kujdeset për trupin dhe është i fiksuar pas tij njëlloj si një yll Hollivudi. Megjithatë, prej muajsh Obama tregon se ushqimi i tij i preferuar është mishi i pulës së skuqur me majonezë në hamburger, madje shpesh është shfaqur edhe në televizion duke treguar recetën e preferuar të familjes: speca me mish, fasule dhe shumë qepë, hudhër dhe spec djegës. Gjatë fushatës Obama është konsideruar si kandidati i vetëm që nuk është parë kurrë me ushqim në dorë, larg fotove që bënin dikur nëpër piceri, ëmbëltore apo fast-food-e për t‘u dukur më afër njerëzve. Po ashtu, Obama është quajtur edhe si Presidenti i vetëm që nuk shtoi asnjë kile gjatë fushatës elektorale. Ai kujdesej shumë që të mos gjendej kurrë në situata që mund të detyrohej të provonte diçka për kënaqësi të shitësve, apo fotografëve. Por jo gjithmonë arriti t‘ia dilte mbanë. Në Litiz, një vend i vogël në shtetin e Pensilvanisë, e futën me zor në një dyqan ëmbëlsirash dhe pasi provoi një çokollatë, kur iu ofrua një e dytë u tërhoq menjëherë, aq sa pronari i dyqanit, paksa i ofenduar, i tha: "Nëse futesh në një fabrikë çokollatash nuk duhet të shqetësohesh për kaloritë". Treçerek ore më vonë, në një restorant i ofruan një fetë gjigante torte me çokollatë të bardhë, ndërsa Obama iu përgjigj: "Është shumë e rëndë për mua". U përpoq të dilte, por kamerierja që rrinte gati te dera i zgjati një tabaka, ku kishte vendosur një hamburger, patate dhe perime të skuqura. Atëherë Baraku ngeli keq, mori vetëm një patate dhe pastaj u largua menjëherë. Por për të kuptuar diçka më shumë duhet të shkosh në lagjen e tij. Aty miqtë e tij të tregojnë se kur ndodhet në shtëpi i pëlqen të porosisë në një restorant kinez ravioli në avull dhe karkaleca me perime. Restoranti i tij i preferuar është italiani "Spiaggia", ku kuzhinieri është italo-amerikan dhe Obama e çon shpesh Mishelën për të festuar përvjetorët e martesës, ku zakonisht porosisin peshk në skarë dhe rizoto. Në kujtimet e tij Baraku tregon se puthjen e parë Mishelës ia ka dhënë para një pastiçerie, ku të dy kishin dalë shëtitje duke ngrënë akullore. Por, e vërteta është se nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe Presidenti amerikan e ka ndryshuar tërësisht mënyrën e të ngrënit. "Babai nuk i pëlqen fare akulloret", kishte treguar njëherë vajza e tij e vogël, Sasha. Por Obama u mbrojt duke thënë se dikur kishte punuar si shitës në një pastiçeri në Honolulu dhe që nga ajo kohë nuk fuste më ëmbëlsira në gojë. Në Berlin, pas mitingut triumfues të këtij viti, senatori i Çikagos vendosi ta kalonte darkën në një nga restorantet më të mira të vendit, i famshëm për kotëletat vjeneze dhe gatimin e mishit të derrit. U ul në një tavolinë dhe porositi një "Martini" dhe një sallatë me rukola e djathë parmixhan. Kuzhinieri i Shtëpisë së Bardhë pati të drejtë kur thoshte: Tani që fitoi Obama duhet t‘i themi lamtumirë mishit në skarë, që aq shumë e preferonte Xhorxh Bushi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›