E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmeti: Më mungon Gjirokastra, kur jam larg saj

 

Piro Nase

I rikthehet vendlindjes. Me piktura në gurët e Argjirosë! Piktori i njohur shqiptar, i cili prej vitesh jeton në Amerikë, Bashkim Ahmeti, dy ditë më parë ka prezantuar punët e tij të fundit në Gjirokastër. I ftuar me rastin e aktivitetit të organizuar nga shoqata “Argjiro”, Ahmeti ekspozon në ambientet e kalasë, një pjesë të punimeve të tij, të realizuara vitet e fundit. Ekspozita, sipas vetë piktorit, ka për qëllim të shprehë dashurinë e tij për qytetin e gurtë, për vendlindjen, që ia ndjen aq shumë mungesën.
Zoti Ahmeti, si ndjeheni pas kaq shumë urimeve, që keni marrë gjatë çeljes së ekspozitës së parë, në vendlindjen tuaj?
Jam me të vërtetë mjaft i emocionuar dhe ndoshta ju nuk do të më besoni, por ju siguroj që e përjetoj me tepër emocion çeljen e kësaj ekspozite në qytetin tim të dashur, që aq shumë më mungon kur jam larg tij. Emocionet më kanë përshkuar qysh në momentin kur më është bërë ftesa për ekspozimin e veprave të mia nga kryetari i Bashkisë, Flamur Bime. Është me të vërtetë një kënaqësi, teksa shikoj bashkëqytetarë të mi të vijnë e të më respektojnë, duke parë veprat e mia. Nuk kam përjetuar kaq emocione sa sot, ndonjëherë tjetër, në raport me ato që kam çelur jashtë vendit. E kam pritur me kënaqësi ftesën e kryebashkiakut Bime, që më ka krijuar akses për çeljen e kësaj ekspozite dhe njëkohësisht e vlerësoj për organizimin e aktiviteteve, që po zhvillohen këto ditë ndonëse unë nuk kam mjaft informacion për përmbajtjen e tyre. Do të dëshiroja që edhe gjatë periudhës së ardhshme të vija më shpesh në qytetin tim për të kontribuar në promovimin e vlerave artistike, të cilat Gjirokastra i meriton me plot kuptimin e fjalës. 
Punimet tuaja janë ekspozuar në një prej ambienteve të brendshme të kështjellës, a është ky një kombinim mes artit figurativ dhe vlerës së vetë këtij objekti të veçantë?
Ka qenë një ide që unë sigurisht e kam mbështetur për ekspozimin e pikturave në këtë galeri të gurtë, por është dashur një ndërhyrje që të vihet vërtetë në funksion të punimeve dhe artdashësve. Të 60 pikturat që unë kam prezantuar në këtë ekspozitë, mbartin botën reale të ditëve të sotme, por nuk mund të lihet mënjanë edhe dëshira e njerëzve, pasioni i tyre për artin si dhe padyshim dhe natyrën e qetë. Pra, dua të them se veçantia qëndron në konceptimin artistik të të gjitha punimeve të krijuara për t’u ardhur më pranë njerëzve.
Çfarë periudhe përfshijnë këto vepra që ndodhen në ekspozim?
Teknika që kam përdorur ka qenë në vaj, duke përjashtuar ato të tjerat. Kjo sepse është më artistike dhe pranë realitetit. Punimet i përkasin një periudhe trevjeçare dhe ato janë punuar në një intensitet të shpejtë, po të merren parasysh edhe periudhat e pushimit vjetor. Në fund të fundit është publiku ai që i vlerëson ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›